1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Roth: Shqipëria është në rrugën e duhur

21 Dhjetor 2016

Roth: Shqipëria është në rrugën e duhur por asgjë nuk ka ndryshuar në pesë prioritetet kyçe sa i përket afrimit me BE-në.

https://p.dw.com/p/2Ugi2
Albanien Michael Roth in Tirana
Fotografi: Außenministeirum Tirana

DW: Ku gjendet Shqipëria sa i përket afrimit me BE-në? Ku ka probleme nga perspektiva e bashkëbiseduesve dhe ç'thonë politikanët shqiptarë në këtë drejtim?

Shqipëria është në rrugën e duhur. Në vitin 2016 vendi ka bërë hapa të mëdha që duhen vlerësuar. Mbi të gjitha reforma gjyqësore është një moment historik në rrugën e afrimit me BE-në. Asgjë nuk ka ndryshuar në pesë prioritetet kyçe. Unë uroj që ne mund të fillojmë sa më shpejt negociatat me Shqipërinë. Fakti që qeveria i shtyn përpara reformat e nevojshme më bën të sigurt. Dera është sigurisht e hapur dhe në perspektivën e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, asgjë nuk ka ndryshuar.

Konkurrenca politike është padyshim e domosdoshme në një demokraci. Megjithatë, ka reforma me ndikim veçanërisht të gjerë që kërkojnë një konsensus të gjerë politik, në mënyrë që prej tyre të përfitojnë të gjithë qytetarët e Shqipërisë. Këtu duhet bashkëpunimi konstruktiv mes qeverisë dhe opozitës. Komisioni i Venecias i Këshillit të Evropës ka konfirmuar tashmë se i ashtuquajturi ligj për verifikimin (vetting) përpthet me kushtetutën. Opozita tani duhet të hapë rrugën për zbatimin e tij.

DW: Ju kishin një takim diskutimi me të rinj dhe të reja shqiptare për të folur për Evropën. Cila është përshtypja juaj, ku është rinia shqiptare në Evropë dhe në integrimin në BE sot?

Kjo nuk është vetëm një çështje teknike, por kur flasim për integrim në BE gjithmonë një ndryshim i përgjithshëm shoqëror. Ne jemi më shumë se një bashkësi ekonomike: para së gjithash ne jemi një bashkësi vlerash. Në të shoqëria civile dhe në veçanti brezi i ri luan një rol të rëndësishëm. Ata janë bartësit e ndryshimit, prandaj ata janë të pazëvendësueshëm në rrugën drejt BE-së.

Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor takoj vazhdimisht të rinj që vazhdojnë të kenë shpresa të mëdha tek BE-ja. Shumica e të rinjve janë shumë pro-evropianë, shoqëria civile është shumë e gjallë dhe aktive. Meqë të rinjtë janë ata që jo vetëm që do ta formësojnë të ardhmen e Shqipërisë, por edhe të ardhmen e Evropës, ata duhet të përfshihen gjithmonë në procesin e integrimit në BE. Kjo nuk është përgjegjësi vetëm e politikanëve dhe e zyrtarëve.

Berlin Michael Roth
Fotografi: picture-alliance/dpa/B. v. Jutrczenka

DW: Në inagurimin e zyrës së RYCO-s pak ditë më parë, Gjermania ishte pak e dukshme, por ajo është një motor kryesor i projektit. Çili është kontributi (edhe financiar) i Gjermanisë në fazën e implementimit? Ç'prisni ju nga kjo organizatë rinore?

Ne e kemi shoqëruar që në fillim nga afër këtë projekt bashkë me francezët. Më vjen shumë keq që nuk para mundësi për të marrë pjesë së bashku me mikun tim francez Harlem Desir në hapjen e zyrës. Gjatë vizitës sime këtë javë vizitova ambientet si dhe bisedove dhe me disa prej personave përgjegjës. Vendimtare për mua është ajo që ne në zhargonin politik e quajmë pronësi (ownership). Të rinjtë e Ballkanit Perëndimor duhet të gjejnë rrugën e tyre të pajtimit dhe të miqësisë. Shembulli franko-gjerman është sigurisht një model, por ai nuk mund të kopjohet një më një.

Ballkani Perëndimor është një rajon në Evropë që ka shumë potencial. Popullsia është e re dhe kryesisht e arsimuar mirë. Prandaj përveç pajtimit duhet të shtohet edhe lëvizja e njerëzve brenda rajonit. Kjo përmirëson perspektivat e punësimit dhe është gjithashtu një fitim ekonomik. Ne kemi sot në rajonet kufitare, për shembull Agjenci punësimi gjermano-franceze. Unë gëzohem që tani mund të fillojnë së shpejti projektet dhe atëherë mund të flasim edhe për mbështetje konkrete.

DW: Çfarë mund të na thoni prej bisedave me udhëheqësit fetarë të Shqipërisë dhe bashkëjetesën e feve? A mund të mësojnë vendet fqinje apo Evropa nga modeli shqiptar?

Jo vetëm vendet fqinje, e tërë BE-ja dhe shtetet e saj anëtare mund të mësojnë në këtë drejtim nga Shqipëria. Komunitetet fetare nuk izolohen prej njëri-tjetrit, por jetojnë në kohezion dhe solidaritet. Kjo është shumë inkurajuese në një kohë kur feja po shpërdoret në mënyrë të përsëritur.

Ky model shqiptar mund të kontribuojë në integrimin e rajonit. Komunitetet fetare në Shqipëri janë edhe shembull në aspektin e tolerancës dhe luftës kundër përjashtimit social. Në këtë mënyrë  ato mund të japin një kontribut të rëndësishëm padyshim edhe për pajtimin e brendshëm dhe pajtimin ndërmjet vendeve.

DW: Shqipëria gjen shumë mirënjohje për rolin e saj konstruktiv në rajon dhe bashkëpunimin rajonal. Si manifestohet kjo konkretisht dhe si mund të përdoret edhe më shumë?

Bashkëpunimi rajonal është shumë i rëndësishëm. Prandaj ne kemi iniciuar në verën e vitit 2014 të ashtuquajturin procesi i Berlinit. Ky duhet të nxisë bashkëpunimin në fushat kyçe në rajon. Këto përfshijnë në radhë të parë infrastrukturën, energjinë, ekonominë, por edhe shkëmbimin e të rinjve. Përfshirjen shqiptare në këtë rast e konstatojmë me shumë dashamirësi.