1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Liberalizimi i vizave afër pas ratifikimit të demarkacionit

Bekim Shehu''
26 Prill 2018

Presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk, gjatë një vizite në Prishtinë tha se normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi nënkupton implementimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut.

https://p.dw.com/p/2wjtX
Kosovo Pristina - Donald Tusk und Hashim Thaci
Fotografi: Office of the Kosovos Presidency

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk tha në Prishtinë se Bashkimi Evropian duhet ta dëshmojë mbështetjen e palëkundur për perspektivën evropiane të rajonit dhe kjo mbështetje sipas tij, do të theksohet në Samitin e Sofjes, që do ta mbahet me 17 maj. Donald Tusk erdhi në Prishtinë në kuadër të një vizite kordinuese me vendet e rajonit, të cilat do të marrin pjesë në Samitin e Sofjes. Në Prishtinë Presidenti i Këshillit Evropian takoi Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili do të marrë pjesë në samitin e Sofjes. 

"BE duhet të dëshmojë mbështetjen e palëkundur për perspektivën e rajonit. BE është dhe do të vazhdojë të jetë partneri më i besueshëm për tërë rajonin. Samiti duhet të përmirësojë lidhjet brenda rajonit. Ne do ta përdorim samitin për të diskutuar se si do t'i trajtojmë disa sfida të përbashkëta të sigurisë”, tha Donald Tust, duke i kushtuar një rëndësi të veçantë dialogut Kosovë-Serbi.

"Pa normalizim gjithëpërfshirës dhe pa zbatimin e plotë te marrëveshjeve të arritura në dialog, nuk shoh se si mund të bëhet një ndryshim dhe përmirësim i marrëdhënieve Kosovë-Serbi, mirëpo pas takimit që zhvillova me herët me presidentin e Serbisë dhe tani me presidentin e Kosovës jam optimist”, tha Donald Tusku.

Kosovo Pristina - Donald Tusk und Hashim Thaci
Fotografi: Office of the Kosovos Presidency

"Liberalizimi i vizave për Kosovën është më afër pas ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi”, tha Donal Tusk, por sipas tij lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit duhet të vazhdojë megjithë arritjet.

"Luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit kërkon konsensus politik dhe Brukseli i çmon arritjet e Kosovës në këtë drejtim”, tha Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nga ana e tij tha se Kosova është faktor konstruktiv në rajon dhe sipas tij, rajoni i Ballkanit përfshirë këtu edhe Kosovën nuk kanë qenë kurrë më afër njëri tjetrit.

"Bashkimi Evropian dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor e kanë kuptuar se bashkërisht mund të bëjmë shumë më shumë që sa më shpejt të realizojmë në praktikë, atë çfarë BE-ja e ka riaktualizuar në mënyrë të qartë përsëri, 15 vite më vonë nga Samiti i Selanikut që është anëtarësimin e të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE”, tha Presidenti Thaçi.

Sipas tij Kosova Kosova ka një nevojë urgjente për të përshpejtuar hapat e saj drejt anëtarësimit në BE. "Kosova reflekton mbështetje qytetare ndaj BE-së, mirëpo Kosova ka nevojë për konkretizim të perspektivës evropiane dhe ambicia jonë minimale është që në një periudhe sa më të shkurtër të marrim statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE”, tha Presidenti Thaçi, duke shprehur edhe njëherë përkushtimin e Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë dhe ndihmën gjermane në këtë proces. Thaçi do të qëndrojë në Berlin më datën 09.05.

"Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë një nga çështjet më të rëndësishme që do të diskutoj edhe në Berlin, në takimin me kancelaren gjermane, Angela Merkel”, tha Presidenti Thaçi.

Kosova merr pjesë në Samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor, që do ta mbahet më 17 maj në Sofje të Bullgarisë, ndonëse pesë vende të BE-së akoma nuk e njohin si shtet të pavarur.