Traditë në mbështetjen e grave: Universiteti Humboldt në Berlin | Shkenca & Edukimi | DW | 13.04.2013
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Shkenca & Edukimi

Traditë në mbështetjen e grave: Universiteti Humboldt në Berlin

Thuajse asnjë universitet tjetër nuk ka nxjerrë aq shumë shkencëtarë të shquar dhe nobelistë. Edhe sot, Universiteti Humboldt në Berlin vazhdon t’i kushtojë vëmendje „personaliteteve në shkencë“ dhe mbështet gratë.

Ftesa e fizikantes Elsa Neumann në shkurt 1899 në festën e doktoraturës në Universitetin Humboldt (HU) në Berlin ishte një sensacion. Të gjithë figurat e shquara dhe personalitetet e njohura në shkencë erdhën në Berlin për të festuar "zonjushën e parë me titull doktor" dhe për të bërë njëkohësisht menjëherë të qartë se Elsa Neumann duhej të mbetej përjashtim. Fizikanti i shquar Max Planck e formuloi me këto fjalë këtë qëndrim: "Vetë natyra i ka përcaktuar gruas profesionin si nënë dhe amvisë.

Më shumë se një shekull më vonë, gratë në shkencë vazhdojnë të kenë më shumë vështirësi se burrat. Por Universiteti Humboldt në Berlin ashtu si më parë i kushton vëmendje dhe i mbështet gratë. Universiteti ka qenë shkolla e lartë me numrin më të madh të docenteve mes 1919 dhe 1945. Sot shkencëtaret e reja përftojnë ndihmë nga programi i lidershipit me kujdestari për të krijuar një rrjet të mirë lidhjesh profesionale. Rreth 80.000 euro ndihmë financiare jep shkolla çdo vit për një profesore, e cila nderohet me titullin Caroline von Humboldt, të akorduar nga vetë universiteti.

Një universitet i personaliteteve në kërkimet shkencore

Në gjurmët e shkencëtares Elsa Neumann - studente të semestrit të parë në HU Berlin.

Në gjurmët e shkencëtares Elsa Neumann - studente të semestrit të parë në HU Berlin.

Universiteti i themeluar në vitin 1810 respekton idealin arsimor të themeluesit të tij, Wilhelm von Humboldt, dhe kjo vlen sot si për burrat ashtu edhe për gratë. Dijetari i shquar prusian dëshironte t'i formonte shkencëtarët si "personalitete në fushën e kërkimeve", që janë njëkohësisht edhe "personalitete në mësimdhënie" dhe që merren me shkencë "me vullnetin e tyre". Për universitetin vazhdon të jetë edhe sot i rëndësishëm bashkërendimi i punës kërkimore me mësimdhënien.

Me konceptin e tij "Arsimim përmes shkencës: personalitet, hapje, orientim", universiteti arriti të futej në qershor 2011 në rrethin e universiteteve elitare në Gjermani. Ishte përpjekja e tretë që universiteti bënte për të siguruar ndihmat financiare për universitetet elitare. Dy herë universiteti më i vjetër i kryeqytetit gjerman u mund në garë nga Universiteti i Lirë i Berlinit, i cili në 1948 pas ndarjes së Gjermanisë në dy shtete, ishte shkëputur nga universiteti Humboldt, që ndodhej në pjesën lindore.

Në kërkim të përgjigjeve për pyetje globale

Në RDGJ Universiteti Humbold ishte me rreth 150.000 studentë shkolla më e madhe e lartë e Gjermanisë Lindore. Sot në universitet studiojnë, kryejnë kërkime, japin mësim dhe punojnë rreth 40.000 vetë. Që prej ribashkimit të Gjermanisë në 1990 universiteti ka kryer disa reforma. Me rreth 150 milionë eurot nga inisiativa e ekselencës, do të financohet ndër të tjera një reformë në administratë, e cila e sheh veten gjithnjë e më shumë si një "qendër shëbimi" për punën kërkimore.

Themeluesi i universitetit, Wilhelm von Humboldt.

Themeluesi i universitetit, Wilhelm von Humboldt.

Veç kësaj universiteti synon të zhvillojë më tej të ashtuquajturit "Institute kërkimore integrative" (IRI), të cilët me punën e tyre dhe në nivel ndërdisiplinar, i kushtohen çështjeve të shfrytëzimit global të tokës, urbanizimit dhe vazhdimësisë. Kështu për shembull në IRI për shkencat e jetës biologë, mjekë dhe studiues të neurologjisë, punojnë së bashku me neuropatologë të Klinikës Universitare Charité në Berlin, në studimin e funksioneve të ndryshme të sistemit nervor tek njerëzit.

Në të njëjtën kohë universiteti dëshiron të mbështesë më fort studiues të veçantë. Për këtë arsye një pjesë e mjeteve financiare nga inisiativa e ekselencës do të shkojnë për konkurse në fushën e kërkimeve, bursa dhe projekte të paraqitura nga studiues të veçantë. Me programe të diferencuara mbështetjeje, për shembull për kohën mes studimeve master dhe fillimit të një doktorature, universiteti synon të tërheqë studentë si shkencëtarë të ardhshëm.

Kujdestari më e mirë për studentët e huaj

Në Universitetin Humboldt mund të studiohet thuajse çdo degë. Që prej vitit 1994 universiteti ka 11 fakultete dhe shumë institute qendrore, të shpërndarë përreth ndërtesës kryesore në pjesën e qytetit "Berlin Mitte". Krahas degëve klasike universiteti ofron edhe drejtime si Shkenca të Afrikës dhe Azisë, "Deaf Studies" apo Etnologji Evropiane.

Studentët festojnë titullin e ekselencës

Studentët festojnë titullin e ekselencës

Larmia e degëve të studimeve tërheq në Berlin shumë studentë të huaj. Në të ardhmen kujdestarisë dhe këshillimit të tyre do t'i kushtohet më shumë rëndësi. Universiteti do të ngrejë pranë çdo fakulteti një "Zyrë ndërkombëtare", e cila do të ketë punonjësit e saj. Studentët e huaj do të marrin një orientim më të mirë në mënyrë që të mos kenë probleme në studimin dhe kërkimin e pavarur në një universitet të madh si Humboldt, në përputhje me idealin e arsimimit të themeluesit të shquar të universiteti, Wilhelm von Humboldt.

  • Data 13.04.2013
  • Autor Sabine Damaschke / Eliana Xhani
  • Opinioni Juaj: Na shkruani!
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/18FNC
  • Data 13.04.2013
  • Autor Sabine Damaschke / Eliana Xhani
  • Feedback
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/18FNC