1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Remi" ftohet në Gjykatën për krime

Bekim Shehu
7 Dhjetor 2018

Ish-komandanti i UCK-së Rrustem Mustafa, është ftuar për intervistim në Hagë nga Prokuroria e Speciale. Mendohet se ka dhe persona të tjerë që kanë marrë ftesë.

https://p.dw.com/p/39d6s
UCK
Fotografi: AP

Njëri nga komandantët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rrustem Mustafa, i njohur me emrin e luftës si "komandant Remi", është ftuar nga Gjykata Speciale për t'u intervistuar në zyrën e Prokurorisë Speciale me seli në Hagë. Ky lajm u bë i ditur në orët e mbrëmjes së ditës së enjte nga avokati i Mustafës, Arianit Koci, nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook. Rrustem Mustafa, është ish-deputet i Parlamentit të Kosovës dhe zyrtar i Partisë Demokratike.

Koci: "Ftesa ka ardhur..."

Avokati i tij Arianit Koci, tha se "ftesa është për datën 14 janar të vitit 2019 dhe zoti Mustafa do të paraqitet vullnetarisht në Hagë”. "Me autorizimin e klientit tim z. Rrustem Mustafa, ju njoftoj se z. Mustafa ka pranuar një ftesë që me datën 14 janar 2019, të paraqitet pranë Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës (ZPS) në Hagë. Kjo është ftesë për intervistim. Z. Mustafa do të paraqitet vullnetarisht dhe është i gatshëm të sqarojë çdo rrethanë të cilën ZPS është duke e hetuar. Kjo është e gjitha për çfarë kemi njohuri tani për tani, dhe me mirësjellje kërkoj nga gazetarët që të mos e kontaktojnë z. Mustafa rreth kësaj çështjeje”, shkroi avokati Arianit Koci.

Mediet kanë kontaktuar zëdhënësin e zyrës së Prokurorit të Specializuar, Christopher Benett, lidhur me këtë rast, por ai ka thënë se "kjo zyrë nuk komenton spekulimet për aktakuzat dhe nuk ofron informacione për statusin e hetimeve”, citojnë mediet në Prishtinë.

Të ftuarit tjerë?

Disa media në Prishtinë pohojnë se ftesën për paraqitje në Hagë e kanë marrë edhe dy persona të tjerë, por aktualisht nuk ka të dhëna zyrtare që konfirmojnë këto shkrime. Asnjë nga të ftuarit tjerë, deri tani nuk ka konfirmuar tëketë marrë ndonjë ftesë.

Gjykata Speciale, në kuadër të së cilës janë "Dhomat e Specializuara të Kosovës”, janë funksionalizuar tërësisht që nga 5 korriku i vitit 2017, të cilat punojnë për hetimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe veprave tjera penale.

Në gusht të vitit 2015, parlamenti i Kosovës me shumicë votash miratoi ligjin për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë, e cila selinë e saj tashmë e ka më Hagë dhe në të do të punojnë tërësisht prokurorë dhe gjykatës ndërkombëtar. Ideja për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë, doli pas një rezolute në Këshillin e Evropës që kërkonte hetime mbi supozimet e një senatori zviceran Dick Marty, i cili pretendonte se pjesëtarë të UÇK-së kanë kryer krime lufte dhe kanë trafikuar organeve të serbëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë. Asnjë aktakuzë akoma nuk është ngritur mbi bazën e këtyre pretendimeve, ndërsa, hetime në shkallë të gjerë akoma apo vazhdojnë.