Të pish derisa të biesh përtokë | Gjermania | DW | 07.04.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Të pish derisa të biesh përtokë

Flatrate Party - kështu quhen mbrëmjet ku pi sa të duash dhe paguan vetëm një shumë fikse parash. Ato tashmë kanë hyrë në modë nëpër mbrëmjet e të rinjve në Gjermani e nuk janë pakësuar, megjithëse vdekja e një berlinezi 16 vjeçar mbas një mbidoze alkoolike tronditi gjithë vendin.

Diskotekë në Gjermani

Diskotekë në Gjermani

Politikanët dhe shoqatat në Gjermani po disktuojnë t'i ndalojnë këto mbrëmje, ndërsa Bashkimi Evropian prej kohësh ka vënë në plan që të ndalojë konsumin e alkoolit për të rinj nën 18 vjeç.

Georg Haiser, duke pirë në një bar të Këlnit. Ai është student dhe vjen me shqumë dëshirë në të ashtuquajturat Flatrate-Party: 'Është mrekulli. Atmosfera është e shkëlqyer, ne jemi dhjetë shokë dhe është kënaqësi e vërtetë",

Shkaku merret me mend: Për 13 Euro për gratë dhe 18 Euro për burrat vizitorët e klubeve mund të pinë nga ora dhjetë e mbrëmjes deri në orën tre të mëngjesit çka të duan dhe sa të duan. Në ofertë janë birra, prosecco, kombinime të ndryshme me vodka, rum, xhin, a uiski, dhe coctaile, përveç Red Bull, që kushton enkas. Kristina Dahlem është 20 vjeçare dhe studente e mjekësisë. Asaj nuk i pëlqen fort ambjenti, por është joshur nga çmimi: "Padyshim që është mirë kur nuk shpenzon më shumë se në një bar të zakonshëm, ku një koktejl kushton tetë Euro. Këtu gjithçka është më lirë."

Vdekja tragjike e një 16 vjeçari që mbas një mbidoze alkoolike në një mbrëmjet të tillë në shkurt në Berlin kishte rënë në koma, i ka alarmuar politikanët dhe shoqatat. Nga njëra anë po disktuohet që të ndalohet përdorimi i alkoolit nga moshat nën 18 vjeçare, në anën tjetër po flitet që të ndalohen mbrëmjet, ku sasi të pafundme alkooli mund të konsumohen kundrejt një çmimi fiks. Qeveria federale dhe senati i Berlinit janë skeptikë ndaj ndalesave të tilla, në të kundërt, Shoqata e Hotelierëve dhe Baristëve Gjermanë (DEHOGA) janë shprehur për ndalimin e këtyre ofertave. Në Zyrën për të Rinjtë në Këln këto zhvillime shikohen me shqetësim: "Unë jam për ndalimin e këtyre ofertave. Madje, ekziston një ligj për lokalet që e ndalon përdorimin e tepruar të alkoolit", thotë Mari Luize Kviling (Marie Luise Quilling), zëvendësdrejtore e Zyrës së të Rinjve në Këln. Sipas studimeve më të fundit rezulton se nga njëra anë ka rënë konsumi i alkoolit nga të rinjtë, por ekspertët janë të shqetësuar për një tendencë të re: "Tendenca është që të rinjtë fillojnë pijen shumë herët. Për shembull, për festat e maturës dihet që të rinjtë aty pinë derisa të rrëzohen përtokë. Kjo është diçka e re, dhe ne mendojmë se duhet të bëjmë më shumë për të nxitur formimin e vetëdijes në këtë drejtim", sqaron Kviling.

Deri tani të rinjtë mbi 16 vjeçarë lejohen të konsumojnë në vende publike vetëm birrë, verë ose verë të gazuar. Ministri për mbrojtjen e konsumatorit, Horst Seehofer, është kundër ndalimit të konsumit të alkoolit për të rinjtë nën 18 vjeçarë. Të rinjtë duhet të mësojnë se si t'i përdorin me masë pijet alkoolike, thotë ai. E ngarkuara e qeverisë për luftën kundër narkomanisë, Sabine Becing (Sabine Bätzing) është gjithashtu kundër ndalimit të prerë të alkoolit, por për respektimin e ligjeve për mbrojtjen e të rinjve. Mari Luize Kviling është për më shumë përgjegjësi të hotelierëve. Edhe Georg Haiser, i cili në parim i mbështet të ashtuquajturat Flatrate-Partys thotë se problemi qendron në mungesën e kontrollit: "Duhet parë me vëmendje se ç'njerëz hyjnë në këto klube. Kam parë shumë shpesh se aty hyjnë edhe njerëz me pasaporta të falsifikuara, ndërkohë që çdokush mund ta shohë që ata janë 16 ose 15 vjeçarë."

Se në cilin drejtim do të ndryshojnë ligjet, se a do të ndalohet përdorimi i alkoolit për moshat nën 18 vjeçare, apo do të ndalohet koncepti: pini ç'të doni, çmimi është i njëjtë, një gjë dihet: Një vetëdije më kritike për konsumin e alkoolit edhe tek të rriturit, nuk do të ishte keq. Për të rinjtë do të ishte mirë ta mësonin se ku mbaron masa, e ku fillon varësia.

  • Data 07.04.2007
  • Autor Ulrike Hummel
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqwu
  • Data 07.04.2007
  • Autor Ulrike Hummel
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqwu