1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

SHBA dhe Kina në raund të ri bisedimesh tregtare

7 Janar 2019

Ndërmjetësuesit e të dyja superfuqive kanë filluar një raund të ri bisedimesh për të penguar shkallëzimin e konfliktit në një luftë të hapur tregtare. Negociatat zhvillohen në Pekin, rezultati nuk dihet.

https://p.dw.com/p/3B8sB
Symbolbild USA-China-Handelskrieg
Fotografi: Colourbox

Sipas mediave amerikane, kur kreu i Pentagonit, Patrick Shanahan,- i cili zëvendësoi James Mattis në postin e ministrit të Mbrojtjes, të shkarkuar nga presidenti amerikan,- ka folur para nëpunësve të lartë të Pentagonit për vitin e ri, duket se ka thënë "gjithmonë mendoni për Kinën, Kinën, Kinën." Por Shanahan është kreu i Ministrisë së Mbrojtjes, jo i ngarkuar për tregtinë. E megjithatë ky citat hedh dritë në atë se sa shumë vihet në lojë, kur ndërlikohen marrëdhëniet amerikano-kineze. Bëhet fjalë për një konflikt tregtar, që gjithnjë e më shumë po tërheq pas vetes ekonominë botërore. Por bëhet fjalë edhe për sundimin në botën globale.

Në tavolinën e bisedimeve dy ditore në Pekin në radhë të parë nuk janë të ulur përfaqësuesit e vijës së ashpër në Uashington. I ngarkuari amerikan për tregtinë, Robert Lighthizer njihet për skepticizmin e tij ndaj Kinës, këshilltari i Trumpit për çështjet tregtare, Peter Navarro konsiderohet thjesht si skifter. Por për negociatat në Kinë është dërguar një delegacion nën drejtimin e zëvendës të ngarkuarit për çështjet tregtare, Jeffrey Gerrish.

China | Jeffrey D. Gerrish in Peking
Jeffrey D. Gerrish me delegacionin amerikan në Pekin Fotografi: picture-alliance/dpa/AP Photo/A. Wong

Armëpushim deri më 2 Mars

Nga pala kineze nuk dihet, se kush i drejton negociatat. Edhe për përmbajtjen e tyre pak është bërë e ditur. Në Pekin thuhet vetëm se fokusi do të jetë tek produktet agrare, energjia dhe automjetet. Në fakt bëhet fjalë për më shumë: Të dyja palët duan të sigurojnë një lloj armëpushimi në luftën tregtare, që fillimisht do të zgjasë deri më 2 Mars. Për këtë afat ra dakord presidenti Trump në takimin me presidentin kinez Yi Jinping në samitin e G20-s në Buenos Aires. Deri në këtë afat nuk do të ketë më dogana të reja tregtare edhe doganat ndëshkuese në vlerë 200 miliardë dollarë nuk do të praktikohen deri në këtë afat.

Ndërkohë kërcënimi i një lufte të hapur tregtare pasqyrohet që tani në tregjet financiare botërore. Që nga fundi i dhjetorit bursa e Nju Jorkut është përfshirë nga turbulenca të mëdha, por edhe Frankfurti e Tokio nuk mbeten pas. Pak para fundit të vitit të dy krerët e superfuqive telefonuan më njëri-tjetrin duke u përpjekur të krijojnë një atmosferë pozitive. Trump shkroi se "'deal' -marrëveshja po ecën shumë mirë përpara." Edhe nga Pekini erdhën sinjale pozitive. "Shpresojmë, që të dy ekipet të punojnë fort dhe të arrijnë herët në një dokument përfundimtar", u shpreh presidenti kinez.

Por nëse ekipet negociatore arrijnë në një ujdi kjo është më se e pasigurtë. Rezervat e Trumpit ndaj Kinës janë të një natyre themelore: Kina i pret rrugën një hapjeje të vërtetë të tregjeve, vjedh dijen e të tjerëve dhe i detyron firmat e huaja të dorëzojnë kompetencën teknologjike. Trump kritikon po ashtu edhe politikën kineze të subvencionimit, që pengon sipas Trump konkurrencën e lirë.

 

la/(rtr, AP, dpa, Archiv)