1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të paktën 20 të vrarë në një atentat në Texas

6 Nëntor 2017

Një burrë hapi zjarr kundër besimtarëve që po ndiqnin një meshë në Sutherland Springs në shtetin federal Texas. Më shumë se 20 vetë u vranë, shumë të tjerë u plagosën.

https://p.dw.com/p/2n4ax
USA Texas Schießerei Kirche in Sutherland Springs
Fotografi: picture-alliance/AP Images/N. Wagner

Sipas të dhënave të medieve, dorasi hyri në mesditë (sipas orës lokale) në First Baptist Church në Sutherlands Springs dhe hapi gjatë një meshe zjarr kundër të pranishmëve në ceremoni. Dëshmitarë tregojnë se ai e shkrepi të paktën 20 herë armën me shpejtësi, dhe se ai e pati mbushur armën disa herë.

Sipas të dhënave të një përfaqësuesi të qarkut, pati 27 të vdekur dhe më shumë se 20 të plagosur. Një konfirmim zyrtar të këtij numri nga policia ende nuk ka. Një zëdhënës i policisë deklaroi vetëm se edhe qitësi ndodhet ndër të vdekurit. Sipas tij, ai vdiq pak pas ndodhisë në një rajon fqinj në automjetin e tij. Nëse ai vrau veten apo e vrau policia, kjo është ende e paqartë.

USA Texas Schießerei Kirche in Sutherland Springs
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/Austin American-Statesman/N. Wagner

Komuniteti i vogël Sutherland Springs ndodhet 50 kilometra në juglindje të San Antonios. Sipas dëshmitarëve, në shërbesat fetare zakonisht marrin pjesë 50 vetë.

Gruaja e pastorit u tha agjencive të lajmeve se në kohën e meshës ajo dhe i shoqi nuk ndodheshin në qytet, por bija e tyre adoleshente ishte në kishë dhe ndodhet midis të vrarëve.

Presidenti Trump shprehet nga Japonia

Presidenti i SHBA, Donald Trump u informua gjatë qëndrimit në Tokio për krimin e përgjakshëm. Ai shkroi në twitter:"I lutem Zotit që të jetë pranë njerëzve në Sutherland Springs(...) Po e ndjek gjendjen që nga Japonia".

Vetëm para një muaji, një vrasje tjetër shkaktoi tmerr në të gjithë botën, kur në Las Vegas (Nevada) një burrë hapi zjarr nga dritarja e një hoteli mbi vizitorët e një festivali muzike dhe vrau 58 prej tyre - më shumë se 500 të tjerë u plagosën. Dorasi vrau veten. Ishte masakra më e rëndë në historinë më të re të SHBA. Motivi është edhe më tej i paqartë.

Të shtëna në një kishë pati edhe në vitin 2015 në Charleston (Karolina e Jugut). Një 21 vjeçar vrau atëherë për motive raciste nëntë besimtarë me ngjyrë. Atë e dënuan me vdekje.