Rroga të papaguara: Shoferët e kamionëve në grevë
2 Tetor 2023Që në muajin korrik ndodhet Kacha këtu në këtë vend ndalimi pranë austradës A5, në Gräfenhausen, jo larg aeroportit të Frankfurtit. Mbi 80 shoferë kamioni janë duke bërë grevë atje dhe kërkojnë nga grupi polak i spedicionit, Mazur, që të paguajë rrogat e papaguara. Shoferët vijnë kryesisht nga Gjeorgjia dhe Uzbekistani, por edhe nga Ukraina dhe Turqia.
Kacha ka punuar tre vjet me radhë tek Mazur. Për 80 euro në ditë, ai ka shkuar në gjithë Europën. "Ata gjithnjë i kanë paguar rrogat me vonesë ose kanë mbajtur një pjesë të rrogës, pa bërë shpjegime", thotë ai kur flet për Deutsche Wellen. Por dikur rrogat filluan të mos jepeshin më, për muaj të tërë. Bashkë me 29 shoferë të tjerë ai u fut në grevë urie në Gräfenhausen ai, për një javë rresht.
Roman ka filluar të punojë për Mazur në muajin mars të këtij viti. Ai ka qenë në rrugë për ta deri më 3 gusht. Sipas tij, firma polake i ka borxh 6 mijë euro. Ai ka shkuar me kamionin e tij kryesisht në Gjermani, Austri dhe vendet e Beneluksit, dhe e di se duhet të fitonte më shumë se 80 euro në ditë.
Në kushte normale ai ka të drejtë të paguhet me rrogën minimale gjermane. Por kërkesat e Romanit janë modeste: "Unë nuk dua të paguhem siç paguhet një gjerman, por asnjë nuk do që të punojë falas. Ata duhet të paguajnë rrogat e premtuara.”
Roman ka kaluar javë dhe muaj në kamion. Firma nuk paguan për ta hotel, megjithëse punëdhënësi është i detyruar të paguajë hotel pas dy javësh udhëtimi me makinë.
Protesta e dytë
Kjo është greva e dytë e shoferëve të kamionëve të Mazur, organizuar në sheshin e parkimit në A5. Që në muajin prill të këtij viti aty u futën në grevë 60 shoferë. Protesta shkaktoi trazira të mëdha, kur Mazur dërgoi në Gräfenhausen milica privatë për të marrë kamionët. Policisë gjermane iu desh të ndërhynte, prokuroria e Darmstadtit është duke zhvilluar hetime.
Mbas dy jave grevë, shoferët arritën një marrëveshje me Mazur. Firma speditore u detyrua të paguajë.
Që në atë kohë kushtet e punës në transportit ndërkombëtar të mallrave tërhoqën vëmendjen e publikut. Bëhet fjalë për shoferë që ngasin muaj me rradhë kamionët nëpër rrugët e Europës, jetojnë gati në kamionë, dhe paguhen me rroga të ulta. Dhe dikur as nuk paguhen fare, për muaj me radhë.
"No money"
Tani kamionët e Mazurit ndodhen në të dy anët e autostradës në vendpushimin e Gräfenhausen-it. Në shtiza valëviten flamujtë e Gjeorgjisë dhe Uzbekistanit, parrulla të mëdha informojnë për grevën. "Mazur Debtor. No Money" shkruhet tek një nga kamionët.
Pllakatat e tjera tregojnë cilat kompani punojnë bashkë me Mazurin. Mes tyre koncernet e mëdha gjermane, DB, DHL, Audi, Dachser dhe të tjera. Në kodet e sjelljes së tyre shkruhet se ata presin që partnerët e bizneseve të respektojnë "të drejtat e njeriut përfshirë normat themelore të punës” dhe "të veprojnë drejtë, me ndershmëri, përgjegjësi".
Pranë ndodhet një fotografi e pronarëve të firmës, Lukas dhe Agnieszka Mazur.
Duke buzëqeshur dhe me veshje elegante ata pozojnë në krah të një makine të zezë sportive. Në sfond një flotë kamionësh me ngjyrë blu.
"Këta janë kafshë grabitqare!"
Për shoferët që ndodhen në grevë që prej dhjetë javësh, realiteti ka pamje tjetër. Rimorkiot e mëdha janë kthyer në dhoma banimi për ta, paletet shërbejnë si tavolina, arkat si karrige. Krah makinave ndodhen furnellat me gaz ku gatuhet, zihen makarona ose ngrohen konservat. Uji merret nga bidonët, peshqirët dhe rrobat e lara varen për tu tharë tek dyert e makinës. Në sheshin e parkimit janë vendosur disa wc mobile. Dushi i vetëm është tërë kohën në punë. Njeriu duhet të improvizojë. "Ujin e ngrohim në diell me një bidon plastik. Pastaj shkojmë tek rimorkiot, e varim bidonin lart dhe lahemi,” thotë Roman.
