Shqipëri: Vaksinimi dhe rimëkëmbja ekonomike: Sfidat e 2021 | Ballkani | DW | 11.01.2021
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Shqipëri: Vaksinimi dhe rimëkëmbja ekonomike: Sfidat e 2021

Në Shqipëri fillon të hënën (11.01) vaksinimi kundër virusit Corona. Ngadalësimi i përhapjes së virusit është nevojë emergjente për rimëkëmbjen graduale të ekonomisë së goditur rëndë nga pandemia.

Pandemia COVID-19 po vazhdon të shkaktojë edhe në Shqipëri humbje jetësh dhe thellim të recesionit ekonomik. Autoritetet e shëndetësisë bënë me dije se të dielën, (10.01.2021) numri total i viktimave, që nga fillimi i pandemisë në mars të vitit të kaluar, arriti në 1241 vetë. Rastet pozitive janë 63.595 nga të cilat 24.706 janë aktive, shifra të konsiderueshme për popullsinë prej 2.8 milionë banorësh. Karantina, masat kufizuese, mbyllja e bizneseve, humbja e vendeve të punës për shkak të pandemisë po vazhdojnë të shkaktojnë rënie të mëtejshme ekonomike edhe këtë fillim viti.

Banka Botërore, në raportin  e saj, "Perspektiva Ekonomike Globale - janar 2021” konstaton që ekonomia e Shqipërisë u tkurr me "6,7 %  vitin e kaluar” dhe parashikon "një rritje prej 5,1%” në vitin 2021. Ekspertët e konsiderojnë vaksinimin anti-Covid të popullsisë të lidhur ngushtë me ringjalljen ekonomike që është edhe sfida kryesore e Shqipërisë këtë vit..

Vaksinimi fillon

Lajmin e mirë për fillimin e vaksinimit e dha mbrëmjen e së dielës, (10.01) kryeministri Rama. "Të hënën fillon vaksinimi anti COVID-19” bëri ai me dije në median sociale. Shqipëria ka blerë 500 mijë dozat e para të vaksinës nga kompania Pfizer, nga të cilat qeveria e Tiranës deklaroi se një pjesë ka vendosur t'ia japë Kosovës, për të vaksinuar mjekët e Spitalit anti-Covid në Prishtinë. Vaksina anti COVID-19 në Shqipëri do të jetë falas dhe jo e detyrueshme për qytetarët.

Në ditët e para të vitit autoritetet njoftuan se 10 mijë vaksinat  e para nga Pfizer do të mbërrinin në Shqipëri në datën 21 janar, ndërsa 30 mijë të tjera në shkurt, për të vazhduar në muajt në vijim sipas planit për vaksinimin e popullsisë. Fillimi i vaksinimit është përshpejtuar 10 ditë dhe do të kryhet në Qendrën e Parë të Vaksinimit anti COVID-19, të ngritur në fillim të këtij muaji, në  Stadiumin Air-Albania në Tiranë. Autoritetet shëndetësore kanë planifikuar që të vaksinohen 60 vetë brenda një ore dhe vaksinimi do të kryhet gjatë 8-10 orëve në ditë.

Ekspertja Silvia Bino, Drejtore e Departamenti të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, në një intervistë ekskluzive për DW lidhur me vaksinimin anti COVID -19 theksoi se "të parët do ta bëjnë vaksinën punonjësit e shëndetësisë, rezidentët dhe punonjësit e institucioneve të kujdesit afatgjatë dhe më pas personat mbi 75 vjeç, ata mbi 65 vjeç, personat më të rinj se 65 vjeꞔ me sëmundje bashkë shoqëruese dhe personeli i  shërbimeve kritike.”

Rimëkëmbja e Ekonomisë: sfida dhe mundësi

Vaksinimi dhe ngadalësimi i përhapjes së infektimit me virusin vdekjeprurës janë parakushte për rimëkëmbjen graduale të ekonomisë këtë vit. Prof. Dr. Adrian Civici, ekspert i njohur për ekonominë, Rektor në Universitetin Mesdhetar të Tiranës, thotë për DW se ekonomisë së Shqipërisë i duhet të përballet këtë vit me disa sfida prioritare. "Sfida kryesore është realizimi i investimeve dhe financimeve të planifikuara për rindërtimin në zonat e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, të cilat arrijnë në 600-700 milionë dollarë. Realizimi i tyre, përveꞔ strehimit të familjeve, që iu dëmtuan rëndë banesat, do të ndikojë shumë në rritjen ekonomike, punësimin, rimëkëmbjen e disa sektorëve të ekonomisë,” thekson ai për DW.

