1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shitësja Marina Paul

12 Qershor 2010

Gjashtë vjet më parë Marina Paul erdhi nga Saratovi rus për në Gjermani. 29 vjeçarja simpatike tani jeton në Darmstadt dhe shet këpucë në një qendër tregtare.

https://p.dw.com/p/MvYh
Shitësja Marina Paul

Marina Paul do t'i bëjë gjërat me qetësi dhe nge. Kjo është arsyeja, se përse shitësja e këpucëve nga Weiterstadti mëngjeseve ngrihet pak më herët se zakonisht dhe i lë kohë vetes që të miqësohet me ditën e re.

Më së miri mëngjesin 29 vjeçarja e kalon me muzikë dhe çaj. Për të dyja parapëlqimet janë të paracaktuara: Latino dhe Earl Grey. "Kafeja nuk më shijon, por çajin e kam të domosdoshëm. Është rituali im. Nuk dal nga shtëpia pa pirë çajin.”

Gesichter Deutschlands MaPaP1
Fotografi: DW

Para gjashtë vjet e gjysmë Marina Pauli erdhi në Gjermani, nga Rusia. Në fillim ajo shkoi në veri të Gjermanisë, ku asokohe jetonte i vëllai. "Mbas pesë vjetësh u transferova nga Bremeni në Bavari, ku gjeta një vend pune. Pastaj takova shokun tim të tanishëm dhe përfundova me të në Hessen”, kujton ajo.

Gjermanisht në Rusi

Gjermano-rusja Paul vjen nga qyteti rus Saratov, në afërsi të Volgogradit. Në shekullin e 18-të aty ishin ngulitur shumë gjermanë. "Babai im është gjerman i lindur në Rusi, ndërsa ime më është ruse”, sqaron gruaja atraktive me flokët e gjata të kuqe.

Në vendlindjen e saj, në brigjet e Vollgës, është rritur Marina Paul, së bashku me të vëllanë. Në Saratov ajo pat kryer studimet pesëvjeçare në degën e turizmit. Tani shpreson që edhe prindërit dikur të vijnë në Gjermani tek ajo dhe i vëllai.

Gesichter Deutschlands MaPaP2
Fotografi: DW

Vendi, ku punon Marina Paul, quhet "Loop 5", një qendër tregtare plot pompozitet në periferi të Darmstadtit, e cila u hap në fillim të tetorit 2009. Njëra nga 175 mundësitë për të bërë shoping, është dyqani, ku shet Marina Paul.

Botë plot shkëlqim: Qendra Tregtare

Raftet janë të mbushura të gjitha me çizme kafe, blu, të zeza. Veshjet e fisme për këmbët joshin klientelën femërore në dyqan. Muzika e lehtë në sfond e loja e dritave shumëngjyrëshe në një ujëvarë prej kristali krijojnë një atmosferë miqësore, që ta lehtëson hapjen e portofolit. Biondja gjatoshe qëndron para arkës dhe u buzëqesh miqësisht njerëzve, që hyjnë në dyqan. Duke futur një palë këpucë nëpër kartonë ajo bisedon me klientët pastaj vë nëpër vende disa këpucë të shpërndara nëpër tokë.

Marina Paulit i pëlqen, puna që bën, sidomos për shkak të kontaktit me njerëzit. „Unë gjithmonë kam dashur të punoj në shitje”, thotë ajo.

Kur mbaron turnin, në orën 16.00, ajo kthehet në shtëpi me makinë. Udhëtimi për në qytetin me 25 mijë banorë, Weiterstadt, zgjat afro gjysmë ore. Marina është e lumtur që nuk është e detyruar të udhëtojë me autobus, sepse do t'i duhej shumë më tepër kohë.

Një jetë mes kartonëve

Gesichter Deutschlands MaPaP3
Fotografi: DW

Marina Paul është transferuar para pak kohësh në një banesë të përbashkët me shokun e vet gjerman. Kjo kuptohet nga kullat prej kartoni nëpër cepat e dhomave. „Çdo ditë zbraz nga dy tre kartonë dhe vë nga pak rregull. Mezi po pres, derisa t'i çoj të gjithë në çati dhe të kem këtu vend për vete”.

Kur nuk hap kartonët, gjermano-rusja me talent për gjuhë të huaja i kushtohet leximit dhe mësimit të gjuhëve të reja. Në shtëpinë e saj më kot do ta kërkosh një televizor. "Preferoj historitë e vërteta të jetës, jo fantazitë”, sqaron ajo.

Një nga historitë e vërteta të jetës është edhe ajo e paraardhësve të saj, të cilët kohë më parë ishin shpërngulur nga landi i Hessenit për në Rusi. „Ndoshta, prandaj edhe unë kam ardhur sërish në Hessen”, thotë 29-vjeçarja si me shaka.

Kur e pyet se a e ndien veten më shumë ruse apo gjermane: Të dyja, thotë ajo. Është diçka shumë e bukur, kur ke dy mendësi. Unë besoj se kjo është një dhuratë dhe jam shumë e lumtur, që e kam.

Feedback-Frage:

A e konsideroni edhe ju një dhuratë, kur dikush ka dy mentalitete?

Autorin: Genevieve Baer / Anila Shuka

Redakteur: Mathias von Hein/Angjelina Verbica