1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Putini pritet të aneksojë katër krahina të Ukrainës

30 Shtator 2022

Veprimi është dënuar nga shumë shtete perëndimore, si një akt që shkel të drejtën ndërkombëtare dhe që nuk përputhet me parimet e një shteti modern.

https://p.dw.com/p/4HZuh
Russland | Wladimir Putin
Fotografi: Gavriil Grigorov/POOL/TASS/dpa/picture alliance

Presidenti rus Vladimir Putin pritet të nënshkruajë sot, në orën 15.00, në një ceremoni dokumentet e aneksimit të katër rajoneve të pushtuara. Ky veprim është dënuar nga komuniteti global si shkelje e ligjit ndërkombëtar. Aneksimin e paligjshëm të katër zonave ukrainase, Donetsk, Kherson, Luhansk dhe Zaporizhja, Putini e quan ribashkim. Me këtë akt, katër zonat ruse konsiderohen pjesë e Federatës Ruse.

Të enjten, Putini nënshkroi dekretet e njohjes së pavarësisë së krahinave Zaporizhja dhe Kherson, sikurse bëri në shkurt me Luhanskun dhe Donetskun. "Unë udhëzoj njohjen e sovranitetit dhe pavarësisë së  rajoneve Zaporizhja dhe Kherson, të cilët shtrihen në jug të Ukrainës”, thuhej në dekretet e lëshuara nga Putini.

Katër territoret së bashku krijojnë një korridor ndërmjet Rusisë dhe gadishullit të Krimesë, i cili ishte aneksuar në mënyrë ilegale nga Moska në vitin 2014, në një proces të ngjashëm. Ditët e mëparshme ishin mbajtur me nxitim disa të ashtuquajtura referendume. 

Dënohet plani i paligjshëm i aneksimit të Rusisë

Planet e Moskës janë dënuar gjerësisht nga bashkësia ndërkombëtare.  Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres e ka kritikuar skemën e aneksimit si "një përshkallëzim të rrezikshëm" që "nuk ka vend në botën moderne".

Presidenti amerikan Joe Biden tha të enjten se "Shtetet e Bashkuara kurrë, kurrë, kurrë" nuk do të njohin pretendimet e Rusisë mbi territorin sovran të Ukrainës.

Russland, Moskau | Vorbereitungen auf die Annexion ukrainischer Regionen
Sheshi i Kuq në Moskë është duke u përgatitur për të festuar aneksiminFotografi: Alexander Zemlianichenko/AP/picture alliance

Si kancelari gjerman Olaf Scholz ashtu edhe ministrja e Jashtme Annalena Baerbock dënuan ashpër të ashtuquajturat referendume në territoret ukrainase të pushtuara nga Rusia.

Njerëzit që morën pjesë në këto "referendume të rreme janë nxjerrë  me detyrim e nën kërcënimin e armëve nga shtëpitë e tyre ose nga vendi i punës "për të hedhur votat në kuti votimi prej xhami", tha ministrja gjermane e punëve t jashtme Annalenna Baerbock:  "Kjo është e kundërta e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, shtoi ajo.

Edhe kryeministrja britanike Liz Truss tha se Britania nuk do ta njohë kurrë këtë aneksim dhe se Vladimir Putin po shkel ligjin ndërkombëtar. "Putinit nuk mund t'i lejohet të ndryshojë kufijtë ndërkombëtarë duke përdorur forcën brutale. Ne do të sigurojmë që ai të humbasë këtë luftë të paligjshme," tha Truss në një deklaratë të premten.

Referendumi i Donezkut më 27 shtator 2022 u zhvillua me kuti të qelqta.
Referendumi i Donezkut më 27 shtator 2022 u zhvillua me kuti të qelqta.Fotografi: Alexander Ermochenko/REUTERS

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy do të thërrasë të premten një takim "urgjent" të këshillit të tij të sigurisë kombëtare, sipas zëdhënësit të tij presidencial.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së gjithashtu pritet të votojë të premten për një rezolutë të që dënon referendumet, megjithëse fuqia e vetos së Moskës do të sigurojë që rezoluta të mos ketë asnjë shans për t'u miratuar.

Përpjekja e Rusisë për të shtuar forcat

Ndërsa Moska kërkon të gllabërojë më shumë territor ukrainas, ajo po përpiqet gjithashtutë forcojë forcat e saj me një urdhër mobilizimi të pjesshëm që përfshin 300 mijë rezervistë – një lëvizje që ka shkaktuar një vërshim të burrave rusë drejt kufijve.

Sipas inteligjencës ushtarake britanike, numri i burrave të moshës ushtarake ruse që ikin "ka gjasa të tejkalojë madhësinë e forcës totale të pushtimit që Rusia kishte në shkurt 2022".

Mes kritikave të brendshme, Putin i tha Këshillit të Sigurimit të Rusisë të enjten se ishin bërë gabime në mobilizim. Putin tha se burrat rusë të thirrur gabimisht duhet të dërgohen në shtëpi dhe se vetëm rezervistët me trajnimin dhe specialitetet e duhura ushtarake duhet të thirren për të shërbyer.

ash, dw, rtre, afp