Steinmeieri në Moskë - Një fillim i ri i marrëdhënieve? | Evropa | DW | 25.10.2017
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Evropa

Steinmeieri në Moskë - Një fillim i ri i marrëdhënieve?

Hera e fundit kur një President i Gjermanisë e vizitoi Moskën qe viti 2010. Tani në Moskë shkon Frank-Walter Steinmeier. Por nuk bëhet fjalë për një normalizim marrëdhëniesh.

Të mërkurën Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier shkon në Moskë. Me këtë ai vazhdon një traditë që u ndërpre nga parardhësi i tij. Të gjithë presidentët e Gjermanisë e konsideronin detyrim të tyre që të bënin një vizitë mirësjelljeje në Rusi. Përjashtim bëri Joachim Gauck, i cili ishte President prej viteve 2012 deri 2017. Gauck-u, një ish-aktivist i të drejtave të njeriut të RDGJ dhe prift protestant ndjente një antipati të madhe ndaj shefit të Kremlinit, Vladimir Putin, një ish-punonjës i KGB. Këtë Gauck-u nuk e fshihte. Të dy u takuan vetëm një herë. Kjo ndodhi në verë 2012, kur Putini ndaloi në Berlin në udhëtimin e tij për në Paris.

Përpjekjet e shërbimeve të protokollit të të dyja vendeve, që të organizonin një vizitë të Gauck-ut në Moskë qenë të vogla. Në Berlin flisnin për vështirësi për të gjetur një datë të lirë. Por qarkullonte edhe fjala se pas pritjes së ftohtë në Berlin, Putini nuk kishte ndonjë dëshirë të zjarrtë që të takohej me Gauck-un në Berlin.

Udhëtim në kontekst të konfliktit të Ukrainës

Frank-Walter Steinmeier ushqen ndjenja miqësore për Rusinë. Edhe më tepër, njerëz që e njohin mirë, thonë se ai bën pjesë te ata gjermanë, të cilët e trajtojnë herë pas here Rusinë me respekt të thellë dhe që kanë simpati të madhe për të. Nuk është rastësi që kur ishte ministër i Jashtëm, Steinmeieri udhëtonte çdo vit në Jekaterinenburg ku mbante leksione në universitetin e Uralit dhe gëzohej sinqerisht për bisedën me studentët.

Njëkohësisht, Steinmeieri ka qëndrim kritik ndaj Presidentit rus, Vladimir Putin. Ai nuk fsheh as zhgënjimin e tij për Sergej Lavrovin, me të cilin ka kaluar shumë orë diskutimi në negociatat në "formatin e Normandisë" në nivelin e ministrave të jashtëm dhe me të cilin u përpoq të gjente një zgjidhje politike për konfliktin në Ukrainën Lindore.

Në kontekstin e këtij konflikti duhet parë edhe vizita e tij e tanishme në Moskë. Zyra presidenciale thekson edhe shprehimisht se nuk bëhet fjalë për një vizitë shtetërore, por për një vizitë pune. Në përputhje me këtë është konceptuar edhe programi.

Pas vendosjes së një kurore në varrin monumental të Ushtarit të Panjohur, Steinmeier do të takohet me përfaqësues të organizatës ruse të të drejtave të njeriut "Memorial". Pastaj ai do të takohet në rezidencën e ambasadorit gjerman me Michail Gorbaçovin.

Qëndrimin e tij shumë kritik ndaj mënyrës së veprimit të Rusisë në Krime dhe në Lindje të Ukrainës Presidenti gjerman nuk e ka braktisur. Nuk është rastësi që më parë ai udhëtoi në Shtetet Baltike, ku e quajti sërish në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare aneksimin e gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia. Veç kësaj ai u premtoi Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë mbështetje gjermane në garantimin e sigurisë nacionale dhe në bashkëpunimin në NATO.