1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shrëder po luan poker aventuresk

PP23 Shtator 2005

Shtypi i sotëm përqëndrohet në bisedimet dhe sondazhet që po zhvillohen në partitë gjermane për krijimin e koalicioneve të mundshme. Shtypi nuk kursehen notat kritike ndaj kancelarit Gerhard Shrëder.

https://p.dw.com/p/Artg
Tagesspiegel botohet në Berlin
Tagesspiegel botohet në BerlinFotografi: AP

Citojmë fillimisht nga gazeta "Ost-Thüringer Zeitung" që botohet në Gera. Bisedimet mes CDU-së dhe CSU-së me socialdemokratët do të jenë torturuese dhe tepër të komplikuara,k sepse që në fillim secila parti do të hedhë për diskutim çështjen se kush do të drejtojë. Duket se në fund të dyja partitë më të mëdha të vendit do të detyrohen ose t`i tërheqin kandidatët e tyre për postin e kancelarit ose të ulen me rradhë në karrigen e kancelarit. Kjo duket e çuditshme por Kryetari i Parlamentit ka të drejtë kur thotë, se sovrani popull kërkon prej partive mënyrë të re të menduari. Për kandidaten për kancelare të demokristianëve, Angela Merkel, aleanca me liberalët dhe ekologjistët është si të thuash një pulë mot, sepse ajo spekullon se "vezën sot", pra aleancën me socialdemokratët, e ka në dorë. Problemi i ekologjistëve është se demokristianët nuk i ofrojnë asnjë perspektivë dhe shohin tek ata vetëm një element taktik, për t`i bërë socialdemokratët të vijnë vërdallë.


Megjithë deklaratat e ekologjistëve se nuk dëshirojnë të hyjnë në koalicion me demokristianët, duke analizuar deklaratat e Ministrit të Jashtëm Fisher, gazeta Frankfurter Allgemeine Zeitung shkruan:
Po t`i analizosh seriozisht fjalët e Fisherit, prej tyre nuk mund të thuash se ai ka vërtet qejf që partia e tij të dalë në opozitë dhe ai vetë në pension. Fisheri e ka drejtuar partinë e tij shpesh drejt brigjeve të reja, e pse jo në të tilla si koalicioni me demokristianët dhe liberalët. Edhe projekti mes ekologjistëve dhe socialdemokratëve dikur ishte një ëndërr tepër e largët. E qartë, koha për krijimin e një konstelacioni me demokristianët dhe liberalët është tepër e shkurtër dhe do të kërkonte prej të gjithëve jo vetëm një spontanitet të jashtëzakonshëm por madje edhe që ta bëjnë faqen shollë dhe kjo pas gjithë asaj fushatë elektorale aq luftarake. Në rradhët e demokristianëve dhe liberalëve që tani po duket dëshira, që duke u lidhur me ekologjistët ta bëjnë Shrëderin të plasë si ballon i stërfryrë. Ndërsa në rradhët e popullit po shtohet simpatia për një ide tringjyrëshe, e cila vërtet mund të premtojë diçka të re.

Citojmë nga gazeta Tagesspiegel në lidhje me raportin mes Shrëderit dhe partisë së tij:
Socialdemokratët po zgjohen dalëngadalë. Pas zgjedhjeve ata ishin si në gjendje transe ndërsa tani vështrimet po bëhen më të kthjellta. Në çfarë pokeri aventuresk po i çon Shrëderi? Çfarë po i bën ai partisë? Qarkullojnë thashetheme që thonë se përmes një marifeti procedural mund të arrihet që grupi parlamentar demokristian, i përbërë nga CDU dhe CSU, të ndahet. Fillimisht, përhapet thashethemi, pastaj del dikush që e vërtet, pastaj një tjetër që e hedh poshtë. Të gjitha këto bëhen për t`i demostruar kundërshtarit arsenalin e armëve. Shikoni, shikoni! Ne jemi në gjendje ta bëjmë dhe ndryshe. Por ai që kërcënon të hedhë në përdorim shkelje të pretenduara të rregullave dëmton kulturën politike në vend. Edhe pse kalkulimet mund të jenë në favor të një ideje të tillë, papritur një person ngrihet ndaj rregullave tradicionale sepse i ka hipur vetja në qejf. Gjermania mund t`ja dalë edhe kësaj here, por kush do ta shpëtojë Partinë Socialdemokrate?

Në fund po marrim disa rreshta nga gazeta Handelsblatt që botohet në Dyseldorf në lidhje me bisedimet mes Partisë Demokristiane dhe asaj Socialdemokrate për krijimin e një të ashtuquajturi koalicion i madh.

Me fillimin e bisedimeve të para mes demokristianëve dhe socialdemokratëve, në jetën politike të Berlinit u rikthye arsyeja dhe realizmi. Nuk pati sulme personale, anëtarët e të dy palëve u përpoqën të ishin sa më të saktë dhe sa më profesionistë, pa bërë premtime duke përdorur në fjali deri në masën e duhur lidhësen "në qoftë se", por gjithsesi duke vendosur edhe datat për takimet e ardhshme. Sigurisht që politikanëve, që zhvillojnë këto bisedime u duhen të marrin parasysh edhe emocionet brenda rradhëve të anëtarëve të tyre, dhe anëtarët e thjeshtë të partisë kanë nevojë për pak më tepër kohë që të ftohen nga fushata e ndezur elektorale, se sa politikanët profesionistë që merren me pokerin e politikës.