1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tigër prej letre

Nina Verkheuzer14 Dhjetor 2005

Mbi rolin dhe detyrat e komisionit mbikqyrës parlamentar për shërbimet sekrete

https://p.dw.com/p/AqhA
Qendra e BND në Pullach
Qendra e BND në PullachFotografi: AP

Komisioni parlamentar për mbikqyrjen e shërbimeve sekrete në Gjermani po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e opinionit publik. Mbikqyrësit e shërbimeve sekrete në Bundestag, sipas të dhënave të veta, janë informuar hollësisht për rastin e rrëmbimit të gjermano-libanezit Khaled el Masri, 14 muaj pas rrëmbimit të tij. Kryetari socialdemokrat i këtij komisioni, Volker Nauman, i cili së shpejti largohet nga ky post, i hodhi poshtë njoftimet, sipas të cilave komisioni mbikqyrës është vënë në dijeni qysh në vitin 2004. Sot në Bundestag në Berlin do të riformohet ky komision dhe diskutohet për rastin në fjalë.

Rikrijohet komisioni parlamentar për mbikqyrjen e shërbimeve sekrete

Jo pa arësye komisioni mbikqyrës parlamentar i Bundestagut është mbledhur sot në një seancë me dyer të mbyllura. Gjithçka do të bisedohet aty është sekret kategorik. Sepse çështja ka të bëjë me shërbimet sekrete - konkretisht me shërbimin kombëtar informativ të Gjermanisë, BND, me mbrojtjen kushtetuese si dhe me shërbimin mbikqyrës ushtarak. Të gjitha këto shërbime duhet të mbikqyren prej antarëve të ri të komisionit parlamentar. Në bazë të ligjit, qeveria federale është e detyruar ta informojë në mënyrë të detajuar komisionin mbikqyrës parlamentar për veprimtarinë e përgjithshme të shërbimeve sekrete dhe për ngjarjet me rëndësi të veçantë.

Komisioni informohet shpesh prej mediave


Por në praktikë informacionet shpesh herë janë të kursyera. Anëtarët e komisionit mbikqyrës vazhdimisht ankohen, që devijimet e shërbimeve sekrete i mësojnë prej medieve, qoftë kur është fjala për defekte të tilla siç qe rasti i procesit për ndalimin e partisë ekstremiste nacional-demokrate, apo edhe rasti i përgjimit të gazetarëve gjermanë prej shërbimit informativ kombëtar, BND, në vitet 90. Për zbardhjen e rastit, që u zbulua vetëm para pak kohësh, komisioni mbikqyrës parlamentar ngarkoi një hetues të jashtëm.

Nëntë deputetët antarë të këtij komisioni nuk mund të bëjnë më shumë, pasi forumi i tyre konsiderohet si një "tigër prej letre". Ata vetë lejohen të shikojnë dosjet dhe të pyesin punonjësit e shërbimeve sekrete, por nëse këta nuk japin informacion të mjaftueshëm, këtu marrin fund edhe kompetencat e deputetëve. Përveç kësaj, detyrimi për rujtjen e sekretit i kushtëzon ata që të mos informojnë as Bundestagun dhe as mediet, ndaj as që pritet ndihmë prej presionit publik për sqarimin e rasteve.

Rasti El Masri ka të bëjë me shërbimet e huaja sekrete

Në rastin e gjermano-libanezit El Masri të arrestuar gabimisht nga shërbimi sekret i SHBA, CIA, komisioni mbikqyrës është informuar më 16 shkurt të vitit 2005 me kërkesën e njërit prej antarëve. Më parë një revistë televizive pat informuar për rrëmbimin e gjermanit nga CIA. Ministri aktual i punëve të jashtme, Frank-Valter Shtajnmajer e ka ditur këtë qysh në vitin 2004, pra shumë muaj përpara. Megjithatë në rastin el Masrit, në radhë të parë bëhet fjalë për qëndrimin e shërbimeve të huaja sekrete, ndërsa detyra e komisionit mbikqyrës parlamentar është që të kontrollojë shërbimet sekrete gjermane. Deputetët e rinj pra duhet të hetojnë tani, se deri në ç´masë ka pasur të bëjë shërbimi informativ kombëtar i Gjermanisë me këtë rast.

Përpjekje për ta mbajtur mbyllur temën e aferës së CIA-s?

Zbulimi, se çfarë ka ditur apo nuk ka ditur dhe kur qeveria për rrëmbimin e El Masrit, nuk është detyrë e mirëfilltë e komisionit mbikqyrës. Kjo pasi kontrolli i qeverisë nuk mund të diskutohet në një seancë me dyer të mbyllura, por vetëm në sallën plenare të Bundestagut apo të ndonjë komisioni hetimor. Ndaj propozimin e kancelares Angela Merkel, që ish-shefi i kancelarisë Shtajnmajer të raportojë përpara komisionit mbikqyrës parlamentar, shumë deputetë të opozitës e vlerësojnë si një përpjekje për ta mbajtur të mbyllur këtë temë. Opozita ia doli me kërkesën e saj që të mërkurën të mblidhet Bundestagu për të trajtuar çështjen e ashtuquajtur afera e CIA-s.