Albanien Silvia Bino

Silvia Bino

Sipas ekspertit Adrian Civic, mbështetja e qeverisë ndaj sektorëve dhe aktiviteteve ekonomike, të prekura më rëndë nga pandemia është parakusht që ekonomia të rimëkëmbet. "Duhet mbështetje ndaj biznesit të vogël, sektorit të shërbimeve dhe fasonerisë, turizmit që është një nga burimet kryesore të të ardhurave dhe i punësimit. Këta sektorë po e fillojnë vitin 2021 me humbje të mëdha në aktivitetin prodhues, në të ardhurat e tyre, numrin e të punësuarve. Kemi tkurrje të konsumit dhe kërkesës në përgjithësi, rënie të investimeve të huaja, që janë oksigjen për rritjen e punësimit dhe rritjen ekonomike në Shqipëri,” thekson Prof.Dr. Civici.

Përballimi i nevojave emergjente të pandemisë solli gjatë vitit të kaluar dhe rritjen e borxhit publik, që arriti në 80,9 % të Prodhimit të Brendshëm Brutto, (PBB). Autoritetet e Financave kanë deklaruar se synojnë ta ulin borxhin publik në 78.6 të PBB në vitin 2021. "Ulja e borxhit publik është një prioritet tjetër në vitin 2021 për rimëkëmbjen e ekonomisë” thekson Prof. Dr. Civici.

Banka Botërore në raportin e saj,” Perspektiva Ekonomike Globale- janar 2021” parashikon se Shqipëria dhe Mali i Zi si " ekonomi që varen nga turizmi do të kenë një një rikthim më të fuqishëm dhe do të rivihen në aktivitet sesa vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.” Por nëse ka vonesa në vaksinimin e popullsisë dhe vazhdim të masave kufizuese, këto mund të vonojnë rimëkëmbjen ekonomike, thekson raporti i Bankës Botërore.

Dr. Ardian Civici

Prof. Dr. Ardian Civici

2021- vit zgjedhjesh, dy skenarë për palët në garë

Rimëkëmbja e ekonomisë nga pandemia COVID-19 këtë vit përkon me zgjedhjet parlamentare të rradhës, që pritet të zhvillohen në 25 prill. Prof. Dr. Afrim Krasniqi, Drejtues i Institutit për Studime Politike, e sheh këtë përkim si faktor jo pozitiv për rimëkëmbjen e pritshme ekonomike.

"Gjithnjë vitet zgjedhore e kanë thelluar krizën ekonomike. Ekonomia nga prioritet, mund të bëhet një viktimë e zhvillimeve politike në vend, nëse zgjedhjet e 25 Prillit prodhojnë krizë të re politike dhe dështojnë të ofrojnë zgjidhje të qëndrueshme e afatgjatë. Në këtë kuptim, ndonëse viti 2020 ishte ndër vitet më të vështira, 2021 mund të jetë një vit edhe më i vështirë për shqiptarët.”  thotë për DW, Prof. Dr. Afrim Krasniqi.

Pritshmëritë nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit janë: ose një mandat i tretë qeverisës për PS dhe kryeministrin Rama ose ardhja në pushtet e të djathtës, kryesisht e PD, pas tetë vitesh në opozitë. "Nëse PS siguron mandat të tretë, mazhoranca parlamentare do jetë me diferencë të vogël, do ketë thellim të arrogancës e raporteve pushtet-qytetar, konflikti politik do të vijojë dhe nuk do të ketë një start të ri reformash por vijueshmëri të konsumimit të pushtetit të nisur në mesin e mandatit të dytë, si dhe menaxhim të varfërisë përmes rritjes së rolit të shtetit në vendimmarrje dhe në ndarjen e shërbimeve sociale” thotë për DW , Prof. Dr. Afrim Krasniqi.

Prof. Afrim Krasniqi

Prof. Dr. Afrim Krasniqi

Për palën tjetër, opozitën e djathtë të kryesuar nga PD, ai e konsidrron jetik rotacionin politik. "PD nuk mund të ketë alibi nëse nuk e arrin rotacionin politik. Nëse kjo do të ndodhë, rotacionet shoqërohen me start të ri, impuls të ri për reforma dhe bashkim energjish të reja për rezultate konkrete. Vitet e para të çdo mazhorance pas rotacionit kanë qenë vitet më të mira në Shqipërinë e tranzicionit. Shanset për rotacion janë ende nën 50%, dhe aktualisht opozita është ende e paqartë në platformën dhe strategjinë e saj politike”, thekson Prof. Dr. Krasniqi.

Sipas tij ka një frymë publike kritike ndaj qeverisë Rama, por nuk ka një frymë publike mbështetëse për opozitën. "Nëse ruhet ky trend, opozita mund të vendosë të kalojë nga sjellja konstruktive e vitit të fundit në veprime radikale para dhe sidomos pas zgjedhore. Nëse kjo ndodh, do të ketë impakt negativ për vendin”, parashikon Prof. Dr. Afrim Krasniqi.