Tifozët e Schumacherit shkojnë tek ai në ditën ditëlindjes | Shoqëria & Kultura | DW | 03.01.2014
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Shoqëria & Kultura

Tifozët e Schumacherit shkojnë tek ai në ditën ditëlindjes

Idhulli i tyre mbush këtë të premte 45 vjeç. Në nder të Schumacherit tifozët e tij të shumtë mblidhen para klinikës, ku ai ndodhet ende në gjendje kome. Familja e tij ështe shumë e prekur nga solidariteti.

"Ne duam të falënderojmë njerëzit nga e gjithë bota, të cilët pas aksidentit të Michaelit na kanë dhuruar simpati dhe na kanë dërguar urimet e tyre më të mira. Kjo është për ne një mbështetje e madhe", u shpreh familja e Schumacherit në faqen e saj në internet. "Ne të gjithë e dimë se Michaeli di të luftojë dhe nuk do të heqë dorë. Faleminderit shumë."

Gjendja e pandryshuar

Informacione të reja në lidhje me shëndetin e tij nuk ka. "Ne nuk do të bëjmë deklarata, nëse nuk ka diçka të re", tha menaxherja e Schumacherit, Sabine Kehm, të enjten përmes sms. Që ditën e Vitit të Ri ajo pati theksuar se mjekët në Spitalin Universitar në Grenoble të Francës do të shpreheshin sërish vetëm, kur gjendja shëndetësore e kampionit botëror të Formula 1 të ketë ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme, si pozitivisht dhe negativisht. Dhe kështu vëzhguesit besojnë se gjendja e Schumacherit vazhdon të jetë kritike, por stabile. "Michael është nën kontroll të vazhdueshëm gjatë tërë kohës, mjekët kujdesen shumë për të", tha Kehm duke shmangur parashikimin e shanseve për shërimine tij. "Nuk mund të themi dot se çfarë do të ndodhë në ditët e ardhshme"

Tifozët e Schumacherit duan t'i japin mbështetje idolit të tyre

Tifozët e Schumacherit duan t'i japin mbështetje idolit të tyre

Normalisht familja e Schumacherit feston ditëlindjen e tij me 3 janar në Meribel, jo larg nga vendi, ku ai u aksidentua të dielën gjatë skijimit. Ai u përplas aq fort me kokë në një shkëmb, saqë mjekëve iu desh ta vinin në një gjendje kome artificiale për shkak të një traume të rëndë kraniocerebrale.

Të heshtur dhe gjithë admirim

Këtë të premte tifozë të shumtë të Ferrarit dhe Schumacherit mblidhen para spitalit në Grenoble për t'i dhënë mbështetje idolit të tyre. "Në këto ditë të vështira dhe me rastin e ditëlindjes së tij klubet Scuderia-Ferrari duan të shprehin mbështetjen e tyre për Michael Schumacherin", njoftoi shoqata e klubeve të tifozëve të Ferrarit. Të gjithë tifozët janë të ftuar, që të veshur komplet në të kuqe, në heshtje dhe respekt, të shprehin lidhjen e tyre me Schumacherin. Ferrari ka 130 klube tifozësh vetëm në Europë. Schumacheri ka qenë pilot i Ferrarit nga viti 1996 deri 2006.