Tek kabinat e shoferit ndodhen faturat që tregojnë shumat që Mazur i ka borxh çdo shoferi. Shuma arrin gati një gjysmë milioni euro. Por Mazur nuk do që të paguajë. "Ata janë kafshë grabitqare!", thotë Edwin Atema nga sindikata hollandeze FNV dhe sindikata e punonjësve të transportit europian. Ai përfaqëson shoferët e futur në grevë në bisedimet me punëdhënësin.
Sipas Mazur kemi të bëjmë me "një proces penal". Firma ka hapur padi dhe akuzon "ushtrim presioni si dhe përvetësim dhe vjedhje të kamionëve dhe mallrave”, shkruan Mazur e pyetur nga Deutsche Welle. Rasti është në hetim nga prokuroria polake dhe gjermane. "Pavarësisht nga kjo ne kemi të drejtë kërkojmë nga shoferët të paguajnë shpenzimet e shkaktuara nga kjo gjendje,” thotë Mazur.
Zinxhirë problematik furnizimi
I pyetur si mund të përfundojë greva, sindikalisti Atema përgjigjet: "Shumë thjeshtë, brenda dhjetë minutash greva merr fund, nëse firma gjermane që është kontraktore e përgjithme merr përsipër të paguajë shoferët.”
Atema i ka shkruajtur firmës, mallrat e të cilës ndodhen në Gräfenhausen. Deri tani kanë paguar vetëm dy speditorët austriakë, me nga 20 mijë euro. Dhe ata janë detyruar të ndërpresin bashkëpunimin me Mazurin. "Peshqit e mëdhenj duhet të bëjnë tani të njëjtën gjë,” thotë Atema.
Greva që po zhvillohet në Gräfenhausen po hedh dritë mbi gjendjen në gjithë sektorin e trasnportit dhe tregon për kushtet çnjerëzore të punës në këtë sektor.
Kontraktorët e përgjithshëm janë fajtorët kryesore që duhet të bëjnë ndryshime në zinxhirrin e furnizimeve. "Mbas grevës së parë të gjithë kontraktorët e përgjithshëm premtuan që të mos punonin më me Mazurin. Disa muaj më vonë firma u shfaq sërish në zinxhirin e furnizimeve", thotë Edwin Atema.
Inspektoriati polak i punës, (PIP) kontrolloi në muajin korrok firmën Mazur. Dokumentat e dorëzuara nga firma treguan se shoferët ishin paguar për orët e punës që kishin punuar, por sipas tyre, kishin punuar vetëm disa dhjetra orë në muaj, shkruan portal internetit Trans.info. Kur kontrollorët i kërkuan firmës që të dorëzonte të dhënat digjitale të kartave të shoferëve dhe të takografëve, që japin të dhëna reale për rrugët e bëra, shpejtësitë, kohët e udhëtimit dhe pushimit të shoferëve, të dhënat ishin dëmtuar dhe nuk mund të dekodoheshin më.
"Shpresa vdes e fundit"
Politikanë europianë dhe gjermane kanë shkuar në Gräfenhausen dhe kanë premtuar të japin ndihmën e duhur. Ministri gjerman i punës, Hubertus Heil (SPD) ka kërkuar kontrollin e posaçëm të punëdhënësve për firmën polake të spedicionit dhe kryetari i partisë socialdemokrate, SPD, Lars Klingbeil ka biseduar personalisht në telefon me firmat e ndryshme, që i kanë premtuar se do të rishikojnë zinxhirët e furnizimit.
Sindikatat gjermane dhe organizatat e ndryshme kanë ndihmuar grevistët me ushqime, pije dhe sendet e nevojshme. Në zonën përreth shoqatat e sportit i kanë vënë dushet në dispozicion të shoferëve dhe banorët kanë dhuruar biçikleta.
"Ne falenderojmë për çdo ndihmë të dhënë. Pa këtë ndihmë ne nuk do ia dilnim dot,” thotë gjeorgjiani Zaal.
Shoferët janë ende të bashkuar, por disa prej tyre kanë filluar të mos kenë më shpresë se mund të fitojnë. "Unë nuk besoj se Lukasz Mazur do të na paguajë", thotë Sergej, të cilit firma polake i ka borxh 7.500 euro. Kolegu i tij Roman është i lodhur nga pritja, por ka ende shpresë. Zaal po ashtu. "Ne do të luftojmë deri në fund. Unë dua vetëm paratë për punën që kam bërë,” thotë ai dhe shton: "Shpresa vdes e fundit”.