1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Putini po ngutet, Putini ka frikë?

Emily Sherwin
27 Janar 2020

Çfarë do të thotë ngutia e Putinit për të bërë ndryshime në Rusi, për të ndryshuar Kushtetutën dhe për të zvogëluar kompetencat e presidentit? Ekspertët thonë se do të ketë kundërshtime edhe nga bashkëpunëtorët e tij.

https://p.dw.com/p/3Wphi
Russland Putin Machterhalt Kommentarbild
Fotografi: Reuters/M. Shemetov

Ka kaluar më shumë se një javë nga propozimi i presidentit rus Putin për ndryshimet kushtetuese. Ekspertët thonë, se reforma e propozuar i siguron Putinit një të ardhme të qetë politike. Rregullat e tanishme parashikojnë që presidenti nuk ka të drejtë të rikandidojë për këtë post, për të tretën herë me radhë.

Me ndryshimet e propozuara kushtetuese Parlamenti do të ketë më shumë fuqi, ndërsa posti i presidentit do të dobësohet. Do të ndryshojë edhe roli i Këshillit të Shtetit, i cili deri tani ka qenë një organ këshilldhënës, i përbërë nga presidenti, guvernatorët dhe persona të tjerë. Ky Këshill tani duhet të futet në Kushtetutë.

Putin schlägt Michail Mischustin Chef der Steuerbehörde als Regierungschef vor
Fotografi: picture-alliance/dpa/Sputnik Kremlin/A. Nikolsky

Putini propozon që për këto reforma të zhvillohet një debat sa më i gjerë i mundshëm në opinion. Planifikohet edhe një votim. Menjëherë pas propozimit të Putinit me 15 janar është takuar edhe një grup i punës, i ngarkuar me këto reforma.

Të hënën e kaluar Putini i ka dorëzuar Dumës propozimin e tij zyrtar. Të enjten Duma e ka miratuar këtë dokument me një shumicë të madhe votash, ndërsa në shkurt dokumenti do të lexohet për herë të dytë në Dumë. Tre nga katër shefat e grupeve parlamentare e kanë mbështetur këtë dokument.

Në pyetjen pse Putini po ngutet me këto reforma kushtetuese, zëdhënësi i tij Dmitrij Peskov tha se planet e presidentit kanë gjithmonë prioritet. Peskov nuk tha, se kur do të miratohen këto propozime për ndryshime kushtetuese, por shtoi se "nuk do të ketë zvarritje"

A është arritur marrëveshja?

Russland Moskau Dmitry Medwedew (L) und Präsident Putin
Fotografi: Imago Images/Tass/A. Nikolsky

Më vonë është konstatuar, se administrata e Putinit i ka kryer tani më shumë reforma, të cilat ai i ka paralajmëruar në fjalimin e tij. Grupi i punës ka pranuar, se këtë javë "vetëm ka saktësuar disa gjëra", ndërsa gjërat kryesore i ka propozuar presidenti. Analisti i pavarur politik Abas Galijamov thotë për DW, se "Kremlini i ka hartuar vet të gjitha propozimet dhe se askush nuk do t'i ndryshojë ato“. Aleksandar Pozhalov, drejtor i Institutit për studime socio-ekonomike dhe politike është i bindur, se Duma do të bëj vetëm disa ndryshime të vogla në reforma.

Mediat njoftojnë, se votimet mund të bëhen në prill. Ndërsa Abas Galijamov është i bindur se i gjithë debati është vetëm mashtrim i opinionit, për të krijuar bindjen se opinioni mund të influencojë marrjen e vendimeve politike. Në sondazhin e një instituti shtetëror thuhet, se 68% e rusëve i mbështesin propozimet për reforma.

Pse po ngutet?

Kritikët e presidentit thonë se Putini ka frikë. Putini kujton shumë mirë gabimet e paraardhësve të tij, pohon Galijamov. Një nga këto gabime është "Perestroika" –  e cila ka shkaktuar edhe shkatërrimin e BRSS. Idetë e Putinit mund të shkaktojnë përçarje në sistemin e pushtetit. Shumë grupe kundërshtare do të përpiqen të shfrytëzojnë këtë gjendje. Sa më shumë që bisedohet për reforma, aq më shumë do të shtohen presionet e mundshme ndaj presidentit, që mund të rezultojë me presione dhe konflikte të brendshme, thotë Pozhalov për DW.

Russland Moskau | Wladimir Putin, Präsident | Rede zur Lage der Nation
Fotografi: picture-alliance/dpa/Tass/M. Metzel

Çfarë do të ndodhë me Putinin?

Kremlini kërkon reforma, por njëkohësisht po përpiqet ta mbajë gjendjen nën kontroll. Kushtetuta e Rusisë parashikon mbetjen e Putinit në postin e presidentit deri në vitin 2024, por pas këtij mandati ai nuk ka të drejtë të rikandidojë. Analistët mendojnë se ai planifikon të mbetet në krye të Këshillit Shtetëror. Mundësia e dytë do të ishte që Putini të marr një rol më të rëndësishëm në Parlament apo në Këshillin e Sigurisë. Por ai mund të kthehet edhe në postin e kryeministrit.

Putini me siguri që do të mbetet në postin e presidentit deri në vitin 2024. Ai ka kohë pra që të vlerësojë gjendjen dhe të vendosë, se nga cili post mund të vazhdojë dominimin e tij në politikën ruse.