1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përse festohen karnavalet? Zanafilla e Karnavaleve në Këln

Suzanne Cords
16 Shkurt 2023

Karnavalet në Këln: Ç’lidhje kanë romakët e vjetër me karnavalet? Çfarë roli luan njëmbëdhjeta? Dhe pse është virgjëresha e Këlnit burrë? Zhytja në botën e harbimit të karnavalistëve.

https://p.dw.com/p/4NUNA
Këln: Mbyllja e kreshmës, dita e enjte kur pushtetin e karnavalistëve e marrin gartë dhe sipas traditës burrave u pritet kravata, nëse guxojnë këtë ditë të venë një të tillë.
Këln: Mbyllja e kreshmës, dita e enjte kur pushtetin e karnavalistëve e marrin gartë dhe sipas traditës burrave u pritet kravata, nëse guxojnë këtë ditë të venë një të tillë.Fotografi: Oliver Berg/dpa/picture alliance

Ditën e karnavaleve, në orën 11:11 fillon e gjitha, sidomos në zonën përreth lumit Rin, në Renani të Gjermanisë. Por jo vetëm atje. Mijëra vetë të veshur me kostume shumëngjyrëshe lëshohen në rrugët ku festohen karnevalet. Motoja e këtij viti në Këln është "sikur të ndodhte gjithandej”. Kjo gjë të kujton forcën e madhe të karnavaleve, shpjegon Christoph Kuckelkorn, president i komitetit të festës së karnavaleve në Këln. "Edhe në kohë krizash, gjatë krizave të mëdha ekonomike dhe së fundi gjatë pandemisë së Coronës, karnavalet janë një konstante për banorët e Këlnit, një shtyllë mbështetëse në kohë krizash, një moment çlirimi nga problemet e jetës së përditshme."

Procesioni i karnavalistëve të hënën e trëndafilave
Procesioni i karnavalistëve të hënën e trëndafilaveFotografi: picture-alliance/R. Goldmann

Një udhëtim i shkurtër në kohë

Një moment shpëtimi nga jeta e përditshme është organizuar në Këln që 2000 vjet më parë, aty i kanë rrënjët karnavalet që festohen sot. Në atë kohë, Këlni quhej ende Colonia Claudia Ara Agrippinensium. Në qytetin e themeluar nga romakët, ashtu si në gjithë Perandorinë Romake festohej Saturnalia, festa për nder të perëndisë Saturn. Gjatë kësaj feste pihej shumë dhe kërcehej shumë, dhe për t'u bërë qejfin të gjithëve të pasurit i ndërronin veshjet e tyre aristokrate me fanellat e thjeshta të skllaveve dhe skllevërve, dhe viheshin madje në shërbim të tyre. Ata që nuk gëzonin liri, lejoheshin që gjatë ditëve të karnavaleve të kritikonin ashpër zotërinjtë për dënimet e ashpra që kishin dhënë ditët para karnavaleve. Në ditët e karnavaleve bota antike kthehej me kokë poshtë.

Organizohej madje një paradë me një karrocë që kishte mbi vete një varkë. Latinisht kjo quhej "Carrus navalis" – gjë që tingëllon si fjala karnavale. Banorët e Colonia Claudia Ara Agrippinensium-it visheshin me kostume karnavalesh dhe e shoqëronin karrocën e zbukuruar shumë duke bërë zhurmë me daulle, flaute dhe duke duartrokitur. 

Në Perandorinë Romake, shpesh Saturnalia binte si ditë në muajin dhjetor, ndërkohë që gjermanët festonin në pranverë një festë të madhe pagane. Ata vinin maska që ngjallnin frikë dhe bënin zhurmë me daulle dhe këmbana, për të trembur demonët e dimrit. Këtu ndodhen rrënjët e tjera të karnavaleve. Ky zakon shfaqet edhe sot në karnavalet që festohen në Gjermaninë jugore, ditën para kreshmëve.

