1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Raportet shqiptaro-serbe në Kosovë dhe perspektiva e tyre

28 Maj 2011

Raportet shqiptaro-serbe janë një temë e trajtuar shpesh nga studiuesit në Beograd dhe Prishtinë. Dr. Sabri Rexha nga Universiteti i Prishtinës ka nxjerrë kohëve të fundit një libër mbi këtë problematikë.

https://p.dw.com/p/11Plv
Kopertina e librit "Raportet shqiptaro-serbe", nga Dr. Sabri Rexha.
Kopertina e librit "Raportet shqiptaro-serbe", nga Dr. Sabri Rexha.

DW: Raportet shqiptaro-serbe janë ndër temat e trajtuara shpesh në institucionet e ndryshme në Ballkan. Në kuadër të lëndës "Historia e Evropës Juglindore", ju ligjëroni pikërisht edhe për këto raporte gjatë periudhave të ndryshme historike. Cilat janë periudhat që zgjojnë më së shumti interesim tek studentët kosovarë?

Rexha: Padyshim që raportet shqiptaro-serbe paraqesin një segment me rëndësi të kësaj periudhe dhe si pjesë e historisë së Evropës Juglindore në tërësi. Por vërehet se pjesa e historisë bashkëkohore është më interesante për stduentët pasi shekulli i 20-të paraqitet si më i afërt dhe dinamik, natyrisht dhe më interesant për ta.

DW: Raportet shqiptaro-serbe në historinë bashkëkohore të shekullit 20-të kanë përjetuar goditje të rënda, në veçanti në fund të këtij shekulli që kulmoi me luftën e vitit 1998/1999. A shihni ju ndonjë ndryshim në trajtimin e kësaj lëmie tek mësimdhënësit dhe studentët dhe si e perceptojnë ata raportin shqiptaro-serb gjatë historisë?

Rexha: Në vazhdimësi vërehen ndryshime. Për shembull në Fakultetin e Edukimit, në degën Edukatë Qytetare ku unë ligjëroj dhe ku përgatiten kuadro për mësimëdhënës për shkolla fillore, lëndët i kemi emërtuar në formë të tillë që përmbajnë elemente të tolerancës dhe bashkëveprimit në interesin e përgjithshëm, duke mos e ndarë në histori nacionale dhe duke iu shmangur elementeve të urrejtjes nacionale midis popujve të këtij rajoni. Prandaj edhe e kemi emërtuar si lëndë "Historia bashkëkohore e Evropës Juglindore" duke mos i ndarë si të themi historitë nacionale.

DW: Për shkak të zhvillimeve të fundit dhe luftës raportet shqiptaro-serbe sot paraqiten shumë të ngarkuara. Si mund të tejkalohet urrejtja në mes shqiptarëve dhe serbëve kur mbahet parasysh edhe aspekti historik?

Rexha: Kjo çështje është mjaft me rëndësi dhe tejet serioze që kërkon një qasje të intelektualëve, mësimdhënësve dhe politikanëve të të dyja palëve. Për fat të mirë kanë filluar bisedimet midis përfaqësusve politik të Kosovës dhe Serbisë por për fat të keq jo edhe për rrafshin intelektual dhe kurrikulat mësimore, që janë jo pak me ndikim në bashkëekzistencën paqësore. Të dyja palët, sidomos ajo serbe, duhet të eliminojnë elementet që kanë përmbajtje të urrejtjes nacionale dhe të kufizohen librat që nxisin një urrejtje të tillë. Fundja u pa ku çoi urrejtja nacionale në sheklullin e 20-të. Paraqitja e njënashme e së vërtetës historike e njërës apo tjetrës palë, lë pak hapësirë për pajtim në mes të dy popujve. Sidoqoftë tendencat globalizuese në botë dhe integrimet në Evropë reflektohen në këto raporte, të cilat padyshim që do të përmirësohen. Pretendimet eventuale që shprehen për ndarjen e Kosovës mund të jenë një gur i rëndë në këto raporte ndëretnike dhe kuptohet kjo mund të çojë në nxitje të ndarjes dhe mosbesimit.

DW: Ju kohëve të fundit keni botuar dhe një libër me titullin "Raportet shqiptaro-serbe në Kosovë" ku një pjesë ia kushtoni perspektivës së këtyre raporteve. Si e shihni ju perspektivën e tyre?

Rexha: Mendoj se perspektiva padyshim ekziston. E kaluara na mëson se tolerenca dhe respektimi i të drejtave të njeriut është e vetmja alternativë. Në raportet ndëretnike në Kosovë padyshim që reflektohet dhe vetë raporti mes Serbisë dhe Kosovës. Pranimi i realitetit nga ana e Serbisë, se Kosova është një shtet i të gjithë banorëve të saj, do të nxiste edhe minoritetin serb që të bëheshin qytetarë të denjë të saj e me këtë të ndodhte si të themi edhe një pajtim më i lehtë shqiptaro-serb. Veç kësaj, më mirë të jemi fqinj të mirë se sa armiq që jetojnë bashkë me detyrim dhe presin një moment eventual për konfrontim. Shihet se vetë Bashkimi Evropian dhe tendencat e të dyja vendeve për të shkuar në Evropë kërkojnë një tolerancë ndëretnike. (...) Nëse shikojmë historinë e evropianëve dhe tejkalimin e konfrontimeve mes francezëve dhe gjermanëve, me siguri që lind shpresë për pajtimin shqiptaro-serb ndoshta jo për një kohë të shkurtër por kjo patjetër që do të ndodhë dhe duhet të ndodhë. Nëse i kthehemi të kaluarës e shohim se e ardhmja ka gjasa premtuese për raporte harmonike dhe bashkëjetesë.

DW: Po cila ishte intenca e librit tuaj?

Rexha: Në këtë vepër timen jam përpjekur të paraqes historikun e raporteve shqiptaro-serbe dhe perspektivën e tyre me gjithë anët pozitive dhe negative, që sjell fqinjësia, pa akuzuar popullin dhe duke përmendur jo vetëm mospajtimet por edhe rastet e bashkëveprimit dhe tolerancës etnike. Besoj që ky libër do të jetë një kontribut edhe në planin e pajtimit dhe bashkëjetesës së dy popujve.

Intervistoi: Bahri Cani

Redaktoi: E. Xhani

Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë

Zbulo më shumë