1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nis sesioni i 43 i Këshillit për të Drejtat e Njeriut

Aida Cama
25 Shkurt 2020

Në Gjenevë nisi të hënën sesioni i 43-të i Këshillit për të Drejtat e Njeriut. Kryesuesit e OKB bënë thirrje për të vepruar për të mbrojtur të drejtat e njeriut që ndodhen në rrezik.

https://p.dw.com/p/3YMDp
43. UN-Menschenrechtsrat | Antonio Guterres
Fotografi: picture-alliance/KEYSTONE/S. Di Nolfi

Sekretari i përgjithshëm i OKB, Antonio Guterres bëri thirrje të hënën më 24 shkurt, për të vepruar në mbrojtje të të drejtave të njeriut, të cilat janë duke bërë mbrapaktheu kudo në botë. Duke folur në hapje të sesionit të 43 të Këshillit të të Drejtave të Njeriut në Gjenevë, Guterres përmendi shtatë sfera ku duhen shtuar përpjekjet. Ato janë të drejtat për zhvillimin e qëndrueshëm, të drejtat në kohë krizash, për barazinë gjinore dhe të drejtat e grave, pjesëmarrjen publike dhe hapësirën qytetare (civic space), të drejtat e brezave të ardhshëm përfshirë mbrojtjen e klimës, ngritjen e mekanizmave kolektivë dhe krijimin e hapësirave të reja për të drejtat e njeriut.

Sesioni i 43-të i Këshillit për të Drejtat e Njeriut zgjat deri më 20 mars. Në segmentin e nivelit të lartë që zgjat deri më 26 mars do të marrin fjalën 103 folës. Këtë vit do të zhvillohen tre sesione të rregullta. Ai i 44-ti mbahet nga 15 qershor deri më 3 korrik. Kurse i 45-ti nga 14 shtatori deri më 2 tetor. Këshilli për të drejtat e njeriut është një organ ndërqeveritar brenda sistemit të Kombeve të Bashkuara, ku bëjnë pjesë 47 vende që merren me promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në botë. Gjermania është aktualisht një nga këto 47 vende. Anëtarësia e Gjermanisë në Këshillin për të drejtat e njeriut filloi më 1 janar 2020 dhe do të zgjasë deri në fund të 2022.

43. UN-Menschenrechtsrat | Deutscher Bundesaussenminister Heiko Maas
MInistri i Jashtëm gjerman Hieko Maas duke folur në hapje të sesionit të 43 të Këshillit për të drejtat e njeriut në GjenevëFotografi: Imago Images/photothek/F. Zahn

Gjermania: Të drejtat e njeriut edhe në Këshillin e Sigurimit

Më fjalën e tij, Ministri i jashtëm gjerman Heiko Maas, i referohet themeluesve të OKB, të cilët i vunë të drejtat e njeriut në themel të rendit të ri botëror multilateral që filloi të ngrihej 75vjet më parë. “Deri më sot paqja dhe të drejta e njeriut kanë qenë dy anët e të njëjtës medalje,” tha ministri gjerman. Gjermania dëshiron që t’i fusë të drejtat e njeriut edhe në axhendën e Këshillit të Sigurimit në Nju Jork, anëtare e të cilës ajo do të jetë edhe për një vit tjetër. Kjo është e rëndësishme, sepse anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit, SHBA, Rusia, Kina, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca kanë ide të ndryshme për të drejtat e njeriut. Për shembull ka vende që kërkojnë më shumë të drejta kolektive. Po ashtu ekzistojnë ide për “mbrojtjen e normave kulturore”, ose “vlerave tradicionale”, apo pretendime që thonë, se zhvillimi ka përparësi më shumë se sa të drejtat e njeriut.

Gjermania është për vendosjen para përgjegjësisë të ndezësve të konflikteve, për të cilën është e domosdoshme Gjykata Ndërkombëtare, për dënimin për shembull të krimeve në Siri, Myanmar, Sudanin Jugor. Ministri Maas njoftoi ndihmën me 6 milionë euro për zyrën e Komisares së Lartë për të drejtat e njeriut, për këtë vit.

43. UN-Menschenrechtsrat | Michelle Bachelet
Michelle Bachelet, Komisarja e Lartë për të drejtat e njeriutFotografi: picture-alliance/KEYSTONE/S. Di Nolfi

Kjo i vjen për shtat Michele Bachelet e cila thotë në fjalën e saj se: „Rreziqet ndaj të drejtave të njeriut, zhvillimit dhe paqes mund të jenë duke u shtuar, por edhe zgjidhjet praktike që bazohen tek normat e shëndosha të të drejtave të njeriut janë duke u shtuar”.

Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të OKB, Tijjani Muhammad Bande, thotë se nuk ka asgjë më urgjente se sa synimi që të gjitha qëniet njerëzore të jetojnë në dinjitet, pavarësisht besimit, gjinisë, gjendjes ekonomike apo ndonjë statusi tjetër. “Për të arritur këtë është shumë e rëndësishme puna e Kombeve të Bashkuara”. Presidenti shpjegon prioritetet e tij duke i kërkuar të gjitha vendeve që të kenë kujdes për të drejtat e njeriut sidomos të drejtat e fëmijëve, edukimin, barazinë gjinore të drejtat e refugjatëve.

43. UN-Menschenrechtsrat | Tijjani Muhammad-Bande
Tijjani Muhammad-Bande, President i Asamblesë së PërgjithshmeFotografi: picture-alliance/KEYSTONE/S. Di Nolfi