1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Jo rrezik për Putinin

1 Gusht 2018

Pakënaqësia është në rritje: mijëra rusë demonstrojnë kundër planeve të pensioneve të Vladimir Putinit. Por ekspertët thonë se ai nuk rrezikohet.

https://p.dw.com/p/32P6T
Russland | Proteste gegen Rentenreform in Moskau
Fotografi: Reuters/S. Karpukhin

Këtë fundjavë demonstruan më shumë njerëz kundër ngritjes së planifikuar të moshës së daljes në pension, se 6 javë më parë, kur qeveria e prezantoi për herë të parë reformën. Në Moskë dolën në rrugë 12.000 vetë. Edhe në qytete të tjera protestuan mijëra vetë. Ato ndoqën thirrjet e Partisë Komuniste, të sindikatave, të të ashtuquajturit Fronti i majtë dhe të opozitës jashtëparlamentare të Alexei Navalnit.

A mund të bëhen politikisht të rrezikshme protestat mbarëkombëtare kundër reformës së pensioneve për Presidentin Putin? Vlerat e popullaritetit të tij kanë rënë shumë javët e fundit. "Unë megjithatë nuk e shoh në rrezik qeverinë", i thotë DW Stepan Gonçarov i Institutit Demoskopik "Qendra Levada". Shkaku: nuk ka alternativë ndaj qeverisë së tanishme. Megjithatë ai ankohet për mungesën e komunikimit nga ana e Kremlinit. Shumica e rusëve ende nuk e kanë kuptuar që reforma - për shembull për shkaqe ekonomike - është e nevojshme. Jetëgjatësia mesatare për meshkujt është 67 vjeç, për femrat 77 vjeç.

Russland Tambov Demonstration gegen Rentenreform
Fotografi: picture-alliance/ZUMA Wire/A. Sukhorukov

Ligji i planifikuar parasheh ngritjen graduale të moshës së daljes në pension, për gratë nga 55 tani në 63 vjeç, dhe nga 60 në 65 vjeç për burrat. Pensioni mesatar në Rusi është më pak se 200 euro.

Po qeveria e ka gjendjen në përgjithësi nën kontroll. Në fund të fundit, Putini nuk është përcaktuar për reformën e pensioneve. Ka ende "hapësirë për manovra", thotë Stepan Gonçarov. Një reformë e reformës është gjithnjë e mundur. Por qeveria nuk duhet të jetë e humbura në fund. Meqenëse Putini nuk e përcakton pozicionin e tij, diskutimet vazhdojnë.

Çmimi për vendime jopopullore

Ngjashëm mendon edhe Boris Makarenko, drejtor i Qendrës Kërkimore "Qendra për teknologjinë politike". Popullariteti i Putinit vërtet që është dëmtuar mjaft, por shumica e rusëve i besojnë atij, i tha ai DW. Shefi i Kremlinit sapo i ka fituar zgjedhjet presidenciale. Zgjedhje për Dumën aktualisht nuk janë në diskutim. Në këtë mënyrë qeverinë nuk e kërcënon ndonjë rrezik, tha ai. "Po të bjerë mbështetja, atëherë kjo duhet parë si çmim, të cilin duhet ta paguajë politika për vendime jopopullore", thotë Makarenko.

Russland Tambov Demonstration gegen Rentenreform
Fotografi: Sukhorukov

Nga diskutimi për reformën jopopullore të pensioneve do të përfitonin para së gjithash parti opozitare në parlament; pra komunistët dhe liberaldemokratët nacionalistë të Vladimir Zhirinovskit. Në fund të javës së kaluar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e refuzoi një kërkesë të komunistëve për një referendum në të gjithë vendin. PK po shqyrton tani mundësinë e shtrimit të një kërkese të re për një referendum, apo që t'i drejtohet gjykatës kushtetuese.

Opozita jashtëparlamentare drejtohet nga Aleksei Navalni, që ka bërë thirrje për protesta kundër ngritjes së moshës së daljes në pension. Megjithatë ata që ndjekin pas Navalnin janë të rinjtë. Dhe për ta është më e vogël urgjenca e reformës së pensioneve se sa për më të moshuarit. Prandaj Navalni nuk mund të bëhet për këtë temë drejtues i protestave.

Ndryshe nga Gonçarovi, Makarenko mendon se shumica e rusëve e kuptojnë fshehtas se është e nevojshme një reformë e pensioneve: "Por ata nuk duan të pranojnë", mendon ai.