Raport 450 faqesh për Fukushimën
24 Korrik 2012Ndenja e vetëkënaqësisë është konsideruar si përgjegjëse për menaxhimin e dobët të krizës pas shpërthimit vitin e kaluar të centralit bërthamor në Fukushima, gjë që u shkaktua pas tërmetit masiv dhe cunami në Japoni. Një komision prej 10 ekspertësh të pavarur publikoi të hënën (23.07.12) një raport 450 faqesh. Në të me faj bëhet qeveria japoneze dhe Agjencia rregullatore për energjinë bërthamore dhe sigurinë.
Studimi bën me faj edhe reklamimin e përdorimit të energjisë bërthamore si të sigurt pa vënë në dukje plotësisht rreziqet që përmban ajo dhe pa bërë përgatitje për rastin e ndonjë fatkeqësie natyrore masive.
Sipërmarrja e energjisë elektrike e Tokios dhe agjencia shtetërore kanë qenë më se të sigurta se jashtë kornizës së parashikimeve të tyre nuk mund të ndodhë gjë, thotë komisioni. Supervizorët nuk kanë qenë të ndërgjegjshëm që masat për të shmangur rastin më të keq aktualisht kanë qenë plot me mangësi.
Komisioni i caktuar nga qeveria njoftoi gjithashtu se sipërmarrja e centralit Fukushima e cila ende vazhdon të jetë e paralizuar po i zvarrit hetimet për aksidentin më të rëndë bërthamor të Japonisë dhe po përpiqet të minimizojnë sasinë e vërtetë të dëmtimit të uzinës. Në Fukushima janë shkrirë të tre reaktorët.
Grupi i konrollit ngriti gjithashtu dyshime në lidhje me faktin nëse reaktorët bërthamorë të Japonisë janë të përgatitur për rast fatkeqësish natyrore në të ardhmen edhe pse në vend janë miratuar rregulla të reja për sigurinë. "Ne e kuptojmë se masat e menjëhershme të sigurisë janë duke u detajuar më tej dhe do të materializohen në të ardhmen", njoftoi komisioni. "Por ne u kërkojmë fuqimisht palëve të interesuara për të bërë përpjekje të vazhdueshme për të ndërmarrë hapa vërtetë të efektshme.
"Paneli i kërkoi qeverisë dhe kompanive që të adoptojnë një filozofi të re parandalimi që kërkon masa sigurie nga fatkeqësitë natyrore dhe aksidentet masive. Ky raport, i dyti në lidhje me fatkeqësinë që do të dalë këtë muaj, mund të përdoret nga aktivistët kundër energjisë bërthamore që po protestojnë ndaj rifillimit të punës së dy reaktorëve në Japoni.
Ndërkohë pritet që në muajin gusht të bëhet publike politika e re e qeverisë për energjinë.
AP, dpa, Reuters