1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pse shqiptarët kërkojnë të emigrojnë?

31 Tetor 2016

Tre fondacionet gjermane në Tiranë trajtuan në një konferencë rajonale ecurinë e procesit të Berlinit dhe gjendjen në Ballkanin Perendimor si rajon tranzit për refugjatët dhe si vend burimor emigracioni.

https://p.dw.com/p/2RwZN
Flughafen, Tirana, Albanien
Fotografi: DW

Rruga e emigrimit illegal, për motive ekonomike,  në Europën Veriore, kryesisht në Gjermnai  është ngushtuar shumë për vendet e Ballkanit Perëndimor (BP).  Kthimet masive vitin e kaluar nga Gjermnia dhe sidomos përshpejtimi maximal i procedurave të shqyrtimit të kërkesave për azil e kanë ulur ndjeshëm numrin e tentativave të qytetarëve nga ky rajoni për të kërkuar azil në bazë motivesh ekonomike. Ndërkohë, dinamika e emigrimit për të tilla motive ka ndryshuar. Në janar të  këtij viti, në Gjermani hyri në fuqi ligji i emigrimit legal të qytetarëve nga Ballkani Perëndimor dhe i punësimit të tyre. Me pak fjalë: nëse do të emigrosh në Gjermani duhet të jetosh me punën tënde jo në kurriz të taksapaguesve gjermanë . Ky ligj ka bërë që të shumëfishohet kërkesa për të mësuar gjuhën gjermane dhe patur një profesion si një nga kushtet kryesore të emigrimit legal në Gjermani. Por Ballkani Perëndimor nuk po bëhet vetëm një rajon burimor emogracioni. Ai mbetet një rajon tranzit për emigrantë nga zonat e konfliktit që synojnë si destinacion final vendet e BE në Europën Veriore. Këtyre dinamikave u shtohet një proces vital për të ardhmen e rajonit: Procesi i Berlinit, i inicuar nga Kancelarja gjermane Angela Merkel për t' i dhënë impulse të reja integrimit të BP në BE, kryesisht  përmes projekteve të mëdha rajonale në infrastrukture dhe  energji. 

Ballkani Perëndimor rrugë tranzit  drejt vendeve të BE dhe burim fluksi migrator

Tre fondacione gjermane të pranishme në Tiranë, Friedrich Ebert, Konrad Aidenauer, Hans Seidel në bashkëpunim me  Institutin për Bashkëpunim dhe Zhvillim trajtuan në një konferencë rajonale ecurinë e deritanishme të procesit të Berlinit duke u ndalur edhe tek situata në BP si rajon tranzit për refugjatët nga zonat e konfliktevre dhe vend burimor emigracioni dhe marrë për ilustrim rastin e Shqipërisë. Si rrugë tranzit BP u përdor së pari aty nga qershori i vitit 2015 kur refugjatët e ardhur kryesisht nga Siria, kalonin në Greqinë Veriore, pastaj në Maqedoni, Serbi, Kroaci, Slloveni dhe që andej në Gjermani dhe Europën Veriore. Gjatë vitit 2015 në Shqipëri u futën 2.047 refugjatë nga zonat e konfliktit. Marrveshja e arritur më 18 mars të këtij viti mes BE-së dhe Turqisë për refugjatët pa dokumenta nga Siria solli uljen e fluksit të refugjatëve që përdorin rrugën e BP për të mbërritur në vendet e Europës Veriore. Kështu nga 2.047 refugjatë në vitin 2015,   në gjysmën e pare të këtij viti në Shqipëri u futën 330 refugjatë ose 6 herë më pak,  pjesa më e madhe nga Siria, Afganistani, Maroku,  Irani dhe më pak nga rreth 15 vende nga Afrika. 

Oferta joshëse e Gjermanisë për emigrim  të ligjshëm

Kthimet masive nga vendet e Europës Veriore - kryesisht Gjermania - të azilkërkuesve nga BP e ka reduktuar dukshëm fluksin e kesaj kategorie refugjatësh.  Gjermania përshpejtoi në maksimum - nga 3 muaj në 10 ditë- procedurat e trajtimit të kërkesave për azil të refugjatëve nga vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilësuara nga qeveria gjermane  si " vende të sigurta” ose me fjalë të tjera vende ku nuk ka represion politik apo shkelje të të drejtave të njeriut. Me hyrjen në fuqi në  janar të këtij viti të ligjit të ri të emigracionit për vendet e Ballkanit Perëndimor, Gjermania u ofron qytetarëve nga këto vende emigrim dhe punësim legal në Gjermani. Michael Gumprich, Sekretar i dytë në Ambasadën gjermane në Tiranë, pjesëmarrës në konferencë, shpjegoi se emigrimi i ligjshëm në Gjermani kërkon patjetër njohuri të mira të gjuhës gjermane dhe zotërimin e një profesioni.

