1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Rusia ndëshkohet pa shkak nga Perëndimi"

27 Mars 2018

Në Rusi mendojnë se po i ndëshkojnë pa të drejtë dhe planifikojnë kundërmasa. Që Perëndimi shpall dënime në një kohë kur mbahet zi për viktimat e katastrofës së Kemerovos, kjo është e pakuptueshme për shumë vetë.

https://p.dw.com/p/2v4fc
Moskau - Staatlicher Kremlpalast
Fotografi: picture-alliance/dpa/B.Weißbrod

"Rusia ndëshkohet pa shkak nga Perëndimi". Ky është reagimi krahasimisht i njësuar për dëbimin e diplomatëve rusë nga shumë kryeqytete perëndimore. Edhe një herë më shumë ministria e Jashtme ruse mohon që ka të bëjë me atentatin në Salisbury. Dëbimi nuk ndihmon në asnjë mënyrë që të gjenden ata që janë fajtorë, thuhet. Ministria ankohet se aleatët e Britanisë së Madhe "e ndjekin verbërisht unitetin euroatlantik" - në kurriz të "arsyes së shëndoshë njerëzore". Qeveria ruse planifikon "kundërmasa të forta", shprehet zëvendëministri i Jashtëm rus Sergej Riabkov. Moska megjithatë është edhe më tej e hapur për bisedime me SHBA.

Senatori Konstantin Kosaçov, shef i Komisionit të Punëve të Jashtme në Këshillin e Federatës thotë: Uashingtoni "vendosi të dëbojë 60 diplomatë rusë nga SHBA dhe 60 diplomatë amerikanë nga Rusia", duke nënkuptuar me këtë reagimin e pritshëm rus ndaj dëbimeve. Pasi Uashingtoni e mbylli edhe konsulatën e përgjithshme ruse në Seattle, në shtypin e Moskës bëhen spekulime, se cila nga konsulatat amerikane është në radhë që të ndërpresë punën: ajo në Vladivostok, në Jekaterinenburg ose në Sankt Petersburg.

Juri Shvylkin, zëvendëskryetar i Komisionit të Mbrojtjes të Dumës mendon se konfrontimi kërcënon "stabilitetin global". Konfrontimi është "unilateral" dhe vjen nga SHBA dhe Britania e Madhe. Deputeti komunist i Dumas Leonid Kalashnikov deklaroi për shkallëzimin e fundit në nivel diplomatik se një gjë e tillë ndodh shpesh para nisjes së një lufte. Evropianët nuk janë në gjendje që ta kapërcejnë një "ndjenjë solidariteti të kuptuar gabimisht."

Politologu Fjodor Lukjanov nuk beson se shkallëzimi i situatës do të marrë fund shpejt. Përkundrazi. Kriza do të acarohet edhe më tej. "Një Luftë e Ftohtë e plotë" është në prag. As kriza e Ukrainës ose ajo përreth aneksimit të Krimesë nuk patën çuar në një acarim të tillë të situatës.

Që Perëndimi ka shpallur sanksione të tjera dhe dëbon diplomatë pikërisht në një kohë, kur Rusia mban zi për vdekjen e fëmijëve në Kemerovo, kjo i zemëron shumë rusë. Tragjedia për rënien e zjarrit është tema më e rëndësishme para të gjitha të tjerave në lajme. Televizioni rus e tregon Putinin në vizitën e të plagosurve në spitale, duke përkujtuar viktimat në murin e qendrës tregtare, në bisedë me qytetarët në Kemerovo. Disa qindra banorë demonstruan dhe u kërkuan autoriteteve që të sqarojnë shkakun e djegies. Presidenti Putin e ka premtuar këtë.

Në fund, zëdhënësi i Kremlinit Dimitri Peskov tha se Presidenti do të vendosë se si do të veprohet me dëbimin e diplomatëve të tij.