Rritet dhuna kundër gazetarëve
5 Janar 2006Dhuna kundër gazetarëve është rritur. Në vitin 2005 u vranë mbi 63 gazetarë. Këtë shifër e bëri të ditur shoqata humanitare "Reporterë pa kufij". Michale Rediske, bashkëpunëtor i kësaj shoqate, shpjegon: "Ka 22 shtete ku gazetarët vriten për shkak të profesionit të tyre. Dhe kemi sigurisht Irakun, problemin më të madh, ku vetëm gjatë vitit të kaluar humbën jetën 24 gazetarë."
Iraku, thotë Michael Rediske, është vendi më i rrezikshëm për gazetarët. Në shumicën e rasteve, ishin terroristët ata që i kanë sulmuar gazetarët, por sipas shoqatës "Reporterë pa kufij" në tri raste kanë qënë të involvuar edhe ushtarë amerikanë. Ndërkohë situtata e lirisë së shtypit vazhdon të jetë e rëndë sidomos në shtetet afrikane dhe aziatike, shpjegon më tej Rediske: "Gazetarët janë në rrezik kur ndodhen në një shoqëri, ku liria e shtypit ekziston vetëm në mënyrë formale. Si për shembull në Bangladesh, ku grupet islamike i sulmojnë rregullisht gazetarët, ose ku qeveria i fut ata në burg apo shpesh edhe i vret."
Sipas "Reporterëve pa kufij" gjatë vitit 2005 në Filipine u vranë 7 gazetarë për shkak të artikujve të tyre kritikues. Pas këtyre vrasjeve fshihen biznesmenë, politikanë dhe trafikantë droge, të cilët nuk do të përgjigjen kurrë përpara gjyqit për urdhërat që kanë dhënë.
Edhe numri i gazetarëve të burgosur është rritur. Në të gjithë botën ka rreth 126 gazetarë dhe 70 të ashtuquajtur "disidentë të internetit", pra njerëz që kanë përdorur internetin për t´u informuar apo kanë publikuar aty mendimet e tyre. Vendi kryesor mbetet Kina. Ndërkohë në Kubë janë arrestuar gjatë vitit 2005, 24 gazetarë. Edhe në Etiopi u burgosën gjatë arrestimeve masive të muajit nëntor, 19 gazetarë. Arrestimet masive u kryen për shkak të informacioneve që gazetarë të ndryshëm publikuan mbi manipulimin e zgjedhjeve parlamentare që u zhvilluan në maj. Por edhe numri i gazetave dhe revistave të ndaluara është rritur gjatë vitit 2005, në mbi 60% më shumë se një vit më parë.