Turqia bllokon faqet e internetit të Deutsche Welle-s
1 Korrik 2022Këshilli i Lartë i Radios dhe Televizionit Turk (RTÜK) ka bllokuar faqet e internetit të medias publike gjerman Deutsche Welle (DW). Krahas bllokimit të faqeve në të 32 gjuhët që ofron Deutsche Welle janë bllokuar edhe faqet e Zërit të Amerikës.
Si arsye për këtë u dhanë çështje që lidhen me licencimin. Në shkurt të vitit 2022 Këshilli i Lartë i Radios dhe Televizionit Turk që është përgjegjës për kontrollin e medias, u kërkoi DW dhe mediave të tjera ndërkombëtare që të marrin licencë në Turqi.
Licencimi i barabartë me censurë
DW nuk e bëri këtë, sepse licencimi do t'i lejonte qeverisë turke të censuronte përmbajtjen editoriale.
Drejtori i Përgjithshëm i DW-së Peter Limbourg tha: "Ne shpjeguam në një letër të hollësishme si dhe në një bisedë personale me kryetarin e Këshillit të Lartë të Radios dhe të Televizionit, se pse DW nuk mund të aplikojë për një licencë të tillë. Sepse për shembull, në Turqi, mediave të licencuara u kërkohet të fshijnë nga interneti përmbajtje që RTÜK i interpreton si të papërshtatshme. Kjo është thjesht e papranueshme për një media të pavarur. DW-ja do të marrë masa ligjore kundër bllokimit të tanishëm.”