1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Trump dhe Merz diskutojnë për Iranin, doganat dhe Ukrainën

3 Mars 2026

Kancelari gjerman Friedrich Merz ndodhet në SHBA për bisedime me Presidentin Trump. Lufta në Iran dominoi agjendën e bisedimeve midis dy liderëve.

https://p.dw.com/p/59kcQ
Shtrëngim duarsh midis Donald Trump-it dhe kancelarit gjerman Friedrich Merz ne Zyren Ovale
Shtrëngim duarsh midis Donald Trump-it dhe kancelarit gjerman Friedrich MerzFotografi: Andrew Caballero-Reynolds/AFP

Kancelari gjerman Friedrich Merz mbërriti në Uashington, D.C., të hënën pasdite. Merz u takua me presidentin amerikan Donald Trump për bisedime bilaterale në Zyrën Ovale. Merz e falënderoi Trumpin që e ftoi në Shtëpinë e Bardhë "për herë të tretë".

Trump-i tha se ishte një nder i madh të mirëpriste Merz-in "në këtë Zyrë Ovale të bukur".

Kancelari gjerman i tha Presidentit të SHBA se "jemi dakord për nevojën për t'i dhënë fund regjimit të Teheranit", por shtoi se duhej të flisnin për "ditën e nesërme". Ai gjithashtu tha se të dy do të diskutonin marrëveshjet tregtare me Shtetet e Bashkuara dhe luftën në Ukrainë.

Trump-i tha se ka eliminuar kapacitetet ushtarake të Iranit

Presidenti amerikan kaloi pjesën më të madhe të kohës para kamerave me kancelarin gjerman duke folur për sulmet amerikane dhe izraelite ndaj Iranit.

Kur u pyet nëse Izraeli kishte ushtruar presion mbi SHBA për të nisur sulmin, Trump-i u përgjigj se ai kishte vendosur të vazhdonte me sulmin bazuar në "se si po shkonin negociatat" me Iranin dhe se "kishte një ndjesi" që Irani po përgatitej të niste sulmin e vet.

Ai tha se ditët e para të luftës kishin shkatërruar shumicën e kapacitetit ushtarak të Iranit, "praktikisht gjithçka është shkatërruar," u tha ai gazetarëve.

Megjithëse Irani ka vazhduar të lëshojë raketa, përfshirë edhe kundër fqinjëve të tij arabë, Trumpi parashikoi se ata nuk do të mund të rezistonin shumë më gjatë. "Ata kanë lëshuar shumë, dhe ne po shkatërrojmë shumë," tha ai.

Takim dypalësh midis Trump dhe Merz në Shtëpinë e Bardhë - mikrofona dhe gazetare
Takim dypalësh midis Trump dhe Merz në Shtëpinë e BardhëFotografi: Samuel Corum/ABACAPRESS/IMAGO

Merz-i shpreson që lufta në Iran të përfundojë së shpejti

Pas komenteve të Trump-it Merz-i shprehu shpresën që lufta të përfundojë së shpejti. Rritja e çmimeve të karburantit dhe naftës që nga sulmet e së shtunës "natyrisht që po dëmton ekonomitë tona," tha Merz-i.

"Prandaj të gjithë shpresojmë që kjo luftë të përfundojë sa më shpejt, dhe shpresojmë që ushtritë izraelite dhe amerikane po bëjnë gjënë e duhur për ta përfunduar atë," shtoi ai, duke shprehur shpresën e tij që të formohet një "qeveri e re" në Iran.

Trump parashikoi se pas luftës çmimet e naftës do të binin, "mendoj se edhe më shumë se më parë."

Përsa i përket asaj që mund të ndodhë "ditën tjetër", Trump ishte më i rezervuar. "Mendoj se gjëja më e keqe që mund të ndodhë është që ne ta bëjmë këtë dhe pastaj dikush po aq i keq sa ai i mëparshmi të marrë pushtetin, apo jo?" u tha ai gazetarëve. "Kjo mund të ndodhë. Ne nuk duam që kjo të ndodhë."

"Shumë nga njerëzit që kishim në mendje kanë vdekur," tha ai. Përsa i përket Reza Pahlavit, djalit të ish-shahut që u rrëzua në revolucionin e vitit 1979, Trump-i tha: "Kam thënë se ai duket si një person shumë i mirë, por mendoj dikë që është atje dhe është aktualisht i popullarizuar, nëse ekziston një person i tillë, por ne kemi njerëz të tillë."

Trump-i diskuton tarifat doganore me Merz-in

"Tarifat e kanë bërë vendin tonë shumë të pasur," tha Trumpi në përgjigje të një pyetjeje se si do ta zgjidhte mosmarrëveshjen tregtare midis SHBA dhe Bashkimit Evropian.

