081011 Fußball EM-Qualifikation
8 Tetor 2011Skuadra gjermane ka vazhduar edhe në Stamboll stafetën e sukseseve për ndeshjet kualifikuese në Kampionatin Evropian. Gjermania fitoi kundër Turqisë me rezultatin 3:1 duke shënuar kështu fitoren e nëntë radhazi në nëntë ndeshje kualifikimi. Për gjermanët i shënoi golat, Mario Gomez në minutën e 35-të, Thomas Müller në minutën e 66-të, dhe Bastian Schweinsteiger në 11-metërsh në minutën e 86-të. Kontribut të rëndësishëm në suksesin e trajnerit gjerman, Joachim Lëw ka luajtur edhe portieri i ri gjerman, Manuel Neuer, i cili bëri pritje të shkëlqyera, por në minutën e 79-të ai nuk kishte shanse ndaj Hakan Baltës duke e pësuar kështu një gol.
Në formë të shkëlqyer - gjermanët kanë një qëllim
Pas ndeshjes Neuer u shpreh "Kjo është shumë e rëndësishme. Nga çdo lojë merr diçka pozitive me vete. Ne e vendosëm këtë që më parë - dhjetë ndeshje - dhjetë fitore. Tani jemi para ndeshjes me Belgjikën dhe duam të plotësojmë qëllimin tonë."
Skuadra gjermane mjaft e përgatitur nuk la të ndikohej aspak nga të 50.000 spekatorët turq, tifozë që kishin mbushur stadiumin e Stambollit dhe fërshëllenin pa pushim. Në momentet e duhura ajo goditi me gjakftohtësi.
Filozofia e Löw
Sulmuesi Mario Gomez: "Kjo është edhe filozofia e trajnerit, por edhe skuadrës. Po qe se e fitojmë topin nga fundi dhe kundërshtari është në defensivë, atëherë duhet të godasim. Dhe mendoj se këtë e kemi realizuar shumë mirë."
Ndërsa turqit pas humbjes me kryesuesen e grupit, Gjermaninë, tanimë duhet të dridhen për vendin e dytë në Grupin A. Sepse aktualisht aty qëndon Belgjika, e cila ndeshjen kundër Kazakistanit arriti ta fitojë me rezultatin 4:1 në stadiumin e vet.
Autor: Calle Kops/Lindita Arapi
Redaktoi: Angjelina Verbica