1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Palët në parim bien dakord për zbatimin e Marrëveshjes

Marina Maksimoviq/Bahri Cani23 Maj 2013

Beogradi dhe Prishtina kanë arritur në parim një marrëveshje për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit të 19 prillit. Marrëveshja duhet të aprovohet deri në fund të javës prej qeverive të Kosovës dhe Serbisë.

https://p.dw.com/p/18cRG
Chaterine Ashton mes kryeministrave Daçic dhe ThaçiFotografi: European External Action Service

Pasi në Marrëveshjen e 19 prillit nuk parashikoheshin edhe detajet dhe afatet kohore për zbatimin e dokumentit të nënshkruar për rregullimin e pozitës së bashkësisë etnike serbe në veri të Kosovës, kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq biseduan dy ditë në Bruksel dhe kanë rënë parimisht dakord për planin e zbatimit të saj në terren. Marrëveshja duhet të zbatohet deri në fund të vitit. Kryeministri i Kosovës Thaçi tha se "në marrëveshjen e nënshkruar në parim janë përcaktuar saktë orari dhe planet për zbatimin e marrëveshjes në gjashtë muajt e ardhshëm. Marrëveshja është plotësisht në përputhje me dokumentin që është nënshkruar në prill, por të dy qeveritë dhe shtetet kanë pasur nevojë për një angazhim më kreativ, për zbatimin e marrëveshjes". Pas përfundimit të takimeve tek baronesha Chaterine Ashton, Thaçi u shpreh i bindur se palët do të zbatojnë në tërësi dokumentin e nënshkruar.

Çfarë parashikon plani?

Plani për zbatimin e dokumentit të nënshkruar me 19 prill është i ndarë në disa pjesë. Pjesa e parë parashikon përshtatjen e ligjeve të Kosovës me Marrëveshjen e arritur dhe të nënshkruar me 19 prill. Më pas vjen pjesa që ka të bëjë me pozitën e bashkësisë etnike serbe në komunat e banuara me shumicë të këtij komuniteti dhe organet që duhen krijuar pas zgjedhjeve lokale. Ato duhet të mbahen sipas ligjeve të Kosovës.

“Është darkoduar krijimi i një ekipi udhëheqës i cili do të përbëhet nga përfaqësuesit e katër komunave të veriut të Kosovës. Ky ekip do të punojë në hartimin e statutit të bashkësisë, do të propozojë ushtruesit e detyrës së komandantëve rajonalë të policisë dhe do të koordinojë aktivitetet deri në krijimin e bashkësisë së komunave me shumicë serbe”, thuhet në dokument.

Një pjesë e marrëveshjes parashikon edhe hartimin e vlerësimeve se sa njerëz nga policia dhe organet juridike duhet të integrohen në organet e reja dhe përfundimin e këktij integrimi deri në fund të vitit. Policia duhet të jetë në në përputhje me përbërjen etnike të popullatës në këto komuna, ndërsa organet e drejtësisë do të përfshihen edhe në gjykatën e apelit, bëri të ditur kryeministri i Serbisë Ivica Daçiq.

Catherine Ashton EU Kommissarin
Shefja e dipolomacisë europiane, Catherine AshtonFotografi: Stanislav Filippov/AFP/Getty Images

"Qëllimi ynë është që askush në Kosovë të mos largohet nga puna dhe të sigurohet një sistem i drejtësisë dhe i sigurisë ku do të punojnë para së gjithash serbët, në përputhje me përbërjen e popullatës së atjeshme", pohon ai.

Beogradi pohon se "nuk bëhet fjalë", për ndërprerjen e financimit të serbëve të Kosovës, por bëhet fjalë për një financim më transparent.

A do të mjaftojë kjo për marrrjen e datës?

Shefja e diplomacisë evropiane Ashton thotë se përgjigjet përfundimtare të Prishtinës dhe Beogradit priten deri në fund të javës. Qeveritë e këtyre vendeve duhet të deklarohen nëse e pranojnë apo jo këtë dokument. Por të dy palët janë të mendimit se marrëveshja është shumë e rëndësishme dhe se ajo do të ndikojë në vendimin e krerëve të Bashkimit Evropian për Serbinë dhe Kosovën, në samitin që do të mbahet në qershor.

“Nuk bëhet fjalë vetëm për datën dhe samitin, por për fatin që palët duhet të dëshmojnë tërë seriozitetin dhe përkushtimin për zbatimin e marrëveshjes së arritur", mendon Ivica Daçiq. Por ende nuk dihet nëse marrëveshjet e deritanishme mjaftojnë që Serbisë t'i jepet data për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.