1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëri: Ndahet nga jeta ish-kryeministri Fatos Nano

31 Tetor 2025

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano, një nga figurat kyçe të politikës shqiptare në fillim të viteve 90, u nda nga jeta pasditen e së premtes në moshën 73-vjeçare, pas komplikacioneve kardiake.

https://p.dw.com/p/52v62
Një qiri i ndezur
Fatos Nano - Ndërtues i politikave të hapura ndaj Perëndimit Fotografi: Colourbox

I vlerësuar si një nga figurat më me ndikim të tranzicionit politik shqiptar, Fatos Nano e drejtoi vendin tri herë dhe udhëhoqi për më shumë se një dekadë Partinë Socialiste. Lajmi për vdekjen e tij u pasua nga reagime të shumta dhe mesazhe ngushëllimi nga përfaqësues të lartë të shtetit.

Sfidat e rrugëtimit politik

I lindur më 16 shtator 1952 në Tiranë, Fatos Nano u bë një nga figurat kyçe të politikës shqiptare në fillim të viteve '90, në një periudhë kur vendi po kalonte nga sistemi njëpartiak në pluralizëm politik. Karriera e tij politike nisi në dhjetor të vitit 1990, kur u emërua për herë të parë Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, më pas si zëvendëskryeministër dhe brenda pak muajsh kryeministër i qeverisë së parë të paskomunizmit.

Ishte një periudhë e brishtë politike dhe ekonomike, kur vendi po përpiqej të përshtatej me realitetin e ri të demokracisë. Në të njëjtin vit, Nano mori nismën për të transformuar Partinë e Punës në Partinë Socialiste të Shqipërisë, duke vendosur bazat e së majtës moderne.

Ai e drejtoi këtë forcë për më shumë se 14 vjet dhe shërbeu tri herë si kryeministër: në vitin 1991, gjatë viteve 1997–1998 dhe 2002–2005.

Mbyllja e një kapitulli të rëndësishëm të tranzicionit shqiptar

Në vitin 1993, Nano u arrestua me akuza që ai dhe mbështetësit e tij i cilësuan të motivuara politikisht. Ai qëndroi afro katër vjet në burg, duke vazhduar të drejtonte Partinë Socialiste nga qelia.

Pas krizës së vitit 1997, vetëm tre muaj pas lirimit të tij, socialistët rimorën drejtimin e qeverisë dhe Nano u rikthye në postin e kryeministrit. Fatos Nano u dallua për stilin kritik dhe shpesh ironik në komunikim, si dhe për përpjekjet për t'i dhënë së majtës shqiptare një profil më modern dhe liberal. Pas humbjes në zgjedhjet e vitit 2005, ai u tërhoq nga drejtimi i partisë dhe nga politika aktive, duke mbyllur një kapitull të rëndësishëm të tranzicionit shqiptar.

Ndarja nga jeta e ish-kryeministrit Fatos Nano u pasua nga reagime të shumta nga përfaqësues të lartë të shtetit dhe të politikës shqiptare.

Ndërtues i politikave të hapura ndaj Perëndimit

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, në një mesazh ngushëllimi, e vlerësoi Nanon si "lider liberal dhe reformator”, që luajti një rol të rëndësishëm në tranzicionin e vendit dhe në ndërtimin e politikave të hapura ndaj Perëndimit. "Fatos Nano do të mbahet mend si lideri i tranzicionit të viteve '90 dhe 2000”, shkroi Begaj.

Kryeministri Edi Rama reagoi me një postim të shkurtër në rrjetet sociale, duke publikuar një fotografi të Nanos dhe mbishkrimin "Lamtumirë, Kryetar”.

Ndërsa kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, e cilësoi Nanon si "arkitektin e transformimit historik të së majtës shqiptare” dhe "politikanin që solli frymën e vërtetë europiane në politikën shqiptare”. Në reagimin e tij, ai theksoi se Nano "kishte guximin të thyente dogmat dhe të ndërtonte një lëvizje që modernizoi vendin”.

Një grua me flokë të gjata (Rashela Shehu) duke buzëqeshur në kamera
Rashela Shehu korrespondente nga Tirana