Reformë që do t’i lehtësojë apo rëndojë qytetarët gjermanë? | Gjermania | DW | 04.07.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Reformë që do t’i lehtësojë apo rëndojë qytetarët gjermanë?

Reforma e re shëndetësore do të kërkojë më shumë prej xhepave të qytetarëve gjermanë. Pas shumë grindjesh koalicioni i madh në Gjermani ra dakord për pikat kryesore të reformës.

Tek sporteli i mjekut

Tek sporteli i mjekut

Reforma parashikon që duke filluar nga viti 2007 kontributet për sigurimet shëndetësore do të rriten me 0,5 për qind. Duke filluar që nga viti 2008 kostot e përkujdesjes shëndetësore të fëmijëve do të fillojnë të financohen nga tatimet.

Gëzimi në fytyrën e kancelares Angela Merkel dukej haptazi: "Po zonja dhe zotërinj, pra më lejoni t'ju them, se kemi arritur konsensusin për të ardhmen e sistemit tonë shëndetësor." Numrin e madh të masave që do të merren fillimisht, kancelarja kristiandemokrate nuk e përmendi hollësisht. Flitet se do të zvogëlohen shumat që harxhohen pa nevojë dhe do të lehtësohet transparenca. Do të duhet të bëjmë kursime gjithmonë e më të mëdha. Por jo që tani.

Një minus financiar prej 7 miliardë Euro në fillim do të jetë i pashmangshëm, tha kancelarja. Merkel: "Kjo do të thotë, që më 1. Janar të vitit 2007 do t'i rrisim kontributet e sigurimeve me nga 0,5 për qind." Ndërsa nga viti 2008 e më tej, gradualisht do të fillojë financimi i shpenzimeve me anë të tatimeve. Faza e parë do të kapë shumën prej gjysmë miliardi Euro, në fazën e dytë, pra nga viti 2009 ajo do të rritet deri në tre miliardë, derisa të arrihet gjithë shuma e shpenzimeve për përkujdesjen e fëmijëve, që financohet nga shteti, sot në masën 16 Milliardë. Si do të mund të arrihet kjo pa rritjen e tatimeve, shefat e partive për këtë heshtin. Kontributet e sigurimeve shoqërore do të mblidhen të tëra në një fond, i cili do t'u shpërndahet sigurimeve në proporcion të njëjtë me numrin e anëtarëve.

Sigurimeve që këto shuma nuk i mjaftojnë duhet ta zgjidhin vetë financimin e mëtejshëm, për shembull duke ngritur kontributin. Me konceptin e saj kundër rritjes së tatimeve, kancelarja Merkel arriti sukses ndaj partnerëve socialdemokratë. Por shefi i këtyre të fundit, Kurt Bek, nënvizon: "Shërbimi mjekësor nuk do të ulet dhe kjo është një pikë shumë e rëndësishme, sepse u jep njerëzve siguri dhe qendrueshmëri." Vetëm në raste të vogla, për shembull operacionet kozmetike, sigurimet nuk do të paguajnë më. Edhe pagesa e mjekëve do të jetë më e thjeshtë: "Pra është një reformë më afatgjate se një ditë dhe një vit," - përmbledh kryetari i socialdemokratëve, Kurt Bek.

Qëllimi i reformës ishte në fakt që të uleshin kontributet e sigurimeve. Me kompromisin e parë u arrit pikërisht e kundërta. Ato fillimisht do të rriten. Të paktën në planin afatshkurtër. Në atë afatgjatë, koalicioni shpreson që këtë problem ta zgjidhë reforma e tatimeve mbi sipërmarrjet. Edhe për këtë u vendosën piketat e para. Njëra prej tyre është që të vihet edhe një tatim kompensues ndaj të ardhurave nga kapitali. Shefi i partisë së tretë të koalicionit Unionit kristiansocial, Edmund Shtojber: "Jam shumë i bindur, që do të mund t'i shtojmë të ardhurat e shtetit me një shumë të konsiderueshme parash." Reforma shëndetësore dhe ajo e tatimeve mbi sipërmarrjet do të vazhdojë të preokupojë edhe për shumë kohë opinionin dhe median gjermane.

  • Data 04.07.2006
  • Autor DW
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar0A
  • Data 04.07.2006
  • Autor DW
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar0A