Festime karnavalesh
Festime karnavaleshFotografi: Rolf Vennenbernd/dpa/picture alliance

Si u kthyen karnavalet në festë fetare

Kur Perandori Konstantin e ktheu krishtërimin në fe shtetërore në vitin 343, Saturnalia nuk u festua më. Dhe zakoni pagan i gjermanëve, nuk shihej me sy të mirë nga kisha. Meqenëse ishte e vështirë që t'i ndaloje njerëzit që të festonin, festa u transformua. Ajo nuk organizohej më për të dëbuar shpirtërat e këqinj, por për të përzënë djallin, armikun kryesor të krishtërimit. Data kur organizohej festa u fut në liturgjinë e vitit kishtar. Në periudhën midis së mërkurës së hirtë dhe të shtunës së shenjtë, besimtarët duhet të hanin pak dhe të luteshin shumë. Para fillimit të agjërimit të gjatë që bëhet para Pashkëve, organizohej një festë e madhe. Mishit - latinisht "carne" – i thuhej lamtumirë - latinisht "vale".

Kështu karnavalet u kthyen në festë fetare, që u fut sidomos në rajonet katolike, jo vetëm të Europës. Pushtuesit nga Spanja dhe Portugalia i çuan karnavalet në Karaibe, në Amerikën Qendrore dhe Jugore. Dhe me sukses. Në Rio de Zhaneiro, çdo vit mijëra vetë festojnë në rrugë një festë të madhe nën tingujt e zambës. Por kjo është tjetër histori.

I kthehemi botës së vjetër: Vërtet që karnavalet u vendosën nën drejtimin kishtar, por priftërinjtë dhe ipeshkvët vazhdonin t'i shihnin me shqetësim aktivitetet e "të marrëve". Megjithatë ata duruan talljet që populli u bënte ritualeve fetare ditëve të karnavaleve duke zgjedhur madje një "Papë të të marrëve”, i cili hynte në kishë hipur mbi një gomar.

Këngë tallëse, ballo me maska dhe shumë harbim

Por jo vetëm kisha, edhe drejtuesit e qytetit duhet të vendosnin si duhet të festoheshin karnavalet. Zejtarët këndonin këngë tallëse në sheshet publike dhe para bashkive, kurse xhonglerët dhe humoristët jepnin shfaqje nëpër rrugë. Nga ana tjetër shtresa e lartë qytetare festonte me stilin e vet. Për shembull princi i Këlnit, Clemens August organizonte çdo vit një ballo mbresëlënëse me maska, ku merrnin pjesë zotërinjtë e kishës dhe "dhjetë mijë më të pasurit” e qytetit.

Kur trupat e Napolonit pushtuan Renaninë dhe Këlnin, metropolin e festimeve, populli i harbuar filloi të shihej me sy skeptik dhe karnavalet u ndaluan përkohësisht. Kjo gjë nuk ishte e lehtë sepse të harbuarit vazhduan të festonin, jo më në rrugë, por në taverna.

Në vitin 1815, në Këln erdhën prusianët. Qyteti ra nën sundimin gjerman. Pushtuesit nuk i ndaluan aktivitetet e të harbuarve të kësaj feste, që sipas artikujve të gazetave, filloi të degradonte gjithnjë e më shumë: "Është përhapur shfrenimi i pacipë dhe kotësia. Kështu nën maskën e të krisurit, bëhen shumë marrëzira dhe shumë maska janë imorale dhe të pacipa.”

Karnavalet zhvillohen të organizuara

Qytetarët me influencë të Këlnit nuk donin ta lejonin më një gjë të tillë. Ata krijuan "Komitetin për organizimin e festës”, i cili festoi në vitin 2023, përvjetorin e 200-të të krijimit. Po ashtu u krijua figura e heroit të Karnavaleve, i cili duhet ta kthente në rrugën e duhur "degjenerimin e aktiviteteve që kishin zanafillë fisnike” dhe duhet të shmangte të gjitha të këqijat, për të arritur ditën që të parakalonte në paradën e Këlnit organizuar të hënën e trëndafave, të hënën para së mërkurës së kreshmës.

