Shqipëria nuk duhet ta humbasë sërish shansin për në BE | Ballkani | DW | 18.02.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Shqipëria nuk duhet ta humbasë sërish shansin për në BE

Mijëra vetë protestuan në kryeqytetin e Shqipërisë kundër qeverisë socialiste, që e akuzojnë për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar. Opozita synon një qeveri teknike që të përgatisë zgjedhjet e parakohshme.

Shqipëria sërish u bë temë e kryeartikujve: Skenat nga bulevardi i Tiranës të shtunën (16.02) të zgjojnë kujtime nga ngjarje të së shkuarës. Një demonstratë e organizuar prej partive opozitare drejtuar kundër qeverisë së socialistëve nën kryeministrin Edi Rama dhe korrupsionit galopant në vend  përshkallëzoi në eksese dhune: Demonstrues që tentuan të hyjnë në selinë e kryeministrisë dhe u vunë flakën pemëve përreth nga njëra anë dhe policia, që përdori gaz lotësjellës dhe pompat e ujit për t'i ndaluar ata. Bilanci: 15 të plagosur nga të dyja palët. 16 vetë u arrestuan.


„E duam Shqipërinë si Europa"

„Shqiptarët nuk janë të varfër, por janë të vjedhur", e duam Shqipërinë si Europa, ishte sllogani i protestës. Kryetari i Partisë Demokratike, më e madhja në opozitë, Lulëzim Basha, u ndje i inkurajuar nga masiviteti i protetës dhe deklaroi vazhdimin e saj të enjten (21.02). Po ashtu ai shpalli të hënën (18.02) bojkotimin e parlamentit me djegjen e mandateve. Ai theksoi, se „PD nuk do të shërbejë më si fasadë e një parlamenti të dalë nga vota e krimit". Që pas zgjedhjeve të fundit më 2017 opozita vazhdimisht kërkon tërheqjen e qeverisë, të cilën e akuzon për klientelizëm, involvim në biznese kriminale dhe tendera jo transparentë.

„Mos na detyroni të emigrojmë"


Korrupsioni është fjala kyç e luftës politike në Shqipëri, por edhe plaga më e madhe që indinjon mbarë qytetarët e qytetaret në vend. Ata vazhdimisht ankohen, që po bëhet shumë pak në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ndonëse Shqipëria aktualisht ka nisur të verë në zbatim një nga reformat, që konsiderohet si shembullore në rajon, vendi mbetet ndër më të korruptuarit në Europë. Shqiptarët e përjetojnë shtetin e tyre si një sistem të sëmurë klientelizmi dhe nuk kanë më aspak besim tek ai.

Protesta aktuale e opozitës vjen menjëherë pas protestës masive disa javore të studentëve, që kërkuan reformë radikale të sistemit të arsimit të lartë, kushte më të mira studimi dhe largimin e elitave drejtuese të korruptuara në universitete. „Mos na detyroni të emigrojmë, duam të studiojmë e të punojmë në vendin tonë", ishin slloganet e studentëve.

Klimë e pashëndetshme politike

Klima politike në Shqipëri prej gati tri dekadash që pas kthesës politike më 1992 praktikisht pa ndërprerje është karakterizuar prej konfrontimit pozitë-opozitë në grindjen për manipulime elektorale. Debati politik nuk zhvillohet me argumenta profesionale, por degradon shpesh në nivelin e armiqësive personale. Edhe ekseset në parlament nuk janë skenë e rrallë. Vetëm pak ditë më parë kryeministri u qëllua me bojë në sallën plenare. Një debat i tillë e ndez atmosferën në vend.

Si rrjedhojë u parashikua qysh në vigjilje të protestës së të shtunës, se mijëra vetë do t'i përgjigjeshin thirrjes së opozitës. Para demonstratës ekzistonte droja për përshkallëzim, ndaj pati thirrje për ruajtjen e qetësisë edhe nga përfaqësues të botës së jashtme, në radhë të parë nga përfaqësia e BE-së dhe ambasada e SHBA-së në Tiranë.

Politikanët drejtues të partive të mëdha me sa duket nuk munden e nuk duan të gjejnë një gjuhë të arsyes dhe pajtimit. Përkundrazi: konfrontimi është i pakompromis, secila palë ia hedhin fajin palës tjetër. Retorika e fyerjeve dhe mospranimit të përgjegjësisë është kundërproduktive. Ndërkohë që lipset zgjidhja e problemeve me frymën e kompromisit.


Nuk duhet humbur sërish shansi për në BE

Duket që ende politikanët në Shqipëri nuk e kanë përvetësuar mësimin e demokracisë për respekt të ndërsjelltë dhe dialog konstruktiv. Ata kapen pas pozicioneve të ngrutësuara të tyre - madje duke e pasur fare mirë parasysh, që një krizë në politikën e brendëshme e vështirëson procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.
Dialogu demokratik është rrugëdalja e vetme nga kriza, për të çuar përpara reformat e domosdoshme për konsolidimin e shtetit ligjor, kushti numër një ky nga BE-ja. Trazirat, paqendrueshmëria politike, mungesa e dialogut dhe e gjuhës së kompromisit, çdo vonesë mund të kenë pasoja në procesin e integrimit në BE. Vitin e kaluar Shqipëria e humbi shansin e një date për hapjen e negociatave me BE-në. Një shtyrje tjetër në samitin e BE-së në qershor sivjet do të ishte fatale për vendin.