1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
Konflikte

Rrëzime avionësh luftarakë amerikanë në Iran

dpa afp, Reuters, kna
4 Prill 2026

Në Iran u rrëzuan dy avionë luftarakë amerikanë, njëri në jugperëndim të vendit, tjetri pranë Ngushticës së Hormuzit. SHBA janë tani në garë me kohën dhe forcat iraniane për të rigjetur pilotin e zhdukur.

https://p.dw.com/p/5BeA9
Avion luftarak  F-15E Strike Eagle
Mediat njoftojnë për rrëzimin e dy avionëve luftarakë amerikanë në Iran, një në zonën qendore të vendit, tjetri pranë Ngushticës së Hormuzit.Fotografi: Jonathan Brady/dpa/picture alliance

Pas rrëzimit të një avioni luftarak amerikan mbi Iran mediat njoftojnë se një anëtar i ekuipazhit arriti të shpëtonte. Forcat speciale kanë arritur ta shpëtojnë atë, raportuan CBS dhe portali Axios, duke iu referuar burimeve të informuara. Kërkimet për anëtarin e dytë të ekuipazhit vazhdojnë.

Forcat e armatosura iraniane njoftuan se avioni u godit në hapësirën ajrore qendrore nga një sistem i ri i avancuar për mbrojtjen ajrore. Sipas The New York Times dhe The Wall Street Journal, bëhet fjalë për një avion të tipit , në bordin e të cilit janë një pilot dhe një oficer i sistemeve të armëve. Kurse Irani pretendon se bëhet fjalë për një avion të tipit F-35.

Sipas deklaratës së zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, presidenti i SHBA-së Donald Trump është informuar për situatën. Por ajo nuk dha detaje të mëtejshme.

Shpërblim për kapjen e pilotëve amerikanë

Mediat iraniane njoftuan se një avion luftarak është rrëzuar në jugperëndim të Iranit dhe se të paktën një person ka arritur të shpëtojë duke përdorur sediljen e katapultimit.

Autoritetet iraniane u kanë bërë thirrje banorëve të zonës të ndihmojnë për kërkimin e ekuipazhit të avionit, dhe kanë ofruar edhe shpërblim për kapjen e tyre. "Nëse kapni pilotin ose pilotët armikë të gjallë dhe i dorëzoni tek policia apo ushtria do të merrni një shpërblim me vlerë”, tha një gazetar i televizionit iranian.

Avion i tipit A-10 Warthog
Në Ngushticën e Hormuzit është rrëzuar edhe një avion luftarak amerikan i tipit A-10 WarthogFotografi: Brett Johnsen/NurPhoto/picture alliance

Mediat: Rrëzohet edhe një avion i dytë

Sipas një njoftimi të gazetës The New York Times, në rajonin e Gjirit Persik është rrëzuar edhe një avion i dytë luftarak amerikan. Avioni i tipit A-10 Warthog thuhet se është aksidentuar pranë Ngushticës së Hormuzit. Piloti thuhet se ka shpëtuar. Nga qeveria amerikane nuk ka ende një reagim zyrtar për këtë lajm.

Edhe mediat shtetërore iraniane raportuan për incidentin, duke deklaruar se sistemi i mbrojtjes ajrore të Iranit kishte vënë në shënjestër një avion "armik” A-10 në ujërat jugore pranë Ngushticës së Hormuzit.

dpa afp, Reuters, kna agjenci lajmesh