1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

SPD pro bisedimeve me CDU/CSU

5 Dhjetor 2017

Kryesia e SPD-së dëshiron të bisedojë javën e ardhshme me CDU/CSU-në për një koalicion të mundshëm. Por vendimin për këtë duhet ta marrë Kongresi i SPD-së.

https://p.dw.com/p/2olBi
Berlin Statement Martin Schulz zu möglichen Koalitionsverhandlungen (picture-alliance/AP Photo/M. Schreiber)
Fotografi: picture alliance/AP Photo

Kryetari i socialdemokratëve Martin Schulz deklaroi se partia e tij do të hyjë në bisedime me CDU/CSU për të krijuar një qeveri të mundshme. Por se socialdemokratët nuk duan të vihen nën presion prej CDU dhe CSU-së pas dështimit të bisedimeve disajavëshe për koalicion që zhvilluan ata me liberalët dhe të gjelbrit.

Martin Schulz tha se SPD-ja do të vendosë në kongresin e saj nëse do të jetë apo jo përsëri e gatshme për një koalicion të madh. Socialdemokratët do të diskutojnë aty jo vetëm për mundësinë e një koalicioni të madh me CDU/CSU-në, por dhe për tolerimin e një qeverie pakice ose për konstelacione të tjera.

Statement SPD-Vorsitzender Schulz
Fotografi: picture-alliance/dpa/K. Nietfeld

Schulz tha se në kongres do të diskutohet për të gjitha mundësitë, sepse pas rezulatatit të dobët në zgjedhje SPD-ja donte të kalonte në opozitë. Por pas dështimit të bisedimeve për koalicion mes CDU/SCU, liberalëve dhe të gjelbërve është krijuar një situatë e re.

Kërkesat e SPD-së

Socialdemokratët duan që të arrijnë maksimumin e kërkesave të programit të tyre elektoral, ndër të tjera sigurim shëndetësor bazë për të gjithë, bashkimin familjar për arsye humanitare në rastin e refugjatëve, synime ambicioze për mbrojtjen e klimës apo të drejtën e garantuar me ligj për të punuar me kohë të pjesëshme (part time) dhe për të kaluar sërish në kohë të plotë.

Kongresi vendos

Pas rezulatatit të dobët në zgjedhje SPD-ja donte të kalonte në opozitë. Por pas dështimit të bisedimeve për koalicion mes CDU/SCU, liberalëve dhe të gjelbërve Schulzi dhe drejtues të tjerë të kësaj partie thanë se është krijuar një situatë e re dhe filluan të kalojnë nga jo-ja strikte në idenë e rikrijimi të një koalcioni të ri të madh. Gjithësesi fjalën e fundit do ta ketë kongresi i SPD-së që zhvillohet nga data 7-9 dhjetor në Berlin.