Ushtria egjiptiane shpërndan parlamentin
13 Shkurt 2011Në Egjipt Këshilli Ushtarak e ka shfuqizuar përkohësisht kushtetutën dhe ka shpërndarë parlamentin. Veç kësaj, ky organ shpalli krijimin e një komiteti, i cili do të përpunojë ndryshimin e kushtetutës. Këto ndryshime do të votohen në referendum nga populli. Njëkohësisht, brenda gjashtë muajsh do të shpallen zgjedhje të reja. Ushtria egjiptiane ka premtuar kalimin e qetë të pushtetit në një qeveri të zgjedhur nga civilët.
Normalizimi i vendit
Ushtria do të garantojë një tranzicion paqësor të pushtetit te një sistem i lirë, demokratik, tha zëdhënësi i Këshillit më të Lartë Ushtarak. Detyrë kryesore e qeverisë aktuale tranzitore është rivendosja e sigurisë dhe rendit. Ekonomia duhet të funksionojë sërish dhe të përgatitet kthimi në normalitetin e përditshëm, tha zëdhënësi.
Respektimi i marrëveshjeve ndërkombëtare
Ai e siguroi ndërkohë Izraelin dhe partnerë të tjerë ndërkombëtare se qeveria tranzitore do t'u përmbahet të gjitha marrëveshjeve ekzistuese: "Të gjitha marrëveshjet rajonale dhe ndërkombëtare do të mbeten në fuqi. Këtu bën pjesë një marrëveshje paqeje me Izraelin“, tha zëdhënësi Ismail Etman. Izraeli e përshëndeti këtë shprehimisht. Pjesë të opozitës bënë të ditur se do të bëjnë thirrje për demonstrata të reja javore në kryeqytet. Ushtarakët, që sundojnë në Egjipt pas dorëheqjes së presidentit Mubarak, mund të vihen në këtë mënyrë nën presion, që të vënë në jetë me të vërtetë reforma.
Autor: dpa/ad
Redaktoi:av