Heroi i karnavaleve kthehet më vonë në princ të karnavaleve. Që nga viti 1883, ai ka pasur në krah virgjëreshën e Këlnit, gjë që simbolizon qytetin e lirë të Këlnit, që nuk është përulur para asnjë force të huaj. Virgjëresha prezantohet nga një burrë, sepse shoqatat e karnavaleve kanë qenë trandicionalisht dhe janë edhe sot thjesht bashkime burrash. 

Figura e fshatarit me kopan në dorë shihet si simbol i fuqisë mbrojtëse të Këlnit. Ky triumvirat bashkëqeveris qytetin gjatë një sezoni të tërë, duke qendruar në krye të karnavalistëve të harbuar. 

Harbimi pas kreshmës, qytetin e marrin në dorë karnavalistët
Harbimi pas kreshmës, qytetin e marrin në dorë karnavalistëtFotografi: picture-alliance/Fotostand/Metzemacher

Në vende të tjera të Renanisë sundimin e marrin çiftet princërore, por pavarësisht nga kjo të gjithë ata kanë një gjë të përbashkët: Më 11.11, pra më 11 nëntor, në orën 11:11', ata hapin sezonin e karnavaleve, kurse karnavalet në rrugë fillojnë ditën kur nisin karnavalet e grave, po ashtu në orën 11:11' të enjten pas mbylljes së kreshmës një ditë më parë. 

Shifra 11 magjike 

Data 11, datë me shifër teke, është një shifër e krisur, një numër i marrë siç thuhej në mesjetë. Në atë kohë më 11 nëntor fillonte dita e shenjtë e Shën Martinit, një periudhë agjërimi që zgjaste deri para fillimit të Krishtlindjeve, të cilat festoheshin tamam. Kështu njëmbëdhjeta prezantonte barazinë midis gjithë të marrëve: dy njësha njëri pas tjetrit, asnjë shifër tjetër nuk ka vlerë më të madhe se kjo. Pëveç kësaj, kjo shifër ka një domethënie fetare: Njëmbëdhjeta, është një më shumë se dhjetë gishtërinjtë dhe një më pak se dymbëdhjetë apostujt, pra as gjysmë as krejt, e mbushur pra plot me mëkate.

Procesioni i karnavalistëve të hënën e trëndafilave
Procesioni i karnavalistëve të hënën e trëndafilaveFotografi: Christoph Hardt/Geisler-Fotopress/picture alliance

Liria e harbimit të karnavalistëve

A ka mëkatuar njeriu në stinën e pestë të vitit, siç quhet periudha e karnavaleve? Si në kohën e romakëve të vjetër edhe sot, të marrët i bën bashkë një gjë: Ata thyejnë kufijtë dhe kritikojnë shtresat e larta. Pavarësisht se ku, si në fjalimin e shkruar me dorë kur dikush hipën në skenë dhe flet troç për politikanet dhe politikanët, ose në karrocat e parakalimit të së hënës së trëndafilit ku po ashtu satirizohet për gjendjen e keqe dhe politikën botërore, apo në zgjedhjen e kostumit të karnavaleve nga gjithsecili. Edhe me kostumin e karnavaleve bëhet protestë, kur dikush për shembull vishet si glob i nxehtë, ose si peshkaqen gllabërues financiar.

Sidoqoftë, prej disa vitesh është shtruar pyetja nëse disa kostume karnavalesh janë raciste dhe ofendojnë kulturat e tjera, për shembull duke lyer fytyrën me bojë të zezë. Po ndalime nuk kihet në plan të bëhen. Një gjë e tillë nuk është e zbatueshme në qytete ku mijëra vetë dalin në festë. Edhe për komitetin e karnavaleve në Këln është e qartë se "Karnavali i Këlnit prezanton vlera të caktura. Këtu bëjnë pjesë liria e të marrëve, po ashtu si toleranca, respekti dhe shumëllojshmëria. Secili duhet t'ia bëjë vetë pyetjen vetes nëse kostumi që zgjedh ofendon të tjerët, apo jo. Sepse alternativat janë pafund, fantazia nuk ka kufi për karnavale.”