Sulmohet gazetari i DW në Banja Lukë
Gjatë raportimit nga një tubim i aktivistëve të organizatës joqeveritare "Bh. parada e krenarisë” në Banja Lukë të Bosnjë-Hercegovinës, të shtunën, më 18 mars 2023, është sulmuar dhe lënduar nga huliganët edhe gazetari i Deutsche Welle-s, Ajdin Kamber. Lëndimet trupore kanë qenë të rënda dhe gazetari është dashur të shkojë për trajtim në spital.
Ky manifestim i organizatës joqeveritare në Banja Lukë mbahet prej dhjetë vitesh. Ndryshe nga tubimet e mëparshme, presidenti i Republikës Srpska Milorad Dodik kësaj radhe u deklarua kundër mbajtjes së tij dhe vuri në dukje se siguria e pjesëmarrësve të saj nuk mund të garantohet.
Paraditen e të shtunës, policia lokale ka ndaluar mbajtjen e aktivitetit në ambientet e OJQ-së "Bh. paradë krenarie”. Pasi organizata joqeveritare "Transparency International” (TI) u ofroi mbështetje, organizatorët vendosën të zhvendosen në ambientet e TI.
Ndonëse disa pjesëmarrës dhe gazetarë nuk ishin informuar me kohë për ndryshimin e vendit të mbajtjes së manifestimit, aty është paraqitur një grup prej rreth 30 banditësh me kapela në kokë dhe kanë sulmuar fizikisht pjesëmarrësit dhe gazetarët e pranishëm. Me këtë rast, korrespondenti i DW Ajdin Kamber, ka marrë një goditje me grusht në fytyrë dhe është goditur me shishe në kokë.
Ndonëse forcat e sigurisë ndodheshin në vendin e ngjarjes, policia nuk ka ndërhyrë për të mbrojtur pjesëmarrësit dhe gazetarët. Policia ka ndërhyrë vetëm pasi organizatorët i kanë njoftuar autoritetet policore për sulmet. Pas ndërhyrjes, banditët e dhunshëm janë larguar dhe kanë ikur.
Por mos ndërhyjra me kohë e policisë ka bërë që autorët të largohen pa u kapur, pavarësisht se janë sulmuar edhe gazetarë, ndër ta edhe reporteri i DW. Deutsche Welle e dënon ashpër këtë sulm dhe apelon tek shërbimet kompetente në Banja Lukë që të nisin hetimet e duhura për këtë incident dhe që sulmuesit e dhunshëm të nxirren para drejtësisë.