1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sinqeriteti - Program kontrastues

Christiane Hoffmann11 Tetor 2006

Në Dresden paralelisht me konsultimet gjermano-ruse në kuadër të Dialogut të Petërburgut u themelua parlamenti i parë rinor gjermano-rus

https://p.dw.com/p/Ar9y
Qyteti i Dresdenit
Qyteti i DresdenitFotografi: AP

Dy ditë me rradhë 52 të rinj u mblodhën në parlamentin e Saksonisë në Dresden. Në fund ata prezantuan rezultatet e parlamentit të parë rinor gjermano-rus përpara kancelarës gjermane Angela Merkel dhe presidentit rus Vladimir Putin. Të dy deklaruan se duan të mbështesin shkëmbimin mes të rinjve nga të dy vendet. Për këtë qëllim pak kohë më parë është themeluar dhe fondacioni gjermano-rus për shkëmbimin mes të rinjve.

Të rinjtë kanë hartuar një program të angazhuar projektesh për të ardhmen. Ndër të tjera në të mund të gjesh p.sh. projektin për një rrjet informacionesh për të rinjtë dhe studentët nga të dy vendet, atë për një klub mediesh gjermano-rus për të rinjtë dhe projektin për ngritjen e qëndrave rajonale për takime mes të rinjve nga të dy vendet.

Ashtu si në Dialogun e Petërburgut u diskutua me zjarr mbi lirinë e medieve dhe të shtypit, tregon 21 vjeçari Rainer Schmidt i angazhuar në projekte rinore për Shoqatën Gjermane për Ndihmë Teknike: "Gjatë gjithë ditës patëm mundësinë të diskutonim mbi një larmi temash. Unë vetë mora pjesë në grupin për lirinë e shtypit dhe të mendimit. Ne u përpoqëm të diskutojmë se si mund të vihet në emërues të përbashkët situata në të dy vendet dhe ku gjenden problemet. U krijuan edhe situata ku mendimet përplaseshin të cilat u pasuan nga diskutime për kapërcimin e divergjencave."

Synimi i këtij parlamenti rinor është të sjellë më pranë nxënësve dhe studentëve proceset demokratike por edhe kulturën e tjetrit. Demokraci në miniaturë, shprehet koordinatori Hans Friedrich von Ploetz, i cili më parë ka qenë ambasador i Gjermanisë në Moskë: "Ideja mbi të cilën ngrihet ky projekt është shumë e thjeshtë. Kur të rinjtë jo vetëm takohen por edhe këshillohen me njëri-tjetrin për çështje që ata i konsiderojnë të rëndësishme kemi gjetur një formë shumë produktive për krijimin e besimit dhe miqësisë: nëse edukata qytetare dhe marrja e përgjegjësive politike nuk edukohen qysh në rini më vonë është shumë e vështirë. Diçka që nuk mësohet në fëmijëri nuk mësohet më kurrë."

Fondacioni gjermano-rus për shkëmbimin mes të rinjve i vë shumë rëndësi krijimit të një atmosfere ku diskutimi të zhvillohet me sinqeritet: open space quhet kjo procedurë. Çdo pjesëmarrës pati mundësi të propozonte pa kufizim tema të cilat më pas u diskutuan dhe kur ishte e mundur u transformuan në projekte: "Kjo çiltërsi që ne ofrojmë është një program kontrast ndaj asaj që bëhet apo mendohet gjetkë. Kjo është një eksperiencë shumë e rëndësishme, pra zgjedhja nga vetë të rinjtë e pikërëndësave të këshillimeve të tilla. Iniciativa dhe përgjegjësia personale janë aspektet më të rëndësishme dhe të rinjtë në Rusi janë në këtë drejtim po aq të paanshmën sa dhe ata në Gjermani", thotë von Ploetz.

Në rradhët e pjesëmarrësve bëjnë pjesë të rinj të cilët para së gjithash duan të njihem me kulturën tjetër, si përhembull 15 vjeçarja Maria, por edhe më të rritur si studentja 20 vjeçare Jevgenija e cila punon edhe për UNESCO-n në Rusi.

"Në rradhë të parë është një mundësi e mirë për të vënë në provë njohuritë mbi gjuhën ruse që kam marrë në shkollë. Çfarë shpresoj? Po ja, shumë duan të diskutojnë mbi probleme dhe më pas t'i zgjidhin ato menjëherë. Për mua është e rëndësishme që të njihemi me njëri-tjetrin dhe të mësojmë nga rusët se si janë gjërat tek ta. Kur bisedon me të rinj mëson shumë nga jeta e tyre dhe kjo për mua është më interesantja" - e përshkruan eksperiencën e saj nxënësja gjermane Maria.

Ndërsa studentja nga Moska, Jevgenija, mendon: "Në rradhë të parë për ne të rinjtë është kjo një mundësi për të shprehur mendimin tonë, çfarë mendojmë, çfarë duam. Ky është një shans real për të mos bërë vetëm atë që të rinjve u thuhet por për të gjetur rrugë të reja për temat që u interesojnë".

Ashtu si në dialogun e Petërburgut është planifikuar që parlamenti i nxënësve dhe të rinjve të mblidhet një herë në vit. Organizatorët lidhin me këtë shpresën që kontaktet të zgjerohen kështu edhe në plane të tjera dhe ndoshta në të ardhmen të ngrihen parlamente mes qyteteve dhe rajoneve të veçanta.

Për këtë arsye krahas shoqatava rinore janë përfshirë edhe shkolla saksone të cilat kanë projekte partneriteti me shkolla ruse. Për koordinatorin rus të shkëmbimit, Andrej Netschajew edhe hapat e vegjël drejt komunikimit kanë shumë vlerë: "Mendoj se më e rëndësishmja është ngritja e kontakteve personale. Në fund ndoshta do të jenë krijuar miqësi personale. Atëherë synimi ynë do të jetë përmbushur e tejkaluar", thotë koordinatori rus Netschajew.