1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Putin nuk do të marrë çmimin Quadriga

17 Korrik 2011

Për ditë me radhë pati një kritikë të ashpër për dhënien e planifikuar të çmimit "Quadriga" kryeministrit rus Vladimir Putin. Tani kuratoriumi vendosi ta anulojë plotësisht dhënin e çmimit për këtë vit.

https://p.dw.com/p/11wtb
Çmimi "Quadriga".
Çmimi "Quadriga"Fotografi: diequadriga.com

Shoqata "Punishtja Gjermani" këtë vit nuk do ta japë çmimin Quadriga. Dhënia e çmimit këtë vit do të pezullohet plotësisht, bëri të ditur pas një takimi të shtunën (16.7.) në Berlin, kuratoriumi, i cili e ndan këtë çmim. Kështu, as të nominuarit e tjerë për çmimin nuk do të nderohen këtë vit. Krahas Vladimir Putinit për çmimin ishin nominuar edhe kryeministri palestinez Salam Fayyad, ministrja e Jashtme meksikane Patricia Espinosa dhe mësuesja e shkrimtarja me origjinë turke Betül Durmaz.

Trysni nga opinioni publik

Plani për të nderuar me çmimin Quadriga edhe kryeministrin rus Vladimir Putin ngjalli protesta publike dhe diskutime të ashpra. Shumë personalitete të nderuara me çmimin më parë e dënuan rëndë vendimin. Artisti danez Olafur Eliasson e ktheu mbrapsht çmimin e tij dhe ish presidenti çek Vaclav Havel kërcënoi se do ta kthente.

Kryeministri rus Vladimir Putin.
I kontestuar: kryeministri rus Vladimir Putin.Fotografi: dapd

Disa anëtarë të kuratoriumit dhanë dorëheqjen në shenjë proteste, ndër ta kryetari i ekologjistëve gjermane Cem Özdemir dhe themeluesi i Wikipedia-s Jimmy Wales. Në deklaratën e tij bërë të shtunën, kuratoriumi shprehet "i prekur nga kritika masive në medie dhe një pjesë të politikës". Të prekurve u është kërkuar falje dhe iu është kërkuar mirëkuptim për vendimin e mosndarjes së çmimit këtë vit. Përballë trysnisë në rritje dhe rrezikut të shkallëzimit të mëtejshëm të situatës, nuk kishte zgjidhje tjetër, thuhet në deklaratë. Ish presidenti dhe kryeministri aktual rus Vladimir Putin duhej të nderohej për "meritat e tij në krijimin e marrëdhënieve të besueshme dhe stabile gjermano-ruse".

Kritikë e ashpër nga Rusia

Duke iu referuar edhe konsultimeve qeveritare gjermano-ruse që fillojnë të hënën (18.07.2011) në Hannover, eksperti moskovit për Gjermaninë Vladislav Belov kritikoi mënyrën e veprimit të kuratoriumit. Politologu pranë Insitutit për Evropën në Akademinë e Shkencave në Moskë e cilësoi anullimin e dhënies së çmimit si "humbje fytyre për kryeministrin rus". "Kjo është një fyerje për Putinin, imazhi i tij dëmtohet kështu", tha Belov për agjencinë e lajmeve dpa. Belov e ekuzoi kuratoriumin për gabime të rënda. Kush kërkon të nderojë Putinin duhet ta dijë se çfarë po bën. Dhënësit e çmimit duhej të kishin bërë të qartë në argumentimin e tyre se "Putin, megjithë kritikat me vend kundër tij, ka merita të pamohueshme për marrëdhëniet gjermano-ruse".

Putin jo vetëm flet gjermanisht, por në kohën si president e më pas si kryeministër është përpjekur për kontakte të ngushta mes dy vendeve. Tani imazhi i tij ngjason me atë të presidentit të Bjellorusisë Alexander Lukashenko, i cili kritikohet si "diktatori i fundit i Evropës". Por Belov nuk pret që të dëmtohen marrëdhëniet gjermano-ruse. "Marrëdhëniet janë të forta dhe të mira", thotë politologu.

"Shuplakë për demokracinë"

Aktivisti rus për të drejtat e njeriut Lew Ponomarjow.
Aktivisti rus për të drejtat e njeriut Lew Ponomarjow.Fotografi: Sergej Morozow

Aktivistë për të drejtat e njeriut në Rusi e patën cilësuar dhënien e çmimit Putinit "një shuplakë për demokracinë". Putin nuk ka vend në radhën e mbajtësve të çmimit Quadriga, tha kryetari i "Lëvizjes ruse për të drejtat e njeriut", Lev Ponomarjov, duke iu referuar figurave si ish kancelarët gjermanë Helmut Kohl dhe Gerhard Schröder apo ish presidentët Mihail Gorbaçov dhe Václav Havel.

Ndërsa Elena Panfilova, kryetare e "Transparancy International" në Rusi, pas planit për dhënien e çmimit kryeministrit rus dyshon madje interesat ekonomike në Gjermani. Mesa duket ka pasur shpresa për favorizime në livrimet me gaz, tha Panfilova. Edhe politologu rus Dmitrij Oreshkin është i këtij mendimi: varësia e Evropës e veçanërisht e Gjermanisë nga gazi rus, pra nga Vladimir Putini, është e qartë. Ndërsa vetë Putini priste në këmbim një "nuancë evropiane" në fushatën elektorale në Rusi.

Çmim i përfaqësuesve me influencë të interesave

Çmimi "Quadriga", i cili kujton figurën në portën e Brandenburgut, jepet që nga viti 2003 nga shoqata "Punishtja Gjermani", dhe nderon personalitete të cilat janë të angazhuar për të mirën e përgjithshme. Nderimi, i cili nuk shoqërohet nga ndonjë vlerë monetare jepet në 3 tetor, Ditën e Bashkimit gjerman.

35 anëtarët e shoqatës janë sipas të dhënave të veta "përfaqësues të lartë nga të gjitha partitë, kryeredaktorë dhe intendantë si dhe përfaqësues të njohur të ekonomisë".

Mbi të ardhmen e çmimit pas anulimit këtë vit, do të ketë konsultime javët e ardhshme.

Autor: Hartmut Lüning (afp, dapd, dpa) / E. Xhani
Redaktoi: Mimoza Kelmendi