Romët në Evropë - Raportet për të drejtat e njeriut dëshmojnë për mungesë të vullnetit të politikës | Evropa | DW | 27.11.2022
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Evropa

Romët në Evropë - Raportet për të drejtat e njeriut dëshmojnë për mungesë të vullnetit të politikës

Raporti aktual për të drejtat e njeriut, në të cilin i kërkohet politikës të veprojë: “Romët në Evropë kanë një jetëgjatësi dhjetë vjet më të ulët dhe një shkallë më të lartë të vdekshmërisë foshnjore sesa jo romët”.

Civil Society Forum - Takimi në Institutin Aspen në Berlin

Civil Society Forum - Takimi në Institutin Aspen në Berlin

Romët dhe sintit janë minoriteti më i madh në Evropë – dhe në gjendjen më të keqe. Këtë e dëshmon edhe një raport i ri, që dokumenton gjerësisht gjendjen e komuniteteve rome në Evropë. Ky raport është publikuar nga rrjeti ERGO (European Roma Grassroots Organization) dhe është prezantuar së fundmi nga politikania suedeze Soraya Post. Aktivistja e shquar rome ka qenë deputete në Parlamentin Evropian nga viti 2014 deri në vitin 2019 dhe është anëtare e bordit të rrjetit, që bashkon organizata rome nga më shumë se 30 vende. Raporti aktual i ERGO dëshmon ndër të tjera për një trajtim dukshëm të pabarabartë të romëve, përsa i përket kujdesit shëndetësor. Për shembull 22 për qind e njerëzve nga komuniteti rom kanë sëmundje kronike dhe një në katër nuk ka sigurim shëndetësor. Të dhënat vijnë nga studimet në vendet përkatëse dhe konfirmojnë se romët e kanë më të vështirë të kenë akses në kujdesin shëndetësor në disa vende të BE.

Këto shifra, thotë Post, tregojnë se situata nuk është përmirësuar që nga miratimi i kornizës së re të BE për pjesëmarrjen politike të romëve në vitin 2020. Përkundrazi mund të flitet për një përkeqësim, shkaktuar nga pandemia Covid 19. Dhe kjo megjithë apelin urgjent të Presidentes së Komisionit të BE, Ursula von der Leyen, gjatë prezantimit të kuadrit strategjik për romët në BE: "Ku është thelbi i njerëzimit, kur romët janë të përjashtuar nga shoqëria dhe të shtypur çdo ditë?"

Deri në fund të vitit 2022 vendet anëtare të BE duhet të raportojnë për progresin e bërë në zbatimin e kornizës së BE në vendet e tyre në fushën e shëndetësisë, strehimit, arsimit dhe pjesëmarrjes politike. Me rreth 12 milionë njerëz sintit dhe romët përfaqësojnë pakicën më të madhe në Evropë.

Romët si motor për ekonominë e rajonit të Ballkanit?

Në fillim të nëntorit, në një aktivitet të organizuar në Berlin nga Shoqata e Evropës Juglindore dhe Aspen Instituts në Gjermani, Sonja Licht, presidente e "Fondit të Beogradit për Ekselencë Politike", vuri në dukje potencialin e romëve, që shpesh injorohet nga politika: "Romët janë një fuqi demografike dhe ekonomike në rritje në BE dhe në rajonin e Ballkanit. Ata janë motor për zhvillimin ekonomik. Nëse e injorojmë këtë, i gjithë rajoni do të mbetet periferia e periferisë."

"Amplifying Roma Voices in Policy Making" ishte një kompleks temash me fokus situatën në shtetet e Ballkanit Perëndimor. Ato që reflektohen atje në kontekstin e komuniteteve rome, janë në fakt tregues për funksionalitetin e sistemeve shtetërore dhe prandaj duhet të luajnë një rol të rëndësishëm në proceset politike, thotë Elvis Memeti, përfaqësues i pikës kombëtare të kontaktit të romëve në qeverinë e Maqedonisë së Veriut: "Hendeku midis romëve dhe jo-romëve për sa i përket kushteve mbizotëruese të jetesës, mungesës së infrastrukturës, arsimit dhe aksesit në të mirat publike po zmadhohet. Megjithatë ka potencial të madh për organizimin e punës politike dhe pjesëmarrjes së romëve”.

Kosovo Roma im Flüchtlingskamp in Serbien

Këtë çekuilibër në sistem e tematizon edhe Adriatik Hasantari nga organizata Roma Active Albania në Tiranë. Më të dobëtit në shoqëri janë më të goditurit. Racizmi dhe antiziganizmi janë ende të ankoruara në sistem dhe veprojnë fort me breza të tërë - pavarësisht nga orientimi politik: "Imagjinoni një fëmijë, i cili që në moshëm pesëvjeçare është dëbuar nga shtëpia e tij disa herë. Si mund të krijojë ky person besim te sistemi?” thotë Hasantari.

Prandaj nuk mjafton, që romët vetëm "të dëgjohen”. Edhe pjesëmarrja në proceset politike është vetëm një hap i parë dhe duhet shkuar përtej tij: "Politika duhet ta kalojë ekspertizën e komunitetit rom nga periferia në qendër të proceseve të vendimmarrjes politike. Në fokus duhet të jetë bashkëpunimi rajonal, me qëllim që të arrihet efekti më i madh i mundshëm dhe i qëndrueshëm”.

Por e gjitha kjo mbetet ende një utopi duke pasur parasysh situatën aktuale të romëve në rajon dhe në BE, të cilës i referohet Dejan Markoviç (Forumi serb i Romëve, Beograd), duke u bazuar në shifrat e raportit aktual tö Agjensisë të të Drejtave Themelore Evropiane (FRA): "Ende më shumë se gjysma e popullsisë rome jeton pa pasur strehim të përshtatshëm dhe furnizim me ujë, rreth një e treta e fëmijëve vuajnë nga uria. Arsyeja e situatës së romëve është mungesa e vullnetit të politikës për të ndryshuar diçka realisht. Ky është shkaku që antiziganizmi ende ekziston”, thotë Markoviç.

"Të mos ketë politikë pa pjesëmarrjen tonë"

Zigeuner in Belgrad

Aleksandra Bojadijeva (Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal - RCC) thekson se deri tani janë trajtuar vetëm simptomat - dhe jo shkaku: "Është me të vërtetë koha për të reduktuar efektet e anticiganizmit, sepse ai është rrënja e të gjitha gjërave negative, që kanë pësuar romët në shekujt e kaluar. Prandaj nuk mjafton të thuhet se të gjithë trajtohen në mënyrë të barabartë, nëse jo të gjithë startojnë nga i njëjti pozicion. Romët kanë nevojë për mundësi të barabarta."

Kjo nuk është bërë ende realitet megjithë kornizën e re të BE për barazinë, pjesëmarrjen dhe përfshirjen e romëve - përkundrazi. Vështirë se ndonjë person nga komuniteti rom punon në poste politike apo në administratën shtetërore - pavarësisht udhëzimeve të qarta nga politika. E vetmja mënyrë për të rritur cilësinë e vendimeve politike është përfshirja e romëve në të gjitha sferat politike: "Për ne nuk duhet diskutuar dhe vendosur asgjë, pa u diskutuar me ne dhe përveç kësaj ne romët duhet të marrim pjesë në të gjitha proceset e vendimmarrjes politike”.

Evaluimi nga Komisioni i BE në pranverën e vitit 2023 do të tregojë, nëse dhe si shtetet anëtare të BE e kuptojnë me të vërtetë përgjegjësinë politike.