"Kur qytetarë nga Shqipëria gjejnë vetë punë në Gjermnai, kur ata kanë një kontratë atëhere nuk duhet as gjuha, as profesioni. Thjesht kontrata është e rëndësishme. Ata që janë kthyer jo vullnerarisht nga Gjermania, pasi kërkesa për azil u është refuzuar, duhet të presin nga 8 -10 muaj, para se të kërkojnë të emigrojnë në bazë të ligjit të ri gjerman ” tha Michael Gumprich. Qytetarëve nga Ballkani  Perëndimor u ofrojnë emigrim të ligjshëm edhe SHBA dhe Kanadaja. Sipas burimeve zyrtare nga delegacioni i BE-së në Tiranë  , vitin e kaluar morën "Green Card” amerikane 200 mijë shtetas të Shqipërisë.

Rasti i Shqipërisë në Ballkanin Perëndimor. Pse shqiptarët kërkojnë të emigrojnë?

E drejta e lëvizjes dhe aspirata për një jetë më të mirë janë të drejta të njeriut. Por këto të drejta realizohen kur respektohen kufizimet ligjore të vendit pritës. Mosrespektimi i tyre e bën emigrimin të paligjshëm. Vjollca Meçaj, juriste e mirënjohur në Shqipëri, kryetare e Bordit të Komitetit Shqiptar të Helsinskit  rrjeshton  një sërë argumentash pse shqiptarët sot kërkojnë të emigrojnë duke tentuar edhe emigrimin e paligjshëm. "Në Shqipëri nuk ka shkelje të të drejtave të njeriut që të bëhet shkak për largim. Arësyet janë ekononiko-sociale: varfëria, papunësia, dhuna në familje, diskriminimi, gjakmarrja, pasiguria e jetës, korrupsioni në administratën publike, mosfunksionimi i drejtësisë, standardi jo i lartë i demokracisë. Por rinia duhet mbajtur në vend. Nëse flasim për procesin e Berlinit, .bashkëpunim rajonal, konnektivitetin e rajonit, projekte të mëdha rajonale në energji dhe infrastrukturë..ështeë rinia ajo që do t' u japë jetë projekteve të tilla që pritet të transformojnë rajonin dhe bëjnë gati standartet për anëtarësim në BE, kur të vijë dita”thotë Vjollca Meçaj .

Emigrimi i ligjshëm pro & contra

Por një pjesë e mirë e rinisë dëshiron të largohet nga Shqipëria.  Qëndra Goethe në Tiranë  u transferua në një godinë tri herë më të madhe se ajo ku ishte deri tani për t'iu përgjigjur me kurse gjuhe kërkesave të  shumëfishuara  për të mësuar gjermanisht. Mjekë, infermierë, inxhinierë të diplomuar kërkojnë të kenë nivelin e kërkuar të njohurive të gjermanishtes që të punësohen në Gjermani, ku ligji dhe popullsia e plakur ua jep këtë shans. A do të kthehet një ditë në Shqipëri , rinia që po përgatitet të ikë në Gjermani? Sandër Lleshi, këshilltar i kryeministrit Rama për çështjet e sigurisë, shprehet  që kjo nuk është e lehtë. "Duhet të rrisim ofertën që pas disa vitesh emigracioni të ligjshëm ata të kthehen në Shqipëri. Duhet që ata të kenë më shumë shanse në vendin e tyre.  Dhe që të mos largohen çelësi mbetet arsimimi professional, ofrim i mundësive për biznes, iniciativë private”, thotë Sandër Lleshi.

Emigracioni i ligjshëm  ka faktorë pro & contra në raport me Procesin e Berlinit. Faktorët pro janë ulja e papunësisë në vend, mundësia e rinisë për të punuar  dhe u kualifikuar në mjedise teknologjike të përparuara dhe inovative, për të jetuar në shoqëri me demokraci shumë më të zhvilluar sesa në Shqipëri . Kthimi i mundshëm i tyre, pas përvojave në këto vende do të jetë një zhvillim shumë pozitiv. Por ana tjetër e medaljes është që Shqipërisë po i ikën, përmes emigracionit të ligjshëm, kapitali më i  madh që ajo ka: rinia. Procesi i Berlinit është përqendruar në realizimin e projekteve rajonale në energji dhe infrastrukturë si edhe në pajtimin e rajonit përmes shkëmbimeve rinore. Parakusht i suksesit të këtij Prpcesi është pa pikë ngurrimi përfshirja e rinisë dhe kontributi i saj. Tani për tani vendet e Ballknait Perëndimor dhe Shqipëria mes tyre vështirë se  mund t'i ofrojnë rinisë së tyre një oferte më joshëse sesa ajo e punësimit të ligjshëm  në Gjermani