Ura me familjet - Radio Andernach
25 Dhjetor 2012Shumë ushtarë gjermanë që gjenden në misionet jashtë vendit nuk mund t'i festojnë Krishtlindjet dhe Vitin e Ri me familjet. Për shumë prej tyre lidhja me atdheun dhe me familjet është Radio Andernach.
Radio Andernach është stacioni radiofonik i trupave të ushtrisë gjermane Bundeswehr. Nga qendra e tij në Mayen kjo radio transmeton nga Kosova deri në Afganistan.
Gjatë Krishtlindjeve emisionet karakterizohen nga përcjellja e shumë përshëndetjeve tejet emocionale. Radio Andernach ekziston që nga viti 1974.
Së pari, ajo e kishte qendrën në Andernach në brigjet e lumit të Rinit. Emri i radios mbeti i njëjti edhe pas transferimit të saj në vitin 2001 në kazermën Gjenerali Delius në Mayen që gjenden në malësinë lindore të Eifel.
Aktualisht për stacionin Radio Andernach punojnë 75 ushtarë. Rreth gjysma e tyre në bordin editorial, gjysma tjetër si staf teknik. Radio Andernach transmeton 24 orë, shtatë ditë në javë. Ushtarët mund ta ndjekin programin në vendet ku janë stacionuar ose në FM, ose nëpërmjet internetit.
Emisioni përbëhet nga lajme, sport, lajme argëtuese nga e gjithë bota dhe shumë muzikë. Radio Andernach e konsideron veten si një urë lidhjeje mes atdheut dhe vendit ku ushtarët janë në mision, thotë nënkolonel Mark Herholt, kryeredaktor në Radio Andernach:
"Mundësia që ne ofrojmë këtu, që të afërmit mund t'u dërgojnë urime ushtarëve në terren, të shoqëruara edhe me një dëshirë personale muzikore, është një mënyrë që t'i afrojmë ushtarët në terren pak më pranë Gjermanisë dhe gjithashtu një lidhje mes familjeve dhe ushtarëve. "