Trumpi deklasifikon dokumentin e diskutueshëm të FBI-së
2 Shkurt 2018Presidenti i SHBA, Donald Trump dha miratimin për publikimin e një dokumenti të diskutueshëm, në të cilin me sa duket FBI-ja akuzohet për qendrim të njëanshëm në aferën e Rusisë. Me këtë hap, tani është në dorën e Komisionit të Shërbimeve të Fshehta të Dhomës së Përfaqësuesve që ta publikojnë dokumentin.
Para gazetarëve Trumpi konfirmoi se ia ka dërguar Kongresit dokumentin e porositur nga një komision në Dhomën e Përfaqësuesve. Më parë ai pati akuzuar FBI-në dhe Ministrinë e Drejtësisë se "e kanë politizuar punën e tyre hetimore në dobi të demokratëve dhe kundër Republikanëve".
Demokratët e shohin dokumentin si përpjekje të mundshme të Republikanëve për të dëmtuar besueshmërinë e hetuesit të posaçëm Robert Mueller ose për ta shkarkuar atë. Mueller heton për dyshimin se gjatë fushatës elektorale në vitin 2016 duhet të ketë pasur marrëveshje midis Rusisë dhe ekipit të Trumpit. Pjesë e hetimeve është edhe kritika se në lidhje me aferën e Rusisë Trumpi ka penguar edhe punën e organeve të drejtësisë.
Dokumenti është hartuar nga bashkëpunëtorët e Republikanit Devin Nunes, të kryetarit të Komisionit të Shërbimit të Fshehtë në Dhomën e Përfaqësuesve. Sipas raporteve në mediet e SHBA, FBI akuzohet në të për gabime. Ndër të tjera gabim konsiderohet përgjimi i Carter Page, i një ish-këshilltari të Trumpit për fushatën elektorale.