1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

T'i jepet fund miteve!

Koment/Klaus Dahmann25 Tetor 2005

Çështja e Kosovës duhet të zgjidhet me pragmatizëm. Shqiptarët kërkojnë pavarësi të plotë. Beograd këmbëngul për autonomi brenda Serbisë.

https://p.dw.com/p/Aqi9
UNMIK, Prishtinë
UNMIK, PrishtinëFotografi: DW

Pozicionet që kanë qeveria në Beograd dhe ajo në Prishtinë mbi çështjen e statusit nuk mund të jenë më papajtueshme se kaq: Nga njëra anë Vojislav Koshtunica ngul këmbë që krahina të mbetet në kufijtë e Serbisë. Nga ana tjetër politikanët drejtues të Kosovës njëzëri duan shkëputjen nga Beogradi, që e konsiderojnë si zgjidhje të të gjitha problemeve dhe nuk pranojnë asnjëherë as një rrugë tjetër.

Sigurisht është legjitime që të hyhet në bisedime me kërkesa maksimale. Dhe sigurisht të dyja perspektivat - sado të pakompromis - janë të kuptueshme: si kujtimet traumatike të shqiptarëve nga vitet 1980 e kryesisht ngjarjet e viteve 1990 ashtu edhe frika e shqetësimet e pakicës serbe sot. Vetëm se duket, që politikanët e të dyja palëve i kanë ngurtësuar aq shumë pozicionet e tyre, sa që çdo kompromis lidhur me çështjen e statusit do të damkosej si dështim prej qytetarëve të tyre.

E nuk ka dyshim që në fund të bisedimeve për Kosovën si do që të jetë do të dalë një kompromis. Siç duket tani për tani, sërish do të kemi të bëjmë me një plan kohor afatesh dhe kushtesh, një plan kohor që do të zgjasë me vite e në rastin më të keq qëllimin - autonomi ose pavarësi - do ta veshin me klauzola.

Por në një pikë janë të gjithë të një mendimi: bilanci i gjashtë viteve të shkuara është i kthjellët. Kosova ndonëse nën administratën e OKB-së ka bërë hapat e parë në drejtim të një shteti demokratik, ajo ka probleme. Duke filluar nga situata delikate e sigurisë, për të vazhduar tek korrupsioni që po gëlon dhe deri tek papunësia tronditëse, këto mbeten ende problemet reale.

Politikanët shqiptarë, në vend që ta marrin vetë mbi vete përgjegjësinë, fajin për gjithçka që nuk funksionon preferojnë t´ia kalojnë administratës ndërkombëtare. Ndërsa shumë serbë preferojnë më mirë direktivat nga Beogradi se sa të veprojnë me përgjegjësinë e tyre, siç ndodhi edhe me bojkotimin e pakuptimtë të zgjedhjeve një vit më parë.

Të gjitha palët negociuese duhet ta kenë të qartë, një zgjidhje që çimenton status quo-në, në thelb nuk është zgjidhje. Një Kosovë e qëndrueshme në të ardhmen nuk mund të krijohet duke kultivuar mitet ekzistuese si: "djepi i Serbisë" - apo miti i sapokrijuar, se pavarësia është "ilaçi shpëtimtar" i të gjitha problemeve.

Në vend të këtyre kërkohet pragmatizëm: një gjë është e qartë: Të gjitha rrugët të çojnë tek autonomia. Por një autonomi e Kosovës brenda Serbisë nuk mund të qëndrojë, nëse qeveria në Beograd nuk heq dorë prej kursit aktual nacionalist. Nga ana tjetër pavarësi të plotë mund të ketë vetëm për një shtet që respekton demokracinë dhe të drejtat e njeriut dhe që dëshiron të jetë atdheu i të gjithë qytetarëve, kjo do të thotë: që të mbrojë edhe pakicat e veta. Madje edhe një Kosovë e pavarur duhet të ruajë marrëdhënie të mira fqinjësore me Serbinë. Tek e fundit një recetë të vërtetë për zgjidhjen nuk ka. Por zgjidhja është e mundur vetëm nëse të dyja palët duan të angazhohen për zgjidhjen e problemeve dhe nuk do të vazhdojnë të kapen pas miteve.