150610 kirgistan unruhen
16 Qershor 2010Ushtarët nuk e dinë aspak se çfarë mund t'i presë. Shumë vullnetarë të ushtrisë kirgize ndodhen rrugës për në qytetin Osh. Të gjitha njësitë mobilizohen tani për t'i dhënë fund vrasjeve në këtë vend. "Ne duhet të përpiqemi të qetësojmë njerëzit dhe të dëbojmë nga vendi ynë të gjithë ata që duan të rrëzojnë pushtetin."
Që prej ditësh në këtë rajon luftojnë kirgizë kundër pakicës me prejardhje uzbeke. Mijëra vetë përpiqen të arratisen, por ato nuk largohen dot. Sepse Uzbekistani ka mbyllur kufirin e tij me argumentimin se dyndja e njerëzve nuk mund të përballohet.
Në këtë situatë të tensionuar ushtria kirgize duhet të kujdeset për sigurinë e të dyja etnive. Sepse mund të shkaktohen edhe trazira të tjera. Qeveria kalimtare është e mendimit se dhuna nxitet për qëllime të caktuara.
Rosa Otunbajewa, kryetare e qeverisë provizore në Kirgistan thotë: "Ne kemi këtu dëshmi në video, që trazirat nxiten nga presidenti i mëparshëm Bakijev, i cili mund të organizojë provokime dhe këtu në kryeqytet. Këtu nuk është fjala për genocid ndaj uzbekëve, këtu bëhen përpjekje për të shkatërruar shtetin shumëkombësh të Kirgistanit."
Shumë vetë kanë humbur tashmë gjithçka. Avioni, që ka sjellë në Osh ushtarët vullnetarë, merr me vete në rrugën e kthimit sa më shumë refugjatë dhe të plagosur. Refugjatë, që nuk e dinë, nëse do të kthehen ndonjëherë më prapë.
Autor: Sandra Havenith/ Angelina Verbica
Redaktoi: Aida Cama