Trumpi e kërcënon Iranin me asgjësim | Bota | DW | 21.05.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Bota

Trumpi e kërcënon Iranin me asgjësim

Për shkak të konfliktit mes Uashingtonit dhe Teheranit, situata në rajonin e Gjirit aktualisht është shumë e tensionuar. Tani Presidenti i SHBA e shton presionin - dhe i dërgon Iranit fjalë që nuk mund të keqkuptohen.

"Nëse Irani dëshiron të luftojë, ky do të jetë fundi zyrtar i Iranit," shkroi Donald Trump në twitter. "Mos i kërcënoni më kurrë Shtetet e Bashkuara," shtoi presidenti amerikan.

Paralajmërimi që nuk mund të keqkuptohet i Trumpit vjen në një kohë tensionesh të larta midis Uashingtonit dhe Teheranit. Duke iu referuar një "kërcënimi të drejtpërdrejtë" të papërcaktuar nga Irani, qeveria e SHBA ka zhvendosur që nga fillimi i majit një aeroplanmbajtëse, një skuadrilje bombarduesish dhe një bateri kundërajrore në rajonin e Gjirit Persik. Ajo gjithashtu ka ashpërsuar sanksionet e vendosura ndaj Iranit. Nga ana e saj, udhëheqja në Teheran njoftoi në përvjetorin e parë të braktisjes së marrëveshjes ndërkombëtare bërthamore nga Trumpi se nuk do të respektone më pika të caktuara të marrëveshjes.

(Jo) frikë nga vdekja

Para twitterit të Trumpit, komandanti i Gardës Revolucionare iraniane ishte shprehur gjithashtu në mënyrë luftarake. Megjithëse Irani dhe Garda e tij revolucionare nuk duan luftë, theksoi Hussein Salami, ata nuk kanë frikë nga ajo, theksoi ai. Sipas tij, trupat amerikane - ndryshe nga Garda revolucionare - kanë frikë nga vdekja dhe një kundërshtar i tillë është "i lehtë për t'u mposhtur".

Trumpi e akuzon Iranin se vazhdon përpjekjet për të ndërtuar armë bërthamore, për të destabilizuar Lindjen e Mesme dhe rajonin e Gjirit dhe mbështetjen e terrorizmit. Arabia Saudite dyshon se qeveria iraniane qëndron pas sulmeve me drona ndaj pajisjeve të naftës në Arabinë Saudite dhe pas sulmeve ndaj depozitave saudite të naftës.

Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Rusia dhe Kina duan t'i përmbahen marrëveshjes bërthamore. Por ato nuk kanë qenë në gjendje të pengojnë që shumica e kompanive të tyre të tërhiqen nga Irani për shkak të frikës nga sanksionet amerikane. "Duhet thënë sinqerisht se avantazhet ekonomike që ka premtuar Irani me këtë marrëveshje, (...) nuk mund të arrihen më pa amerikanët", pranoi Ministri i jashtëm gjerman Heiko Maas në televizionin gjerman.

 

 

 

wa/ust (afp, dpa, rtr)