Scholz dhe Macron dërgojnë këshilltarët në Prishtinë e Beograd | Ballkani | DW | 05.09.2022
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Scholz dhe Macron dërgojnë këshilltarët në Prishtinë e Beograd

Zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Hebestreit konfirmoi angazhimin e forcuar të Gjermanisë dhe Francës në normalizimin e dialogut Kosovë-Serbi.

Të premten, më 9 shtator, ndërmjetësuesi i dialogut Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, do të jetë sërish për bisedime në Prishtinë e Beograd, por këtë radhë i shoqëruar nga dy këshilltarët e jashtëm të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, dhe presidentit francez, Emmanuel Macron. Këtë e konfirmoi të hënën, 5.09.22 në Berlin, zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit. "Qëllimi i vizitës do të jetë për të parë se cilat janë opsionet e mundshme në përparimin e normalizimit të marrëdhënieve", iu përgjigj Hebetreit pyetjes së DW. 

"Siguria në Evropë, e këtu hyn dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor, ka rëndësi shumë të madhe për kancelarin Olaf Scholz dhe presidentin franczez Emmanuel Macron. Kjo nënkupton edhe përforcimin e angazhimit për normalizimin e plotë të marrrëdhënieve Serbi-Kosovë. Nisur nga tensionet e kohëve të fundit, që të dy kanë ngarkuar këshilltarët e jashtëm, Jens Plöttner, dhe Emmanuel Bone, që t'i mbështesin në mënyrë të drejtpërdrejtë përpjekjet e të ngarkuarit të  BE-së, Miroslav Lajçak", sqaroi Hebestreit. 

Në fundjavë u bënë publike në mediat shqipfolëse dhe serbishtfolëse në Ballkanin Perëndimor dy letra të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, në të cilat u bëhej thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, për normalizim sa më të shpejtë të marrëdhënieve mes dy vendeve. Hebestreit nuk i komentoi letrat, por tha se ato nuk ishin për publikun e gjerë. "Për letra që një instancë publike i dërgon një instance tjetër publike, por që nuk janë për opinionin publik, nuk mund të them asgjë", tha zëdhënësi i qeverisë.