SHBA vendosin sanksione kundër dy ministrave turq | Evropa | DW | 02.08.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Evropa

SHBA vendosin sanksione kundër dy ministrave turq

Pak pas përpjekjes për puç më 2016, në Turqi arrestuan priftin nga SHBA Andrew Brunson. Mosmarrëveshja për të vazhdon prej kohësh dhe i rëndon marrëdhëniet midis dy vendeve. Tani SHBA thonë 'mjaft'.

Në konfliktin për ndjekjen penale të një prifti nga SHBA, SHBA vendosën sanksione kundër dy ministrave turq. Masat ndëshkimore prekin ministrin e Drejtësisë Abdulhamit Gül dhe ministrin e Brendshëm Süleyman Soylu.  

Zëdhënësja e Presidentit të SHBA, Sarah Sanders tha: "Të dy kanë luajtur rol drejtues në arrestimin me vendim gjykate dhe ndalimin e pastorit Brunson". Ajo e karakterizoi si "viktimë" Brunsonin, i cili është i ekspozuar ndaj përndjekjes "jo korrekte dhe të pajustifikuar" të autoriteteve turke. Klerikun Andrew Brunson e akuzojnë në Turqi si të dyshuar për terrorizëm dhe spiunazh, atë e pret një dënim i gjatë me burgim.

"Ne nuk shohim ndonjë dëshmi, që prifti Brunson të ketë bërë ndonjë veprim të gabuar", vazhdoi më tej zëdhënësja. Për shkak të sanksioneve, pasuritë e ministrave në SHBA bllokohen, veç kësaj qytetarë amerikanë e kanë të ndaluar të bëjnë biznese me ta.

Turqia nuk tërhiqet

Qeveria e SHBA pati kërcënuar hapur javën e kaluar me vendosjen e masave ndëshkimore: zëvendëspresidenti Mike Pence tha në adresë të Presidenttit turk Recep Tayyip Erdogan: "Lëreni të lirë priftin Andrew Brunson - ose përgatituni që të përballoni pasojat".

Erdogani theksoi sërish të mërkurën se vendi i tij nuk do t'i pranojë kërcënime të tilla. Ai i akuzoi SHBA për një "mentalitet evangjelikan, sionist".

Drejtësia turke e akuzon priftin protestant për spiunazh si dhe për mbështetje të Partisë së ndaluar Punëtore Kurde (PKK) dhe të lëvizjes Gülen. Javën e kaluar një gjykatë vendosi papritur që Brunsoni të lirohej nga burgu për arsye shëndetësore, por urdhëroi që ai të mbahet në arrest shtëpie. Akuzat nuk u tërhoqën. Prokuroria kërkon deri 35 vjet heqje lirie për priftin nga SHBA.