1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rajs: Nuk lejojmë tortura

Anila Shuka, Berlin6 Dhjetor 2005

Kancelarja kristdemokrate gjermane, Angela Merkel, kërkon nga ministri i jashtëm hartimin e një raporti të hollësishëm lidhur me arrestimin e gabuar të El Masrit, në vitin 2004, nga CIA.

https://p.dw.com/p/AqhJ
Rajs dhe Merkel gjatë konferencës së shtypit
Rajs dhe Merkel gjatë konferencës së shtypitFotografi: AP

Mbas takimit me ministren e jashtme të Shteteve të Bashkuara, Kondolisa Rajs, Merkel tha para gazetarëve në Berlin, se do të ishte mirë, që "ministri aktual Shtajnmajer, edhe në emër të qeverisë së kaluar federale të hartojë një raport për instancat parlamentare kontrolluese. mendoj se ky është vendi i përshtatshëm ku duhen trajtuar çështje të tilla edhe në të ardhmen."

Ministri aktual i punëve të jashtme, Shtajnmajer, më parë ka qenë ministër shteti në zyrën e ish-kancelarit Shrëder, për të thuhet që duhet të ketë qenë në dijeni të avionëve të fshehtë të CiA-s dhe edhe të rastit të kidnapimit të El Masrit.

Për mysafiren amerikane, ky rast është i veçantë, dhe i takon ta zgjidhë drejtësia. "Në se ndodh që bëhen gabime sforcohemi t'i reparojmë ato sa më shpejt. Çdo politikë ka gabime herë pas here, ne u premtojmë partnerëve që do të bëjmë ç*është e mundur për t*i korrigjuar ato. Besoj se kjo ka për të ndodhur, në gjyqet gjermane dhe në qoftë se është e nevojshme edhe në gjyqet amerikane," – tha Rajs. Ne nuk do të lejojmë kurrë tortura, shtoi ajo.

El Masri është i pari shtetas gjerman që dihet deri tani, që ishte arrestuar gabimisht nga CIA dhe ishte derguar për çështje hetimore në një burg të fshehtë në Afganistan. Prokuroria e Mynihut pat ngritur padi menjëherë pasi ai u lirua në territorin e Shqipërisë.

Të dyja zonjat zyrtare nënvizuan se bashkëpunimi ndërmjet shërbimeve sekrete të dy vendeve është më se i domosdoshëm, veçanërisht duke pasur parasysh sfidat që dalin përpara në shekullin e 21-të. Së fundi, ne mbrojmë edhe jetë njerzish, jo veëtm të amerikanëve, pro edhe të evropianëve, tha Rajs.

Kondolisa Rajs kishte ardhur në Berlin për të përgatitur mes të tjerash edhe një vizitë të kancelares Merkel në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që pritet të ndodhë në janarin e vitit të ardhshëm. Më parë ajo ishte takuar me ministrin e jashtëm, Frank Valter Shtajnmajer. Berlini Ishte stacioni i parë në Evropë i shefes së diplomacisë amerikane e cila menjëherë vazhdoi udhëtimin për në Bukuresht.