1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sipas shtypit në Gjermani ka një rrjet ekstremistësh të djathtë në burgje

(dpa) Eliana Xhani10 Prill 2013

Sipas shtypit në Gjermani ekziston një rrjet funksionues radikalësh të djathtë në burgje. Të burgosurit kanë madje kontakt me skenën ilegale nacionalsocialiste. Politika gjermane është zënë në befasi nga informacionet.

https://p.dw.com/p/18CtV
Fotografi: Getty Images

Sipas një artikulli të gazetës "Bild", një rrjet radikal i djathtë operon në burgje gjermane në gjithë federatën dhe madje ka lidhje me mjedisin përreth grupimit "Ilegaliteti nacionalsocialist" (NSU), anëtarë të të cilit së shpejti do të përgjigjen para gjyqit në Mynih. Anëtarë të një shoqate ndihme për të burgosur radikalë të djathtë, kanë pasur kontakt të rregullt me shkrim me qarqet e NSU-së, shkruan "Bild", e cila u referohet informacioneve nga qarqet e hetuesve. Kjo ka rezultuar nga vlerësimi i provave, të siguruara gjatë kontrolleve të qelive në burgjet e landit të Hesenit, javën e kaluar.

Organizata duket se ka pasur kontakte të shpeshta edhe me keqbërës të tjerë ekstremistë të djathtë, thuhet në artikullin e "Bild". Komunikimi mes anëtarëve të organizatës është kryer në pjesën më të madhe përmes letrave dhe mesazheve të fshehta në njoftimet e vogla në gazeta. Neonazistët kanë përdorur kode dhe simbole, të cilat edhe ekspertët e kanë pasur të vështirë t'i lidhnin me skenën radikale të djathtë.

Symbolbild Neonazis Gefängnis Gericht Netzwerk HNG
Fotografi: picture-alliance/dpa

Ministri i Drejtësisë i landit të Hesenit, Jörg-Uwe Hahn njoftoi në gazetën "Bild" një zbardhje të plotë të rastit. "Ne nuk dëshirojmë përsëritjen e gabimeve të autoriteteve të sigurisë në lidhje me krimet e NSU-së", deklaroi politikani liberal. Këtu bëjnë pjesë përpjekjet për krijimin e rrjeteve dhe strukturave të reja organizative, të ndërmarra në strukturat e kryerjes së dënimit. "Këtë do ta pengojmë me të gjitha mjetet që ka në dispozicion shteti ligjor", tha Hahn.

NSU akuzohet për vrasjen e nëntë personave me origjinë turke dhe greke në Gjermani si dhe të një policeje gjermane. Javën e ardhshme fillon në Mynih procesi kundër së akuzuarës si anëtare e NSU-së Beate Zschäpe, dhe katër personave të tjerë të akuzuar si mbështetës të grupit terrorist të ekstremit të djathtë.