Të vrarë pas të shtënave në Florida
6 Janar 2017Siç bëri të ditur policia lokale, nga të shtënat u vranë pesë vetë dhe u plagosën tetë të tjerë. Personi që hapi zjarr, sipas të dhënave, është një burrë 26 vjeçar. Kryetarja e bashkisë e qarkut, Barbara Sharief i tha CNN se për aktin ishte përgjegjës një doras i vetëm. Por hetimet po vazhdojnë. Policia kërkon bashkëpunëtorë të tij.
Autoritetet thanë se atentatori kishte me vete një dokument identifikimi të forcave të armatosura. Por nëse dokumenti ishte i tij, kjo ende nuk dihet. Sfondi i ngjarjes për momentin është i paqartë. Një dëshmitar i tha televizionit NBC: "Ai hapi zjarr pa dallim rreth vetes." Sulmi ndodhi në vendin e dorëzimit të bagazhit në Terminalin 2.
Njëri ndër të parët që raportoi për situatën ishte ish-zëdhënësi i qeverisë të Presidentit George W. Bush, Ari Fleischer. Ai ndodhej në momentin e incidentit në aeroport dhe shkroi në twitter. "U dëgjuan të shtëna. Të gjithë po largohen me vrap", shkroi ai. Gjithçka tani është sërish më e qetë, por policia nuk lë të largohet askënd nga aeroporti, të paktën jo prej vendit ku ndodhet ai, shkroi më tej Fleischer.
Aeroporti Fort Lauderdale është stacion i ndërmjetëm i shumë turistëve, të cilët duan të udhëtojnë me anije në Karibik. Policia e ka bllokuar aeroportin. Policia dhe zjarrfikëset ndodhen në gatishmëri, ato japin çdo ndihmë të mundshme, bëri të ditur administrata e qytetit.
Fluturimet fillimisht u ndërprenë. Më vonë u rihap pjesa jugore e të dyja pistave të uljes për qarkullimin ajror. Çdo vit aeroportin Fort Lauderdale e përdorin rreth 25 milionë turistë.