Sulmi ndaj Capitol Hill - 6 fletëthirrje për aleatët e Trump | Bota | DW | 12.11.2021
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Bota

Sulmi ndaj Capitol Hill - 6 fletëthirrje për aleatët e Trump

Ish-këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Michael Flynn dhe pesë bashkëpunëtorë të tjerë të ish-presidentit Donald Trump akuzohen për përkrahjen e dezinformatave rreth zgjedhjeve presidenciale të vitit të kaluar.

Një komitet i posaçëm në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së, i cili po heton sulmin ndaj Capitol Hill në 6 janarin e këtij viti, lëshoi pak ditë më parë gjashtë fletëthirrje të reja për aleatët e ish-presidentit Donald Trump. Gjatë sulmit, mbështetësit e Trump sulmuan policinë dhe Kongresin, në përpjekjen për të ndaluar numërimin e votave elektorale.

Çfarë dihet për fletëthirrjet?

Personat që janë thirrur në komision akuzohen për përkrahje të dezinformatave në lidhje me zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 në SHBA, duke përfshirë pretendimin e pabazuar, se votimi ishte manipuluar në favor të presidentit aktual Joe Biden dhe kundër Trump.

Mes bashkëpunëtorëve të Trump janë ish-këshilltari i Sigurisë Kombëtare Michael Flynn, menaxheri i fushatës së Trump në 2020-ën, Bill Stepien, ish-këshilltari i lartë Jason Miller, asistentja ekzekutive kombëtare e fushatës zgjedhore Angela Mçallum dhe avokati John Eastman. Edhe ndaj Bernard Kerik, një ish-komisar policie në Nju Jork, i cili dyshohet se pagoi dhoma hoteli që shërbenin si "qendra komanduese" përpara 6 janarit, u dërgua fletëthirrje.

Michael Flynn

Michael Flynn, Ish-këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së

Bashkëpunëtorëve të Trump u është kërkuar të dorëzojnë pasaportat dhe të jenë në gatishmëri për t'u paraqitur para komisionit që nga 30 nëntori. Gjatë muajit të shkuar, ish-presidenti bëri të ditur se do të padiste trupën që po heton sulmin e 6 janarit, me qëllim ndalimin e dorëzimit të pasaportave të aleatëve të tij dhe u kërkoi këtyre të fundit që të mos respektojnë fletëthirrjet.

Aleatët e Trump akuzohen për ndërhyrje në procesin zgjedhor

Kryetari i komitetit, demokrati Bennie Thompson, tha në një deklaratë për shtyp se besnikët e Trump jo vetëm që kishin përhapur dezinformata rreth zgjedhjeve, por edhe "planifikuan mënyra për të ndaluar numërimin e votave të Kolegjit Zgjedhor".

Kolegji Zgjedhor, i krijuar në bazë të Kushtetutës së SHBA-së, është përgjegjës për zgjedhjen e presidentit dhe zëvendëspresidentit. "Komiteti i Posaçëm duhet të dijë çdo detaj në lidhje me përpjekjet e tyre për të dëmtuar zgjedhjet, duke përfshirë me kë po flisnin në Shtëpinë e Bardhë dhe në Kongres, çfarë lidhjesh kishin me mitingjet që u përshkallëzuan deri në demonstrata dhe kush pagoi për të gjitha ato që ndodhën ” - tha Thompson.

Kur u formua Komiteti i 6 janarit?

Komiteti i posaçëm për të hetuar sulmin e 6 janarit në Capitol Hill u formua më 1 korrik. Ai përbëhet nga shtatë demokratë dhe dy republikanë. Seanca e parë u mbajt më 28 korrik, ku oficerët e policisë i treguan trupit gjykues përjetimin personal në mbrojtjen e Capitol gjatë demonstratave të dhunshme. Deri tani janë lëshuar 25 fletëthirrje dhe janë intervistuar mbi 150 dëshmitarë me dyer të mbyllura.

Një projekt-ligj për krijimin e një komisioni të ngjashëm dypartiak në Senat, u rrëzua në muajin maj nga udhëheqësi i pakicës republikane, Mitch Mconnell, i cili e quajti propozimin "të njëanshëm dhe të pabalancuar". Sulmi i 6 janarit të këtij viti regjistroi pesë viktima dhe mbi 100 policë të plagosur. Pak kohë më pas Trump u vu nën akuzë nga Dhoma e Përfaqësuesve për nxitje trazirash, por pas dy tentativave radhazi, u lirua nga akuzat në Senat.