Rësler do të kandidojë për postin e kryetarit të FDP-së | Gjermania | DW | 06.04.2011
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Rësler do të kandidojë për postin e kryetarit të FDP-së

Edhe pse mbledhja u zhvillua me dyer të mbyllura tani është e qartë se Philipp Rësler do të kandidojë për postin e kryetarit të ri të Partisë Liberale.

default

Philipp Rösler

Luftova shumë me veten dhe nuk e pata të lehtë të merrja vendim që të kandidoja për këtë post, thotë Philipp Rësler për të shtuar: "Pasi u mendova vendosa që me të gjitha forcat që kam dhe të gjithë pasionin tim për këtë punë ta vë në dispozicion të detyrës së re. Bëhet fjalë për të rifituar besimin e zgjedhësve tek partia FDP. Po kjo ka nevojë për kohë dhe nuk bëhet dot nga sot nesër."

Philipp Rësler tha se ka nevojë për kohë për të arritur një strukturim ideor dhe personal të FDP-së. E qartë është se ai do të ketë përkrah Christian Lindner i cili do të vazhdojë të jetë sekretar i përgjithshëm i partisë. Edhe ai është një nga shpresat e FDP-së. Në krye të partisë vjen pra një ekip i ri. Rësler dëshiron që të marrë edhe më tepër pushtet si zëvendëskancelar.

"Zëvendëskancelari përcakton kursin e ministrave liberalë në kabinet dhe në qeverinë federale dhe unë do ta bëj këtë krahas detyrës si ministër i Shëndetsisë." - tha Rësler.

Zgjedhja formale e Philipp Rëslerit si kryetar i Partisë Liberale pritet të bëhet në kongresin e kësaj partie që do të zhvillohet në maj.

Gjithësesi në ekipin drejtues të FDP-së vazhdon të bëjë pjesë edhe ministri federal i Ekonomisë, Reiner Brüderle, edhe pse pati shumë fjalë se edhe ai do të zëvendësohej në këtë post, pasi vitin e kaluar kishte luftuar me forcë për zgjatjen e kohës së punës së centralëve atomikë në Gjermani.

Kryetari i deritanishëm i FDP-së Guido Westerwelle deklaroi para pak ditësh se nuk do të kandidojë më për këtë post. Kritikat ndaj tij u shtuan, sepse pas vlerave prej muajsh të këqia nëpër anketime të kësaj partie, Partia Liberale nuk arriti as të hynte në parlamentin e landit Rheinland-Pfalz dhe pësoi humbje të thella në Baden-Württemberg.

Philipp Rësler, 38-vjeç, ka lindur në Vietnam, por meqë kishte mbetur jetim prej luftës u adoptua nga një çift gjerman. Përpara fillimit të karrierës së tij politike ai ka qenë mjek ushtarak në Bundeswehr dhe përpara se të merrte përsipër postin e ministrit të Shëndetsisë në kabinetin Merkel ai ishte ministër i Financave në landin e Saksonisë së Ulët.

Autor: Tadeusz Stolarczyk / Pandeli Pani

Redaktoi: Elert Ajazaj