Ai më pas bëri shaka duke thënë se do të godasë Gjermaninë "shumë, shumë fort" me tarifa doganore, përpara se t'i trokiste lehtë Merzit në këmbë.

Trump dhe Merz në Shtëpinë e Bardhë - Trumpi flet, Merz sheh perpara
Trump dhe Merz në Shtëpinë e BardhëFotografi: Andrew Caballero-Reynolds/AFP

Pas diskutimit të vendimit të Gjykatës së Lartë për të rrëzuar tarifat e tij të mëparshme, të cilat, sipas tij, riafirmuan aftësinë e tij për t'i vendosur ato, Trump shtoi se do të reduktonte tregtinë me Spanjën, të vetmin vend të BE që i kundërshtoi hapur sulmet ndaj Iranit.

"Spanja ka qenë e tmerrshme," u tha Trump gazetarëve gjatë takimit, duke shtuar se i kishte thënë Sekretarit të Thesarit Scott Bessent të "ndërpriste të gjitha marrëdhëniet" me Spanjën.

"Ne do të ndërpresim të gjithë tregtinë me Spanjën. Ne nuk duam të kemi asgjë të bëjmë me Spanjën," shtoi ai.

Trump-i e quan Merz-in "mik"

Edhe pse nuk është ofruar asnjë përmirësim i qartë në tarifat amerikane, një nga objektivat kryesore të udhëtimit të Merz-it, Trump tha se homologu i tij gjerman po "bën një punë shumë të mirë... një punë vërtet të shkëlqyer".

Ai vazhdoi duke e përshkruar kancelarin si një "njeri shumë, shumë të suksesshëm" dhe një "mik".

Presidenti amerikan tha se SHBA dhe Gjermania po bashkëpunonin mirë, por ai nuk pati fjalë kaq të mira për Britaninë e Madhe dhe Spanjën, të cilat i përshkroi si "jo bashkëpunuese".

Përsa i përket Britanisë së Madhe, ai u ankua për vendimin për të mos e lejuar SHBA të përdorë bazat e saj për të sulmuar Iranin. Ai gjithashtu kritikoi politikat britanike të energjisë dhe migrimit.

Konferenca e shtypit, Zyra Ovale - Trump me gisht lart dhe anetare te qeverise amerikane ne kolltuk krahas tij
Konferenca e shtypit, Zyra OvaleFotografi: Andrew Caballero-Reynolds/AFP

Merz-i dhe Trump diskutojnë unitetin për Iranin dhe Ukrainën

Merz qartë u përpoq të ushtronte presion mbi Trump-in për të diskutuar planet afatgjata për Iranin, duke thënë: "Ne duhet të zhvillojmë një strategji për këtë rajon të tërë."

Ai theksoi rëndësinë e një "qasjeje të përbashkët" që përfshin sigurinë e Shteteve të Bashkuara, Evropës dhe Izraelit.

Kur u pyet për Ukrainën, Trump-i tha se ajo ishte "shumë e rëndësishme" në listën e tij të prioriteteve, por pranoi se ishte befasuar nga sa e vështirë kishte qenë të gjendej një zgjidhje për të përfunduar luftën.

"Mendoja se do të ishte një nga më të lehtat," u tha ai gazetarëve, përpara se të shtonte se ai tashmë kishte zgjidhur tetë luftra në mandatin e tij të dytë.

Përsa i përket procesit të armëpushimit midis Ukrainës dhe Rusisë, Trump-i tha, "Ndonjëherë fajësoj njërin, ndonjëherë fajësoj tjetrin," por ai ishte i bindur se do të arrihej një marrëveshje.

Trumpi priti Merz-in, 03.03.2026, fotoja tregon Trumpin ne konferencen e shtypit duke para drejt
Trumpi priti Merz-in, 03.03.2026Fotografi: Andrew Caballero-Reynolds/AFP

Merz-i i thotë Trumpit se Ukraina duhet "të ruajë territorin e saj"

Gjatë konferencës së shtypit me Trumpin, Merz donte të tregonte se ishte në anën e presidentit amerikan, ndërkohë që me finesë këmbëngulte te ai për çështje të caktuara.

Njëra prej tyre ishte të merrej në konsideratë se çfarë do të ndodhë në Lindjen e Mesme në afat të mesëm dhe të gjatë. Tjetra ishte Ukraina."Ne të gjithë duam që kjo luftë të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur," tha Merz-i.

"Por Ukraina duhet të ruajë territorin e saj dhe interesat e saj të sigurisë, dhe, mirë, do të flasim për këtë," shtoi ai.

Një propozim i mëhershëm për armëpushim nga Shtëpia e Bardhë i kishte ofruar Rusisë territor ukrainas, përfshirë territore që nuk ishin nën kontrollin rus. Kjo pati nxitur reagim të zemëruar nga partnerët evropianë në atë kohë.

(dw me dpa, AFP, Reuters, AP)